Komuniteti shqiptar në Rimini është tronditur nga vdekja tragjike e Saim Myrtajt, 59-vjeçarit shqiptar që humbi jetën pasi u rrëzua nga një skelë në një kantier ndërtimi në rrugën Coletti.
Myrtaji kishte ndërtuar prej vitesh jetën e tij në Rimini, ku kishte ardhur rreth fillimit të viteve 2000. Ai kishte punuar për një kohë të gjatë në sektorin e ndërtimit si murator dhe, falë përvojës së fituar ndër vite, kishte krijuar edhe aktivitetin e tij.
Pas ngjarjes së rëndë, shoqata Agimi Rimini ka shprehur publikisht dhimbjen për humbjen e bashkatdhetarit dhe solidaritetin me familjen e tij.
“Saimi ishte njëri prej nesh, një person që prej shumë vitesh kishte ndërtuar këtu jetën e tij përmes punës dhe familjes. Vdekja e tij na prek thellë dhe në këtë moment i gjithë komuniteti ynë qëndron pranë familjarëve të tij”, thuhet në mesazhin e shoqatës.
Sipas komunitetit shqiptar, pas kësaj tragjedie qëndron historia e një njeriu, bashkëshorti dhe babai, i cili kishte kaluar vite të tëra duke punuar dhe duke ndërtuar jetën e tij në Itali.
“Për ne kjo nuk është thjesht lajmi i radhës për një vdekje në vendin e punës: është humbja e një personi që i përkiste komunitetit tonë”, thekson më tej Agimi Rimini.
Saim Myrtaji la pas bashkëshorten dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Pas lajmit të tragjedisë, shumë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Rimini janë solidarizuar me familjen, duke shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre në këto momente të vështira.











Komente
Komento