Më 15 gusht, në Giuzamo të Italisë, një 29-vjeçar shqiptar u gjymtua në këmbë me armë zjarri nga tre persona, pjesë e bandave rivale të prostitucionit, ndërsa sot është arratisur nga spitali ku ndodhej i shtruar. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat italiane, përkatësisht “Monza.it”.
 
29­-vjeçarit shqiptar, me precedentë në shfrytëzimin e prostitucionit, iu bë pritë në një rrugë në Giuzamo nga një automjet me tre persona.
 
Këta të fundit kanë nxjerrë armët dhe e kanë qëlluar në këmbë duke e lënë të gjymtuar.
 
Pas njoftimit për ngjarjen, ai u dërgua menjëherë në spital nga policia italiane dhe më pas do të dërgohej në qeli.
 
Ndërsa ditën e sotme, shqiptari ka mundur të arratiset nga spitali. Policia italiane është vënë në ndjekje të tij dhe të të dashurës, e cila e shoqëroi në spital.
 
Policia dyshon se plagosja e shqiptarit ka të bëjë me rivalitetin në fushën e shfrytëzimi të prostitucionit.
 
Kronologjia e ngjarjes sipas mediave italiane
Më 15 gusht rreth orës 23:30, një automjet me tre persona ka hapur zjarr ndaj shqiptarit, i cili është me precedent penal për shfrytëzim prostitucioni.
 
Mësohet se shqiptari ka marrë plagë të rënda në njërën këmbë. Ky i fundit ka rrëfyer sse është qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. Ai ka thënë se nuk njihte asnjë prej autorëve.
 
Por, policia dyshon se shkak i sulmit mund të jetë rivaliteti i bandave që shfrytëzojnë prostitucionin.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)