ITALI- Vetëvrasja e një emigranti 22 vjeçar në qendrën e riatdhesimit Ponte Galeria në Romë ka shkaktuar trazira në kampin e azilkërkuesve të cilët u ngritën në protesta kundër kushteve të jetesës.
Mediat italiane shkruajnë se i riu nga Guinea u gjet i vetëvarur dhomën ku qëndronte, ndërsa para aktit të rëndë kishte shkruar edhe një letër mallëngjyese ku kërkonte që trupi i tij të dërgohet në Afrikë pranë nënës së tij.
“Ushtria italiane nuk kupton asgjë përveç parave, më mungon shumë Afrika dhe nëna ime, ajo nuk duhet të qajë për mua”- ka shkruar 22 vjeçari në letrën e fundit.
Kjo ngjarje ka shkaktuar përplasje të azilkërkuesve me policinë. Disa prej tyre u përpoqën të thyenin një prej dyerve të hekurit, hodhën gurë drejt stafit të qendrës së riatdhesimit dhe tentuan t’i vinin flakën një makine. Për pasojë nga përplasjet, mbetën të plagosur 2 karabinierë dhe një oficer ushtrie.
Më pas situata u rikthye në normalitet. Në trazira morën pjesë rreth 60 protestues.