‘Studio Live’/ Eksperti Krisafi për Kosovën: Thirrja e Kurtit në Prokurori s’ndryshon asgjë, Thaçi e të tjerët do dalin të pafajshëm, qëllim heqja e tyre nga skena!

Situata në Kosovë, thirrja e kryeministrit Albin Kurti nga Prokuroria Speciale, presioni i Gjykatës së Hagës ndaj Hashim Thaçit dhe kosovarëve të tjerë të pandehur, lufta në Siri dhe Ukrainë, ishin tematikat e bisedës në ‘Studio Live’ të gazetarit Arbër Hitaj mbrëmjen e sotme.

Në studion e Report TV ishte i pranishëm Ledion Krisafi, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare, që analizoi dhe hodhi dritë mbi zhvillimet më të fundit në këto katër tematika.

Krisafi tha se thirrja e Albin Kurtit për çështjen e vitit të kaluar të Prokurorisë Speciale është diçka normale, edhe në prag të zgjedhjeve në Kosovë dhe se qasja e tij nuk do ndryshojë, pasi mbeten më shumë sulme politike të kundërshtarëve.

Kurse për gjyqin e Hagës, Krisafi deklaroi se Thaçi dhe të tjerët do shpalleshin të pafajshëm në fund, sikurse ndodhi edhe me kroatët dhe boshnjakët dhe se lëvizja juridike ndaj tyre u bë jo vetëm për t’i hequr nga skena, por edhe për një kundërpeshë me Serbinë, që të mos i mbetej e gjithë përgjegjësia e luftës që zhvilloi pas viteve 90-të në ato vende.

“Mendoj se reagimi ka qenë më i madh se ai që duket. U thirr dëshmitar për një çështje të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale, që lidhet me disa zyrtarë të akuzuar për disa tenderë. Pak a shumë të duket si ajo që ndodh në Shqipëri, e ngjashme ajo e Vetëvendosjes me opozitën këtu, që sa herë thirret nga SPAK, duket se ka ndodhur ndonjë hata. Nuk mendoj se do ndryshojë gjë në qasjen e Albin Kurtit. Kurti ka detyrimin të shkojë, kështu funksionon ligji, do të shkojë patjetër të dëshmojë. Reagimi është shumë më i madh sesa ajo që duket, është duke u investiguar, vijon në kuadrin e zgjedhjeve politike dhe sulmit nga kundërshtarët në kuadër të zgjedhjeve politike”, tha ai.

Krisafi u pyet edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish-komandantëve të UÇK dhe ish-presidentit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve, pasi flitet për shtim të akuzave të reja. Ai tha se pavarësisht lëvizjeve në Hagë, në fund besonte se do ndodhte ajo që ndodhi me të akuzuarit kroatë e boshnjakë, që morën pafajësinë. Lëvizjen e Hagës ai e cilësoi më shumë si përpjekje për të vënë barazpeshë për ato ngjarje, që përgjegjësia të mos i mbetej vetëm Serbisë.

“E ngjashme me krerët e Kroacisë në vitet 2000 edhe ajo që po ndodh me ushtarët e UÇK. Dhe ushtarakët apo zyrtarët kroatë  thanë atëherë se nuk shkuan ata në Beograd, por Beogradi në Kroaci. E njëjta gjë me Serbinë”, tha Krisafi. 

Ai besonte se qëllimi ishte për t’i hequr nga skena Thaçin dhe të tjerët.

“Kishte qëllim për t’i hequr nga skena, por së dyti edhe një barasvlerë që faji të mos ishte i gjithi i Serbisë. Ka akuza që janë pa baza në raste të tilla. Të shohim nëse Trump do ketë një qasje pozitive ndaj gjykatës. Po duket një prapavijë dhe përpjekje për t’i hequr nga skena Thaçin, Veselin dhe Krasniqin. Tani i ka ardhur radha shqiptarëve, pasi Boshnjakën dhe Kroatët shpëtuan pasi shkuan në Hagë. Ideja është që të mos mbetet pesha e gjitha te Serbia. Pas disa vitesh besoj ashtu sikurse me kroatët, edhe ata, kosovarët, do dalin të pafajshëm”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:40
Lufta në Ukrainë/ Krisafi: Rusia ka pritshmëri që Trump t'i ofrojë territoret ukrainase, Europa pritet t’i dalë kundër! Rutte kërkon ta zgjojë për luftë

Tema e fundit e analizës në ‘Studio Live’ për zhvillimet gjeopolitike në rajon dhe më gjerë ishte ajo e luftës në Ukrainë dhe pritshmëritë e takimit Trump-Putin.

