ITALI – Lo Moro: Ndikimi i mafias te të zgjedhurit lokalë një fenomen alarmant


ROMË, 28 maj /ATSH-AFP/ - Për senatoren e qendrës së djathtë të Kalabrisë dhe ish-gjykatësen, Doris Lo Moro, influenca e mafias te të zgjedhurit lokalë në Itali, 132 prej të cilëve janë vrarë brenda 40 vjetëve, si në Plati në 1985-n, është një fenomen alarmant i rënduar nga kriza.
"Prania e mafias prish shoqërinë, ekonominë dhe moralin e një komuniteti dhe e bën më të dobët, më të dhunshëm. Raporti ynë vë në dukje një shifër bindëse, sipas së cilës gjatë 40 viteve të fundit në Itali, 132 administratorë lokalë, këshilltarë bashkiakë, rajonalë, kryetarë bashkish janë vrarë, tre prej të cilëve gra, sidomos në jug të vendit", deklaroi Lo Moro në një intervistë.
"Intimidimet mund të përfshijnë nga keqinformimi tek kërcënimet në internet, tek bomba ose tek hedhja e raketave. Eshtë pak a shumë e përhapur, por është më e pranishme në jug sesa në veri. Të zgjedhurit lokalë vuajnë gjithashtu nga vetmia, lodhja dhe rezistenca ndaj kësaj dhune bën që shpesh ata të shndërrohen në heronj. Në të gjitha rastet bëhet fjalë për një fenomen alarmant që gjunjëzon administratorët lokalë, një fenomen që rëndohet edhe më tepër nga kriza që po kalon Evropa, dhe Italia gjithashtu që prej disa vjetësh. Kriza ekonomike e ka thelluar hendekun mes qytetarëve dhe institucioneve", thekson ajo.
"Sipas raportit tonë, 87 për qind e akteve të frikësimit të kryera ndaj të zgjedhurve lokalë mbeten të padënuara. Pra, shteti nuk ka dhënë një përgjigje të qartë. Si rrjedhojë, ne kemi paraqitur një projektligj që pritet të sjellë një seri ndryshimesh në Kodin Penal, edhe pse duhet ta pranojmë, legjislacioni penal nuk zgjidh gjithçka. Por, për momentin, si t'i vësh zjarrin makinës së një qytetari, si të djegësh makinën e kryetarit të bashkisë, për Kodin Penal italian është e njëjta gjë. Por, kjo nuk mund të vazhdojë kështu", shton Doris Lo Moro./ /i.pu/ a.jor.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Bulqizë, shoferi humb kontrollin e automjetit dhe përplaset me kollonën e mbikalimit (VIDEO)