PALERMO- Bashkëshorti i eurodeputetes kristiandemokrate në Itali Francesca Donato është gjetur i vrarë brenda makinës së tij. Range Rover, ku ndodhej viktima, ishte parkuar pranë një kaserme të braktisur në periferi të Tommaso Natale në Palermo të Italisë.  

Arkitekti  Angelo Onorato, pronar i një dyqani mobiliesh, ishte një sipërmarrës shumë I njohur në qytet. 

Biznesmeni është gjetur me një shirit plastik në qafë të shtrënguar fort, i cili e ka mbytur dhe këmisha me njolla gjaku. Alarmi është dhënë pasditen e djeshme rreth orës 15:00 nga bashkëshortja e tij e cila me të bijën kishin arritur të gjenin pozicionin e makinës me anë të GPS.

Momentalisht janë dy pista hetimi: Ajo e vrasjes dhe ajo e vetëvrasjes. Do të jetë autopsia që do të përcaktojë nëse sipërmarrësi 55 vjeçar ka plagë të tjera apo jo.

 Ndërkohë avokati i sipërmarrësit ka dorëzuar në polici një letër që 55 vjeçari kishte lënë disa kohë më parë.

“Angelo më tha: Nëse ndodh diçka, dërgoja këtë letër gruas sime” shkruan La Repubblica. 

Eurodeputetja e cila është dhe zv/sekretrarja e Kristiano Demokratëve I ka treguar policisë se kohët e fundit ndihej krejtësisht I dëshpëruar.

Ndërkohë një mik në dëshminë e tij ka deklaruar se sipërmarrësi kishte shumë borxhe.