Eksperti Ledion Krisafi tha se Rusia ka në plan të qëllimit të saj shkëputjen e territoreve të pretenduara në Ukrainë, të kërkojë më shumë se 20% të territorit në takimin që do zhvillohet. Ndaj edhe po intensifikon luftimet në Donjetsk, një nga rajonet kyçe më të fortifikuara të Ukrainës. Krisafi tha se nëse Ukraina do lëshojë territoret, atëherë Moska duhet ta lejojë të anëtarësohet në NATO brenda 10-15 viteve të ardhshme.

Gjithashtu ai u shpreh se edhe NATO po përgatitit Europën për luftë me alarmet që po jep kreu i saj, për t’i zgjuar europianët. Por ekziston edhe rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nëse nuk arrihet marrëveshje, pasi Europa nuk dëshiron që t’i nënshtrohet Putinit në lëshim territoresh në Ukrainë.

“Ushtria ruse po përparon, përparim i vogël, por që për ta vlerësohet shumë. Rusia po tenton qytetin e Pokovskit që ndodhet në Donjetsk dhe po ra ky qytet, Rusia do pretendojë të gjithë këtë rajon, ku edhe Putin pritet t’ia kërkojë Trump në takimin e ardhshëm. Rusia synon Donjetskun dhe nëse bie ai, nuk ka më fortifikime, pasi ky qytet është më i fortifikuari në Ukrainë. Për Putinin është e rëndësishme të fitojë sa më shumë territor, pasi ky është qëllimi. Por edhe ekonomia ruse ka pësuar krisje. Sipas të dhënave Rusia mund ta vazhdojë luftën edhe për 2 vite të ardhshme, por jo për gjatë. Në Rusi ka një pritshmëri për ofertën e Donald Trump, ata mendojnë se 20 përqindshin e kanë në dorë dhe kërkojnë më shumë se kaq dhe presin që Trump ta ofrojë. Dhe ka pritshmëri, sigurisht nëse do ketë ofertë”, tha Krisafi.

I pyetur për situatën në Europë, eksperti shprehet se kontinenti është në gjendje alarmi pas deklaratave të përsëritura të sekretarit të NATO-s, Mark Rutte.

“Mark Rutte po përgatit Europën për luftë për të ardhmen. Fjalët e Rutes janë alarm për Europën, që të jetë gati. Rusia ka prodhim masiv të armatimeve këto kohë. Ndaj Europa nuk ishte përgatitur për këtë skenar. Rusia do marrë territorin që ka shpëtuar, kurse Ukraina në 10 a 15 vite do jetë pjesë e NATO. Me shumë mundësi kjo do jetë oferta e Trump, Rusia merr pjesën e pretenduar, kurse Ukraina hyn në NATO. Mund të jetë strategji e ngjashme e Putin me atë të luftës që bëri në Finlandë, ku mori territor për të mbyllur luftë. Por edhe strategjia tjetër, që Ukraina të mos i kërkojë më këto territoret e pushtuara mbrapsht nga Rusia. Ose Ukraina do marrë garanci nga NATO, ose do prodhojë armët bërthamore. Ka lëvizje mes Londrës dhe Parisit, po bëhen gati, janë të gatshëm të çojnë trupa në Ukrainë”, u shpreh ai.

Por Europa i trembet lëvizjes së Trump dhe pritet ta kundërshtojë nëse bie në marrëveshje me Putin.

“Trump mund të bjerë dakord për marrëveshjen dhe Europa mund të lëvizë. Por Europa duket se nuk ka kapacitete, por ka dëshirë. Ndaj edhe deklarata e Rutes bëhet që Europa të zgjohet Europa mund të dalë kundër Donald Trump, pra kundër idesë së dhënies së territoreve nga Ukraina”, tha Krisafi.

Ora 19:25
Lufta në Siri/ Ledion Krisafi për Report TV: Atje ka shqiptarë, por s’e di a ndihen të tillë! Assadi u tregua i zgjuar, Izraeli ridimensionoi Lindjen e Mesme, edhe Turqia fitoi

Luftimet në Siri duket se kanë përfunduar pas arratisjes së Bashar al Asad drejt Rusisë ku ka marrë azil, por tensionet janë ende të larta dhe frika se rebelët do dalin jashtë kontrollit ekziston.

