“Njerëz të mirë, të ndershëm. Njerëz që punojnë, që ndihmojnë të tjerët.” Në Porcari, ku një kaldajë me defekt i mori jetën familjes shqiptare, të gjithë flasin kështu për familjen Kola. Një tragjedi që ka tronditur thellë qytetin.
Arti Kola, 48 vjeç, i lindur në Shqipëri, kishte mbërritur në Itali rreth dhjetë vite më parë nga Greqia. Më pas kishte marrë me vete bashkëshorten Jonida, 48 vjeçe, djalin Hajdar, 22 vjeç, dhe vajzën Xhesika, 15 vjeçe.
Ajo, më e vogla, shkruante poezi. Poezi që, shpjegon Gioia Giuliani, drejtoreshë e shkollës së mesme në Camigliano, “shoqet dhe shokët e klasës po i mbledhin. Xhesika, siç e thërrisnim ne, ishte një vajzë shumë e ëmbël, që po ndiqte rrugëtimin e saj shkollor me pasion dhe përkushtim”.
Shkruante, ashtu siç ndoshta bëjnë ende shumë adoleshente, dhe kishte një ëndërr të fshehur.
“Donte të bëhej parukiere, ashtu si një kushërirë e saj që jeton në Padova”, thotë tezja e saj Mira, e cila nuk arrin të ndalë lotët.
Hajdari ishte “një djalë jashtëzakonisht i mirë dhe një punëtor i madh. Flisnim shpesh dhe nuk kishte tjetër synim veçse të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij”, rrëfen kushëriri Durim, i cili mbërriti këtë mëngjes nga Modena sapo mori vesh për tragjedinë.
I riu, që kishte studiuar edhe hidraulikë në një institut të mesëm në Lucca, punonte si elektricist në një kompani të zonës. “Kurrë vonesë, kurrë justifikime. Një djalë i përpiktë, një punëtor i kohëve të tjera”, tregon një koleg i tij.
Arti punonte si piktor. “Kishin ardhur në lagjen Rughi, ku banonin, vetëm prej pak muajsh. Më parë jetonin në një zonë tjetër të Porcarit, shpjegon një fqinj. Shtëpinë e kishin blerë tre vite më parë dhe dalëngadalë po e restauronin: ishte pothuajse gati. Arti ishte një njeri i mirë, që kujdesej për të tjerët”.
Jonida ishte shtëpiake dhe ia kishte kushtuar jetën familjes. “Vinte të blinte bukë çdo ditë dhe ishte një person shumë i sjellshëm: kurrë një fjalë polemike, por gjithmonë një buzëqeshje për të gjithë”, e përshkruan pronarja e dyqanit që ndodhet pothuajse përballë shtëpisë së tragjedisë.
Një tragjedi që godet një komunitet që nuk ka harruar një precedent dramatik: 34 vite më parë, një tjetër familje prej katër personash u shua gjithashtu nga monoksidi i karbonit./Corriere della Sera
Lajmi kryesor:
Tragjike në Itali/ Shuhet familja shqiptare me katër anëtarë, vdesin pas helmimit nga rrjedhja e gazit në kaldajë! Xhaxhai në gjendje të rëndë









