Një përplasje e armatosur mes dy grupeve kriminale ndodhur mesditën e se enjtes në një lokal në hyrje të qytetit të Kavajës, ka lënë të vdekur një kalimtar të rastësishëm i cili sapo kishte blerë bukë, si dhe shtatë të plagosur. Sherri i dhunshëm që degjeneroi në përdorimin e armëve me breshëri, dyshohet të ketë motiv konfliktin për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës, megjithatë vijojnë hetimet. Në ngjarje janë përfshirë dy grupe vëlllezërish Hyka e Dedej nga njëra anë dhe vëllezërit Aliu në krahun tjetër.

Vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, ndodheshin në lokalin e tyre (të Dedejve) për tu sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Janë përplasur fillimisht me grushte dhe më pas kanë nxjerrë armët duke qëlluar me të paktën 15 plumba kundër njëri-tjetrit.

Sipas policisë, nga të shtënat e Marjus Aliut mbeti i vdekur kalimtari i rastësishëm, 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë.

Të plagosur mbetën: Vëllezërit e përfshirë në konflikt Rustem dhe Elton Dedej, që aktualisht ndodhen në Spitalin e Durrësit. Ata dyshohet të mos kenë qëlluar me armë, dhe përplasja e armatosur  të jetë bërë mes vëllëzërve Hyka dhe Aliu. I plagosur mbeti edhe vetë Marjus Aliu, i cili është qëlluar nga vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka.

Po ashtu, plumbat kapën edhe dy persona të tjerë të rastësishëm. Sali Mekja, pronar i një lokali tjetër përball vendit ku ndodhi përplasja po qëndronte në lokalin e tij me një mik, Arben Ajdini, kur të dy i kapën plumbat. Policia tha zyrtarisht se të plagosur mbetën 5 persona, por gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra, raporton se në Spitalin e Durrësit kanë mbërritur 7 persona të plagosur si pasojë e shkëmbimit të zjarrit.

I vetmi i arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë, është Marjus Aliu, i cili është prangosur në spital ku ndodhet i plagosur. Vëllai i tij Denis Aliu është shpallur në kërkim policor, së bashku me vëllezërit e krahut tjetër, Eraldo e Elio Hyka. Sipas gazetarit Artur Korriku, zënka mes të rinjve kishte nisur mbrëmjen e kaluar. Sot paradite vëllezërit Dedej kanë rrahur Denis Aliun dhe një orë më pas e kishin lënë për t'u sqaruar në një lokal në hyrje të Kavajës pranë një furre buke, ku ndodhi edhe përplasja e armatosur. Ngjarja ka tronditur qytetin e Kavajës, pasi skena ka qenë e denjë për filma me përplasjen me armë zjarri në mes të ditës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:07
Kush ishte kalimtari që u vra pasi bleu bukë në përplasjen e armatosur në Kavajë/ Familja e babait të 3 fëmijëve hap dyert e mortit

1562268323_shtepiaeramazanhasalliu.jpg

Shtëpia e Ramazan Hasalliut

Ramazan Hasalliu, rreth 50 vjeç mbeti viktimë e shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve kriminale në Kavajë, ku sapo kishte blerë bukë dhe po kthehej në shtëpi. Hasalliu, baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali, kishte më shumë se 40 vjet që jetonte në Kavajë. Vitet e fundit ai punonte roje nate në një biznes private. Ramazan Hasalliu sapo kishte blerë bukë në një furrë buke rreth 10 minuta larg lokalit ku ndodhi përplasja e armatosur, kur mori një plumb teksa kaloi në rrugën aty pranë.

1562267366_furraebukeskavaje.jpg

Furra pranë lokalit ku ndodhi përplasja

Ndërkohë furra e bukës shumë pranë lokalit, aty ku u qëllua Hasalliu, (por jo ajo ku 50-vjeçari kishte blerë bukën) është një biznes i falimentuar, i mbyllur prej kohësh, dhe për ironi i fatit, i vetmi biznes aty pranë që kishte kamera sigurie.

Banorët e zonës e quajnë një fatkeqësi të madhe, dhe thonë se 50-vjeçari Hasanliu ishte një njeri i qetë dhe pa konflikte.

Pas tragjedisë, familja Hasalliu ka hapur dyert e mortit ndërsa nuk pranuan të prononcoheshin për mediat. Edhe vëllezërit e përfshirë në ngjarje nga dy grupe të ndryshme, vëllezërit Haka dhe Dedeja nga njëra anë dhe dy vëllezërit Aliu nga krahu tjetër, i kishin shtëpitë pranë lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë.

Ora 17:51
U vra me bukë në dorë/ Fqinji: Ishte njeri i përsosur në çdo drejtim

Një banor nga Kavaja i cili kishte njohje me Ramazan Hasanliun, 50-vjeçarin që mbeti i vdekur nga përplasja mes tre grupeve mes dy grupeve kriminale, në hyrje të qytetit të Kavajës thotë se ai ishte i ndërgjegjshëm dhe një njeri i përsosur në çdo drejtim.

"Shumë fatkeqësie e rëndë për fëmijët e tij. Shumë njeri i pastër, i ndërgjegjshëm dhe njeri i përsosur në çdo drejtim në jetën familjare të tij", shprehet banori.

Ora 16:13
Kavajë/Lufta mes bandave i mori jetën padrejtësisht, familja Hasalliu hap dyert e mortit (FOTO)

Sot "lufta" mes bandave për drogën, i mori jetën një kalimtari të rastësishëm, i cili ndodhej në rrugë pasi kishte shkuar për të blerë bukë, bukë të cilën askush nuk mundi ta konsumonte sepse Ramazan Hasalliu, kryefamiljari nuk u kthye më në shtëpi. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra ka qenë në shtëpinë e 50-vjeçarit, ku familja ka hapur dyert e mortit.

Ora 15:48
Skena e krimit dhe makinat e vëllezërve që u përplasën me armë në Kavajë (VIDEO)

Report Tv sjell pamje të reja nga vendi i ngjarjes në lokalin ku ndodhi përplasja në lagjen nr. 2 te stacioni hekurudhor në Kavajë. Vëllezërit Hyka dhe Dedej ishin takuar në lokal për t'u sqaruar me vëllezërit Aliu, ndërsa më pas sherri degjeneroi në përplasje me armë zjarri. Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar, pamjet e të cilëve i sjell Report Tv dhe shenjat e plumbave, që i kapën nga përplasja me armë. Ndërsa janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë.

Ora 14:46
Del fotoja e njërit prej dy vëllezërve të tjerë që terrorizuan Kavajën

1562244543_1562244505denisaliaj.jpg
Zbulohen edhe emrat e dy vëllezërve të tjere ne Kavaje qe u perfshin ne perplasjen me arme zjarri, Marius Aliu dhe Denis Aliu, foton e të cilit e ka siguruar Report Tv. Marius Aliaj, mbahet në ruajtje nga shërbimet e policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur, ndërsa Denis Aliu është në kërkim dhe po punohet për arrestimin e tij. Vëllerëzit Aliu u konfliktuan me ata Dedej dhe Hyka.

Ora 14:32
Lufta në Kavajë, policia: Autorët e tjerë të ngjarjes janë dy vëllezërit Aliu, një i vdekur, 5 të plagosur (VIDEO)


Policia e Durrësit njofton se autorët e tjerë të ngjarjes janë dy vëllezërit Marius Aliu, që ka mbetur i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit dhe Denis Aliu, që është në kërkim. Lidhur me ngjarjen, ku mbeti një i vdekur, Ramazan Hasalliu dhe 5 të plagosur, sipas policisë, janë shoqëruar disa persona.  

Informacioni zyrtar nga policia
Sot rreth orës 12:30 në lagjen nr. 2 Kavajë, pas një konflikti mes disa personave, ka mbetur i vrarë shtetasi Ramazan Hasalliu, (kalimtar i rastit) dhe kanë mbetur të plagosur 5 shtetas, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe janë vënë në ndjekje të njërit prej tyre.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes u ngrit menjëherë një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit dhe nga veprimet paraprake dyshohet se autorët e ngjarjes janë dy vëllezër, Marius Aliu dhe Denis Aliu. Marius Aliu autori i dyshuar, mbahet në ruajtje nga shërbimet e Policisë në spitalin e Durrësit, pasi është i plagosur. Policia është vënë në ndjekje të autorit tjetër, Denis Aliu dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Policia ka bllokuar dy automjete që u përkasin pjesëtarëve të palëve që janë konfliktuar. Janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë disa persona dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ora 14:16
Lufta në Kavajë, gjashtë nga të plagosurit në spitalin e Durrësit (VIDEO)

Gjashtë nga të plagosurit nga lufta mes bandave në Kavajë ndodhen në spitalin e Durrësit për mjekim, ndërsa i shtati u transportua në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje më të rëndë. Ata raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Report Tv sjell pamjet nga spitali i Durrësit ku kanë shkuar edhe familjarët e të plagosurve.

Ora 14:02
Skenë e rëndë në Kavajë, buka që 50-vjeçari nuk arriti ta konsumonte, pasi i morën jetën plumbat (FOTO+VIDEO)

Ramazan Hasalliu ishte duke blerë bukë mesditën e sotme në Kavajë kur u qëllua me armë zjarri për vdekje nga lufta mes bandave, që la edhe shtatë të plagosur. Report Tv sjell pamjet nga furra ku 50-vjeçari mori bukën, pranë së cilës ndodhi ngjarja, ndërsa u qëllua për vdekje. Një skenë e trishtë nga Kavaja, një detaj i dhimbshëm, ku duket edhe qesja e bukës në tokë, që Hasalliu nuk arriti që të konsumonte, pasi plumbat i morën jetën.

Ora 13:44
Lufta në Kavajë, ja dy vëllezërit që qëlluan me breshëri (EMRAT+Foto)

Elio dhe Eraldo Hyka

Në përplasjen me armë zjarri që ndodhi sot në Kavajë u përfshinë mes tyre dy vëllezër, Eraldo dhe Elio Hyka, të cilët qëlluan me armë zjarri. Report Tv siguron fotot e Eraldo dhe Elio Hykës. Një nga dy vellezerit qe jane ne kerkim, sikur duket edhe nga fotot qe kane publikuar ne rrjetet sociale eshte militant i PD-se, ndersa eshte shoqeruar Marjus Aliaj. 

Ora 13:34
Lufta në Kavajë, zbulohet emri i autorit, në përplasje u përfshi edhe vëllai (FOTO)

Në përplasjen me armë zjarri sot në Kavajë janë përfshirë nga njëra anë dy vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka përballë grupit tjetër. Eraldo Hyka 22-vjeç nga te dhenat e para u raportua se eshte arestuar. 

Ora 13:24
Identifikohet viktima në Kavajë, ishte duke blerë bukë kur u vra, dalin edhe emrat e të plagosurve dhe autorit


Identifikohet viktima në Kavajë. Ai është Ramazan Hasalliu 50-vjeç, ndërsa në momentin që e kanë kapur plumbat nga shkëmbimi i zjarrit mes bandave ka qenë duke blerë bukë. Tre nga shtatë të plagosurit janë; Sali Mekja, Rustem Dedaj, Arben Ajdini, ndërsa autori është Eraldo Hyka.

Ora 13:15
Lufta në Kavajë/ Pamjet nga vendi i ngjarjes, viktima ende nuk është identifikuar


Report Tv sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku ndodhi përplasja me armë zjarri në Kavajë dhe u vra një kalimtar, ndërsa shtatë të tjerë mbetën të plagosur. Identiteti i viktimës ende nuk dihet, pasi nuk kishte dokument identifikimi me vete.

Ora 13:08
Terrori në Kavajë/ 7 të plagosurit nuk kanë lidhje me ngjarjen, ishin kalimtarë

1562239465_vrasjakavaje.jpg
Shtatë persona janë plagosur me armë zjarri nga shkëmbimi i zjarrit sot në mes të ditës në Kavajë. Gjashtë nga të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i shtati është transportuar në Tiranë në gjendje të rëndë. Sipas gazetarit Artur Korriku, nga informacionet e para mësohet se shtatë të plagosurit, ashtu si viktima nuk kishin lidhje me ngjarjen, pasi ishin kalimtarë të rastit.

Ora 13:02
Rëndohet bilanci i përplasjes me armë në Kavajë, 7 të plagosur (VIDEO)

Gazetari i Report Tv, Artur Korriku raporton se numri i të plagosurve nga shkëmbimi i zjarri ka shkuar në shtatë, gjashtë nga të cilët mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.