Lajmet e fundit nga mediat nxorën në pah edhe ekzistencën e shumë shqiptarëve në atë vend, madje edhe si drejtues të ushtrisë rebele.

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi foli në “Studio Live” në Report TV, edhe për situatën atje dhe shqiptarët

“Shqiptarë ka, por nuk e di nëse janë shqiptarë që e dinë se janë të tillë. Se dimë nëse ruajnë kulturën e të tjera. Siria ka qenë pjesë e perandorisë osmane dhe lëviznin, si Pashko Vasa në Liban, apo edhe në Alepo si guvernatorë dhe në Palestinë, pra lëviznin, edhe deri në vitet 20-të apo pas luftës botërore, ka pasur shqiptarë në Siri. Ose teologë të lartë që kanë shkuar në Siri. Por ata e quanin veten në radhë të parë si myslimanë, e pastaj shqiptar. Sikurse edhe me arvanitët në Greqi, që po t’i pyesësh nuk e ndjejnë veten shqiptarë, sepse janë shkrirë me kombin. Ka një person me emrin Arnauti atje, në Siri, por sa e ndjen veten si shqiptar, do pyetur. Është në rolin e operacioneve speciale në grupin e rebelëve atje, u bë i njohur nga mediat shqiptarë kur ndodhi ajo që ndodhi, në të kundërt s’do ishte bërë kaq e madhe. Por ata e shohin veten si pjesë të fesë islame në radhë të parë. Si arvanitët që janë bërë pjesë e kombit në Greqi”, tha Krisafi.

Ai thotë se gjendja shkon drejt qetësimit dhe më të fituarit nga kjo situatë janë Turqia dhe Izraeli. Ky i fundit duket se ka krijuar një ‘portret’ të ri në Lindjen e Mesme, duke ndryshuar fizionominë gjeopolitike.

“Lufta ka përfunduar, shumica e Sirisë është në dorën e grupit të Hay'at Tahrir al-Sham (HTS), por ka disa zona si grupet kurdët në lindje e verilindje të Sirisë. Nuk ka më konflikte të armatosura në pjesën më të madhe të Sirisë. Izraeli ka marrë nën kontroll zonën në lartësitë Golan. Izraeli ka shkatërruar të gjithë mjetet ushtarake që kishte Asadi dhe Siria, si bazat dhe armët kimike dhe jemi në momentin e një paqeje të brishtë. Shenjat janë të mira, po tregohen të arsyeshëm, ndoshta edhe nga ndikimi i SHBA dhe Turqisë. E ardhmja e Sirisë duket në duart e Turqisë në një anë dhe SHBA-Izrael në krahun tjetër. Kam përshtypjen se Siria do shkojë si Iraku pas Sadamit, me ndarje pushteti dhe zonash, për t’i mbajtur palët të kënaqura. Edhe komuniteti Drus në Siri, me kërkesë Izraelit që Izraeli ti aneksojë sepse kanë pak besim te regjimi i ri dhe kanë besim pak sintetik nga ai islam”, shprehet eksperti.

Por a do ketë Rusia telashe për azilin ndaj Assadit?

“Ai është i paprekshëm për sa kohë është në Rusi. E njëjta ndodhi me familjarët e Millosheviçit, s’u prekën. Assadi bëri zgjidhjen e duhur, u tregua i zgjuar në krahasim me të tjerët dhe shkoi në Moskë, të kundërtën që bëri Gadafi apo Sadami, që iu afrua Rusia dhe zgjodhën të luftonin deri në fund. Izraeli ka ridimensionuar të gjithë Lindjen e Mesme. Goditja e Hezbollahut që i hoqi një shtyllë Assadit dhe më tej Iranit, që ishte shtylla tjetër. Nuk luftoi ushtria e Assadit, por ndihma e Iranit dhe milicive të Hezbollah apo të Putinit, që e shpëtuan. Fakti që ushtria e tij nuk luftoi edhe këtë herë nuk është çudi. Vala e Hamasit që do hiqte ndikimin izraelit dhe amerikan në Lindjen e Mesme, pas një viti është pamje ndryshe, ku ka rënë ndikimi i Iranit dhe faktori i tij i shkatërruar. Izraeli ka dalë i fituari i madh, sikurse e Turqia, sepse ka çmontuar Iranin”, tha Krisafi.

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

Sigurimi i Shtetit, si i përgjonte dhe ruante shkencëtarët shqiptarë? Esencë-Report Tv

Sigurimi i Shtetit, si i përgjonte dhe ruante shkencëtarët shqiptarë? Esencë-Report Tv