Itali- Karabinierët e Lugos arrestuan dje (14 Dhjetor) një shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapja erdhi pas patrullimeve të shtuara në zonë, për shkak të problematikës së bandave të vjedhjeve në biznese dhe banesa, i kthyer në shqetësim qytetar.
Përgjatë rrugës shtetërore SS610, në afërsi të komunës Conselice, efektivët pikasën një makinë me motor të madh, duke kryer manovra të rrezikshme. Shoferi nuk iu përgjigj thirrjes për të ndaluar, duke e kthyer situatën në një skenë si në filma, me ndjekje të rrezikshme në rrugët e qytetit.
Brenda mjetit kanë qenë të paktën 3 persona, që e braktisën pranë varrezave të Conselices dhe janë larguar në këmbë, drejt arave bujqësore ngjitur.
Ata kapën vetëm shoferin, që duket se ngeci nëpër baltën dhe kanalet e zonës. 42-vjeçari me origjinë shqiptare ka tentuar sërish të arratiset, duke goditur me shqelma dhe grushte efektivët, por më kot.
Pas identifikimit me foto, nga shenjat e gishtave të tij rezultoi se ndaj tij kishte masë “arrest me burg” nga Gjykata e Apelit të Romës, bazuar në një urdhër-arresti ndërkombëtar, i lëshuar nga Gjermania, pasi duhet të vuajë një dënim prej 5 vjet e 11 muaj burg, për 17 vjedhje banesash të kryera në atë shtet. Shqiptari u izolua në Burgun e Ravena, në pritje të procedurave dhe vuajtjes së dënimit.
Brenda makinës u gjetën pajisje dhe sende të vjedhura, mjete hidraulike që shërbenin për bastisje, valutë në euro, lekë dhe kineze, gurë të çmuar si rubellit dhe tanzanit, që kanë vlerë të lartë në tregun e argjendarive dhe që shkojnë të paktën 10 mijë euro. Materiali dhe malli i dyshuar i vjedhur i gjetur u sekuestrua, si dhe mjeti i përdorur për arratisjen, informon media italiane.
Aktualisht po vijojnë kërkimet për bashkëpunëtorët e shqiptarit, që besohet se janë pjesë e një bande skifterësh.