ITALI- Një 28-vjeçare shqiptare është ngjitur mbi çatinë e godinës ku jetonte në përpjekje për t’i shpëtuar ish-burrit të saj, i cili po e ndiqte me një sëpatë në dorë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00 në Pistoia në Itali.
 
Edhe pse e plagosur, 28-vjeçarja ka arritur të përshkojë disa metra mbi parvaz, por është arritur nga ish-bashkëshorti, i cili e ka shtyrë, dhe si pasojë ajo është rrëzuar poshtë.
 
Kështu mendohet se ka ndodhur ngjarja sipas policisë italiane, e cila është bazuar tek dëshmia e njërit prej fqinjëve, i cili ka qenë duke punuar në kopshtin e tij në momentin e ngjarjes.
 
Si pasojë e rrëzimit nga çatia prej disa metrash lartësi, 28-vjeçarja shqiptare ka marrë dëmtime serioze, ndërsa është dërguar me urgjencë në spitalin e Careggi-t në gjendje të rëndë shëndetësore.
 
Ndërkaq, policia ka arrestuar ish-bashkëshortin e saj, i cili është gjithashtu shqiptar.
 
Mësohet se gruaja e ndarë nga bashkëshorti i saj, jetonte bashkë me tre fëmijët (më i madhi 4 vjeç) në një dhomë të marrë me qira, tek një godinë që më parë ka funksionuar si fabrikë.
 
Sipas policisë, mëngjesin e sotëm, ish-bashkëshorti i saj, ka shkuar në shtëpinë e tyre, dhe pasi janë konfliktuar, ai ka e ka kërcënuar 28-vjeçaren me sëpate, duke e plagosur në shpatullën e majtë.