ITALI - Arrestohet Jetmir Llani, autori i dyshuar për vrasjen e Gentian Shkretës dhe plagosjen e vëllait të tij Emanuel Shkreta.

Llani është arrestuar dy ditë më parë nga policia italiane pasi ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, ndërkohë që mësohet se ka nisur procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Sipas të dhënave të policisë italiane Jetmir Llani është arrestuar në viale Belfiore në qytetin e Firences në makinën e tij të vogël. Në momentin e kapjes 33-vjeçari nuk ka bërë rezistencë, por ka nxjerrë nga portofoli foton e djalit të tij të vrarë duke u thënë policëve: "Ai nuk është më".

Llani akuzohet për ekzekutimin e Gentian Shkretës dhe plagosjen e të vëllait, pas një histori të gjatë hakmarrjes, që ka nisur më 5 qershor, në atentatin që mbeti i vdekur djali i tij 9-vjeçar.

ATENTATI I VELLEZERVE SHKRETA ATY KU U VRA 9-VJEÇARI
Zinxhiri i hakmarrjes mes familjes Shkreta e Llani në Fushë Mamurras deri tani ka marrë tre jetë brenda 6 muajsh. Pa kaluar 24 orë nga apeli i nënës, dy djemtë e saj u bënë pre e një atentati të ndodhur pasdite e 4 nëntorit, kur vëllezërit Gentian dhe Emanuel Shkreta po ktheheshin në shtëpi. Policia thotë se vazhdon kërkimet për arrestimin e të dyshuarve si autorë të atentatit, Jetmir dhe Muharrem Llani. Ky i fundit u bë pre e një atentati nga vëllezërit Shkreta më 5 qershor, ku mbeti i plagosur ai, ndërsa djali i Jetmirit, 9 vjeç u vra.

Policia e Kurbinit deklaroi fillimisht më 4 nëntor se ishte plagosur me armë 20-vjeçari Emanuel Shkreta, ndërsa u theksua se një kufomë ishtë gjetur disa kilometra larg vendit ku u plagos 20-vjecari. Informacionet paraprake të policisë thanë se dy ngjarjet nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Por pas verifikimeve u vërtetua se bëhej fjalë për një atentat ndaj dy vëllezërve Shkreta, si pasojë e të cilit kishte mbetur i vdekur Gentian Shkreta, ndërsa i plagosuri ishte i vëllai, Emanuel Shkreta.

Policia nuk ka sqaruar ende rrethanat përse është gjetur aq larg vendit të ngjarjes ku u njoftua plagosja, trupi pajetë i Gentjan Shkretës, por konfirmohet se kufoma kishte dëmtime të shumta, çka lë dyshime edhe për ndonjë torturim të mundshëm të tij. Trupi i Gentianit është gjetur në vendin e quajtur Ura e Drojës, pikërisht aty ku u është vrarë dhe Indrit Llani më 5 qershor. Ceremonia mortore e Gentian Shkretës u zhvillua paraditen e 5 nëntorit nga të afërm të viktimës. Në ceremoni nuk ka qenë i pranishëm asnjë djalë i familjes Shkreta, pasi dy vëllezërit e tjerë ndodhen në burg për vrasje, ndërsa babai i tyre u vra në Tiranë më 19 korrik. Në familjen Shkreta nuk janë pranuar mediat, ndërsa policia ka mbajtur nën vëzhgim zonën nga larg.

gentian shkreta, emanuel shkreta
(Foto nga vendi ku ndodhi atentati i vëllezërve Shkreta)

SI LINDI HISTORIA E HASMERISE MES DY FISEVE
Gjithçka nis me 5 qershor të këtij viti kur pas një konflikti për motive që cilësohen të dobëta, mes familjeve Llanaj dhe Shkreta, u qëllua për vdekje 9-vjeçari Indrit Llanaj. Sipas policisë, vrasja e fëmijës ndodhi gjatë një atentati me makinë që dy vëllezërit Altin dhe Alban Shkreta i bënë xhaxhait të 9-vjecarit, Muharrem Llanajt në fshatin Shpërdhet të Fushë-Mamurrasit. Njëri prej autorëve të krimit të rëndë, Alban Shkreta u vu në pranga mbrëmjen e 5 qershorit. Rreth një muaj pas vrasjes së 9-vjeçarit u vu në pranga edhe autori tjetër i ngjarjes, Altin Shkreta.

Ndërkaq, mëngjesin e 19 korrikut në Tiranë u vra me armë zjarri në rrugën “Hoxha Tahsim” Mark Shkreta, 71 vjeç, babai i dy vëllezërve të arrestuar. Policia njoftoi në atë kohë se vrasja kishte ndodhur për hakmarrje dhe se autori ishte Jetmir Llanaj, babai i 9-vjeçarit të vrarë më 5 qershor. Vetë Jetmir Llanaj në një intervistë telefonike për A 1 Report, në atë kohë, pat deklaruar se nuk ishte ai autor i krimit dhe se nuk do të qëllonte mbi një plak për të marrë hakun e të birit. Më 19 shtator, 2012 Jetmir Llanaj u vu në pranga në aeroportin e Rinasit, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje, por më pas u la i lirë.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)