Itali - Një 20 vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri të karabinierëve italianë, pasi tentoi të largohej me makinë gjatë një kontrolli policor. Ngjarja u shënua mbrëmjen e së shtunës në provincën e Pizës.

Ndërhyrja e forcave të rendit u bë pas një telefonate nga një qytetare, e cila kërkoi ndihmë duke deklaruar se djalin e saj të mitur po e shantazhonin. Sipas denoncimit, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për t’ia kthyer.

Me mbërritjen e patrullës, një nga të dyshuarit dyshohet se ka përplasur me makinë një karabinier dhe më pas është larguar me shpejtësi të madhe. 

Gjatë arratisjes, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri. Dy plumba kanë kapur 20-vjeçarin shqiptar, i cili më pas është transportuar në spital. Sipas autoriteteve, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.