ITALI- Pas operacionit që zgjati rreth 4 orë, gjendja e ish-kryetarit të PD-së në Itali, Pier Luigi Bersani paraqitet e qëndrueshme. Sipas mjekëve të spitalit të Parmës, gjendja e Bersanit paraqitet e qetë, prognoza është e përcakuar qartë dhe pacienti ka reaguar pozitivisht pas operacionit.
 
Ndërhyrja kirurgjikale filloi rreth orës 18:30 dhe përfundoi afër orës 22:00. Operacioni shërbeu për të mbyllur nëpërmjet një teknike të specializuar, defektin kardiovaskular, një aneurizmë në arterien cerebrale.
 
“Në orët në vijim do të bëjmë një kontroll të plotë. Për momentin është ende herët që të shprehemi me bindje absolute, por prognoza mbetet në vëzhgim dhe do të na duhet të presim 72 orë. Në këtë situatë ne jemi të vëmendshëm 24 orë në 24”, u shpreh Giombelli.
 
Hemoragjitë ndahen në shkallë nga 1 tek katra, dhe në rastin e Bersanit ishte në gradën e 3-të. Dëmet neurologjike ndahen në pesë shkallë, dhe në këtë rast gjendja e Bersanit ishte në gradën e dytë.

BERSANI HEMORAGJI CEREBRALE, PËRFUNDON OPERACIONI 4 ORËSH
Ish-kryetari i PD-së në Itali, Pier Luigi Bersani që prej orës 18:00-22:00 i është nënshtruar një operacioni pas një hemoragjie në tru. Rreth mesnatës pritet që mjekët të japin shpjegime mbi ecurinë e tij.

Bersani, 62 vjeç u ndje fillimisht keq në shtëpinë e tij në Piacenza e një orë më pas u shtrua në spitalin Maggiore të Parmas në repartin e Neurologjisë rreth orës 11 të ditës së diel. Ai u shoqërua nga bashkëshortja dhe i vëllai mjek. E megjithatë, pavarësisht të vjellave, Bersani vazhdimisht ka qenë në gjendje të vetëdijshme.

Menjëherë pas përhapjes së lajmit për shtrimin e Bersanit në Parma kanë mbërritur me qindra telefonata nga ana e qytetarëve, që kërkonin të dinin për gjendjen e tij shëndetësore, bën të ditur Ansa.
 
"Një përqafim të fortë për Pier Luigi Bersani-n" shkruan Matteo Renzi në Twitter. Shumë të tjerë në Twitter inkurajojnë Bersanin ta kapërcejë këtë moment të vështirë. "Një mendim dhe një përqafim për Pier Luigi Bersani, forca!" shkruan në sitin e mikroblogjeve presidenti i Sentatit, Pietro Grasso.

Maurizio Gasparri shprehet: "Solidaritet total me Bersanin vjen nga terreni e nga militantët. Secili ka idetë e tij, por vlerësimi është për një politikan të vërtetë e jo ata me maska". "I dashur Pier Luigi Bersani të jam shpirtërisht afër. Forca!!!" shkruan zv/kryeministri  Angelino Alfano.

Redaksia Online
(erin dini/e.s/mag/shqiptarja.com)