ITALI - 7 kilogramë heroinë dhe nëntë të arrestuar, ku 5 prej tyre janë shqiptarë, ky është bilanci i operacionit antidrogë të policisë italiane në qytetin e Modenas.

Pas një pune disamujore hetimi, karabinierët e Modenas kanë rënë në gjurmët e kreut të kësaj organizate, i cili ishte 32-vjeçari Burhan Tafa. Tafa menaxhonte shpërndarjen e heroinës në qytetet kryesore të veriut të Italisë. Droga paketohej në doza shitje për klientët me vlerë 60 euro për dozë.

Droga vinte nga Tunizia dhe Rumania dhe pasi i kalonte organizatës shqiptare, transportohej e fshehur në automjete dhe kamion me rrugë detare drejt Italisë, e më pas i dorëzohej Burhan Tafës për ta nxjerrë në treg me anë të rrjetit të tij.

Për të humbur gjurmët anëtarët e bandës ndryshonin shpesh numrat e telefonave dhe kodonin bisedat mes tyre, por kanë qenë pamjet filmike të regjistruara nga kuestura e Modenas ato që nuk kanë lënë asnjë dyshim për përfshirjen e kësaj organizate në trafikun ndërkombëtar të drogës.

(eç/shqiptarja.com)