Itali, 20-veçarja shqiptare: Fillova
si kameriere, tani kam lokalin tim

Itali, 20-veçarja shqiptare: Fillova<br />si kameriere, tani kam lokalin tim
Alda Ndoj është vetëm 20 vjeç dhe tashmë drejton një lokal të sajin. Ndoshta nuk është arritje fort e madhe për dikë që trashëgon një biznes, por për Aldën që e ka krijuar vetë nga zero me punë dhe këmbëngulje këtë, është një sukses i jashtëzakonshëm. 

20-vjeçarja, apo siç njihet edhe nga klientët e lokalit “vajza e Al Solito Posto” punon si kameriere prej 3 vitesh. Paralelisht me punën në lokal, të cilën Alda e ka filluar që në moshën 17-vjeçare vijonte edhe studimet në marketing-financë, shkollë profesionale që e ka ndjekur për 5 vite.

Ndoj ka rrëfyer për suplementin “Drejt Punës” se ditët ishin të gjata kur i duhej të niste punën në mëngjes herët për ta mbyllur në 16:00 që më pas të frekuentonte shkollën nga ora 18:00 deri në 23:00.

Por vajza nga Mirdita e cila prej 11 vitesh jeton në Itali, i ka kapërcyer të gjitha këto duke e pagëzuar këtë vit me diplomimin në korrik si dhe firmosjen e një dokumenti që e njeh zyrtarisht si pronaren e bar restorant “Al Solito Posto”,  në Inzago, provincë e Milanos.

Tashmë Ndoj ka një staf të zgjeruar që përbëhet nga shqiptarë dhe italianë. Thuajse prej një viti ajo ka lokalin e saj, në të cilin vijon të punojë me të njëjtën buzëqeshje dhe energji në shërbim të klientëve shqiptarë e të huaj.

Alda shprehet se nëse punët do shkojnë kështu siç kanë nisur, do të ketë mundësi të vijojë studimet në infermieri duke lënë vëllanë të kujdeset për lokalin.

alda ndoj
Alda Ndoj në ambientet e lokalit të saj në Itali
 
Alda prej sa vitesh je në punë?
Unë jam 20 vjeç dhe si kameriere kam tre vite që punoj, ndërkohë që edhe më përpara kam ndihmuar familjen me aq sa kam mundur. Mund të them që jam rritur me idenë e punës, edhe pse vetëm në moshën 17-vjeçare kam nisur të punoj “zyrtarisht”.
 
Kaq e re dhe numëron disa vite eksperiencë pune, po me shkollën si ja ke dalë?
Unë jam diplomuar në korrik, përfundova vitin e 5-të në marketing-financë, që do të thotë se në 3 vitet e fundit i kam ndërthurur punën dhe shkollën. Nga ora 06:00 deri në 16:00 shërbeja në lokal. Dy orë më mbeteshin të lira të cilat i shfrytëzoja për të lexuar ndopak dhe më pas në 18:00 deri në 23:00 ndiqja studimet. Fundjava sërish në punë. Kam pasur vështirësi të mëdha, por më pëlqente puna dhe kisha nevojë për të, besoj kjo ka mjaftuar, pa harruar edhe mbështetjen e familjes.

Ti nuk u zgjove një mëngjes të bukur dhe e pe veten pronare të restorantit, cila ishte rruga dhe pengesat që ke pasur?
Mbështetja e familjes sidomos e mamit ka qenë një shtysë dhe ndihmë e vazhdueshme për mua. Unë kam punuar për të jetuar dhe për të arritur diçka që të mbetej. Kursimet, këmbëngulja dhe dëshira për arritur diçka të arritshme kanë bërë të jem ku jam. Suksesi është investim i vazhdueshëm. Bashkë me vëllain punojmë shumë fort duke shpresuar që të kemi edhe më shumë të ardhura për veten dhe familjen. Rruga nuk ishte e vështirë vetëm për ne por edhe për familjen, pasi para 11 vitesh kemi ardhur nga Mirdita në Itali, kur unë isha 9 vjeçe dhe mund të them se për asnjë shqiptar këtu nuk është e lehtë të integrohet apo të ketë mundësi të barabarta me vendasit.
 
