Lezhë-Një plagosje me armë zjarri ndodhi mbrëmjen e kësaj të mërkure në lagjen “Zef Hoti” në Mamurras te Kurbinit, pas një konfliktit te çastit.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se Pjetër Marku është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plumb në krah në afërsi të banesës së tij.

Pasi mori ndihmën e parë në Urgjencën e Mamurrasit, i plagosuri është transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, nga mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha dhe jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet paraprake hetimore bëhet me dije se Pjetër Marku sapo ishte kthyer nga Anglia dhe ka patur një përplasje verbale me autorin e dyshuar.

Konflikti dyshohet se ka nisur pasi i plagosuri i ka kërkuar autorit të lëvizte me kujdes dhe të mos xhironte gomat e automjetit, në rrugën pranë banesës së tij, por autori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar dy herë me pistoletë, ku njëri prej plumbave e ka kapur Markun në krah.

Policia njofton se autori është identifikuar dhe po vijojnë kontrollet për kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Kurbin/Informacion paraprak. Rreth orës 16:25, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri në dorë, në rrethana ende të paqarta.

50-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.