ITALI - Xhulian Rrudho një nga futbollistët që premtonte për një të ardhme të ndritur në futbollin tonë përfaqësues është ndaluar nga policia italiane në Ankona me 150 gramë drogë të tipit kokainë duke përfunduar në prangat e policisë.

25-vjeçari shqiptar nga Lushnja që ka qenë pjesë e ekipeve të Kievos dhe Ankonës është ndaluar nga policia sëbashku me shokun e tij Mimet Zeqirin.

Dy shqiptarët kanë rënë në pranga pas një operacioni të sofistikuar të policisë, e cila ka realizuar kontrolle edhe në banesën e tyre duke gjetur edhe mjetet e përgatitjes së kokainës në doza të caktuara.

Shqiptarët janë ndjekur nga policia italiane, e cila ka mundur t’i arrestojë teksa po zbrisnin nga autobusi. Ata dyshohen se e fshihnin drogën në park dhe më pas e shisnin në zonën e sheshit Ugo Bassit në Ankona.

Rudho ka qenë edhe pjesë e ekipit kombëtar Shpresa ku është ftuar disa herë nga trajneri Artan Bushati kur drejtonte ekipin kombëtar. Rrudho ka spikatur me lojën e tij në pozicionin e sulmit duke tërhequr vëmendjen e shumë menaxherëve pas disa ndeshjeve të bukura me ekipin kuqezi, me Kievon dhe Ankonës. Por në edicionet e fundit lushnjari ka rënë nga forma e tij e dikurshme.

Tashmë Rudho ndodhet në burgun Montacuto dhe pritet që së shpejti të dalë përpara prokurorisë përmasën e arrestit. 25-vjeçari akuzohet për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

Redaksia online
(db/eç/shqiptarja.com)