Restoranti ndodhet në një zonë të populluar edhe me shqiptarë, a janë ata klientët dominues?
Klientët më të shumtë dhe të përditshëm janë italianë, shqiptarët janë njerëzit e festës. Ata prenotojnë për festa të mëdha ku nuk mungon atmosfera, vallet dhe këngët shqiptare. Ndërsa italianët janë frekuentues të barit dhe restorantit në pjesën më të madhe të kohës. Edhe gatimet janë italiane, por sigurisht që pëlqehen shumë edhe nga shqiptarët apo njerëz nga vende të  tjera të botës. Nuk janë të paktë ata që e lidhin vendin me mua, si të thuash jam imazhi, e kjo është edhe një nga arsyet që më lidh më tepër me klientët. Duke qenë se edhe më parë kam punuar aty thuajse të gjithë më thërrasin vajza e "Al Solito Posto". Pasi shumica e njerëzve që frekuentojnë lokalin janë klientë të rregullt.

Megjithatë ka edhe klientë të rastësishëm që shpesh janë turistë nga qytete të tjera të Italisë apo shteteve të tjera të Europës. Pëgjithësisht mbeten të kënaqur.

Kam dëgjuar se vallet shqiptare në lokalin tënd janë të veçanta sepse shpesh kanë në sfond zëra popullorë të njohur të skenës shqiptare që performojnë live, cilët këngëtarë keni pasur të ftuar?
Kur nisin vallet popullore është e vështirë të dallosh se nuk je në Shqipëri. Krijohet një atmosferë që çudit vendasit e që mua me stafin na entuzismon tepër. Valle jugu e veriu që kërcehen nga shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Itali është diçka shumë e bukur që i gëzon edhe këngëtarët. Në mbrëmje festive kemi pasur këngëtarë si Altin Shira, Artiola Toska, Meda, Sinan Hoxha, etj.
 
Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Ende nuk kam bërë një vit që punoj në lokalin tim dhe nuk mund ta shkoj të ardhmen e afërt larg punës së pandërprerë aty. Megjithatë nëse gjërat shkojnë mirë, më vonë mund të shkëputem për të vazhduar studimet universitare në degën që pëlqej, në infermieri, ndërkohë që vëllai do të mund të kujdeset për restorantin. Kur e mora restorantin në fillim kisha peshë të madhe dhe nuk mendoja fare se çfarë do të ndodhte shumë larg në kohë. Kisha përgjegjësi të mëdha mbi supe dhe preokupohesha nëse gjithçka shkonte sipas planeve të momentit, nuk kisha në mendje projekte afatgjata. Por tani që gjërat po shkojnë siç duhet, duke shpresuar që do të vazhdojmë në këtë ritëm kam filluar të kem ide që synojnë për më lart qoftë në zhvillimin e biznesit e po ashtu në kualifikimin tim profesional.

Në moshën që ti ke nisur të punosh, për shumë të rinj shqetësimi kryesor është të zgjedhin filtrin e një fotografie në rrjete sociale, ç’këshillë do jepje për këdo që do të ecë përpara?
Këshilla që mund të jap është që të rinjtë duhet të besojnë shumë në vetvete. Nuk duhet të kënaqen asnjëherë me pak, por të pretendojnë gjithmonë e më shumë. Megjithatë ambiciet nuk duhet t’i bëjnë të humbasin vetveten, gjithmonë duhet të jemi të thjeshtë pa pretenduar se jemi më lart se të tjerët. Disa jemi të aftë në një drejtim, disa në të tjera, mjafton të gjejmë se çfarë dijmë të bëjmë në jetë dhe çfarë vërtetë këmi dëshirë të bëjmë. Vështirësitë janë të pranishme në çdo fazë të jetës dhe për çdo njeri, ne duhet t’i përballojmë edhe kur na mundin ndonjëherë duhet të ecim përpara e të provojmë përsëri.

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja