1764147854_guardadifinanza.JPG

Marjus Aliu, ndaj të cilit autoritetet italiane kanë vendosur masën "arrest në burg" në kuadër të një operacioni të gjerë anti drogë, del në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019 në Kavajë. Më 4 korrik të atij viti, dy grupe kriminale u përplasën në një lokal në hyrje të qytetit. Plumbat kapën një kalimtar që gjeti vdekjen, ndërsa 7 të tjerë mbetën të plagosur. 

Në përplasje u përfshinë vëllezërit Eraldo dhe Elio Hyka së bashku me Rustem dhe Elton Dedej, gjithashtu vëllezër me njëri-tjetrin, të cilët ndodheshin në lokalin e tyre (të Dedejve) për t'u sqaruar me vëllezërit Marjus dhe Denis Aliu. Sherri i dhunshëm, që degjeneroi me përdorimin e armës, dyshohet se erdhi për shkak të konflikteve për zonën e influencës për shpërndarjen e drogës. 

Nga të shtënat e Marjus Aliut mbeti i vdekur kalimtari 50-vjeçari Ramazan Hasalliu, që sapo kishte dalë nga furra me bukë në dorë. Të plagosur mbetën Vëllezërit e përfshirë në konflikt Rustem dhe Elton Dedej, vetë Marjus Aliu, i cili u qëllua nga vëllezërit Elio dhe Eraldo Hyka. Po ashtu, plumbat kapën edhe dy persona të tjerë të rastësishëm.

Sali Mekja, pronar i një lokali tjetër përball vendit ku ndodhi përplasja po qëndronte në lokalin e tij me një mik, Arben Ajdini, kur të dy i kapën plumbat.


Lajmi kryesor:

Trafikuan 3.5 ton kokainë me vlerë 27 mln € me Ndraghetën, Italia lëshon masë arrest me burg për 6 shqiptarë, mes tyre Artur Hoxhosmani! Lëviznin me Lamborghini (VIDEO)