Itali,nëna shqiptare vret 3 vajzat
Dëshmia: Nuk ia dilja dot më

Itali,nëna shqiptare vret 3 vajzat<br />Dëshmia: Nuk ia dilja dot më
LECCO - Tragjedi në një familje shqiptare në Lecco të Italisë. Simona 13 vjeç, Kesi 10 vjeç dhe Sindi 3 vjeç, të treja shqiptare janë goditur për vdekje me thikë në banesën e tyre, nga e ëma Edlira Dobrushi, 38 vjeç. Ngjarja ndodhi në orën 06:30 minuta të mëngjesit të sotëm në provincën e Lecco-s në Itali. Forcat e rendit gjetën gruan jashtë shtëpisë me plagë në duar dhe në gjendje shoku. Në komisariat Edlira pranoi vrasjet duke thënë se e bëri për t’u shmangur vajzave të saj një të ardhme të mjerueshme.

Policia ka sekuestruar si provë edhe një thikë të madhe kuzhine, që mendohet se është arma e krimit. Gjithashtu mësohet se një person, i afërm i familjes është shoqëruar për në polici për t'u pyetur në lidhje me ngjarjen e rëndë.
 
Gruaja së bashku me fëmijët e saj merrnin ndihma financiare nga organizata humanitare Caritas për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.
 
Babai i vajzave, Bashkim Dobrushi, me origjinë nga Kukësi ishte nisur gjatë ditës së shtunë për në Shqipëri. Ai morri vesh për vrasjen e vajzave të tij sapo zbriti në portin e Durrësit nga forcat e policisë që e prisnin. Çifti i shqiptarëve ishte divorcuar gjatë muajit shkurt.
Lidhur me ngjarjen foli dhe ministri i brendshëm italian Angelino Alfano i cili tha se përgjegjësja i këtij krimi makabër do të dënohet me burgim të përjetshëm.
 
Ndërkohë vëllai i Bashkim Dobrushit, Hamiti tha se familja e tij është e tronditur nga ngjarja e rëndë. Sipas tij Bashkimi dhe Edlira shkonin mirë me njëri-tjetrin, deri para dy muajsh kur u ndanë. Hamiti shtoi se vëllai i tij ishte në gjendje të vështirë ekonomike.

ORA 18:30 NENA E EDLIRËS: ÇIFTI KISHTE PROBLEME PREJ KOHËSH
Nëna e Edlira Dobrushit, Atlije Çopa, pohon për “A1 Report” se çifti prej kohësh kishte probleme, ndërsa shton se Bashkimi kishte lidhje me 25-vjeçare nga Kukësi, çka po e çonte marrëdhënien e tij me Edlirën drejt rrënimit. Ndërsa i referohet edhe disa grindjeve në çifti pas blerjes së një trualli në Rrashbull.

“U nda njëherë nga burri dhe erdhën këtu në Shqipëri. I thashë të mos ziheshin për një copë shtëpi. Ajo ka punuar 14 vjet në Itali dhe më pas solli 20 mijë euro këtu e bleu një shtëpi në Rrushbull. Ata ja zaptuan këtë truall. I tha goca në verën e vitit të shkuar kur erdhi më lini të hedh themelet, të bëj shtëpinë time. Nuk u la në emër të këtij, e bënin sherr, dua shpi s’dua shpi. E kshu plaku ja la në emër të Petritit, kunatit. Petriti tha që do blejmë një hyrje për Edlirën por ajo thoshte që nuk kam ç’e dua se kam tokën ku ka hedhur lekët. Ajo thoshte që ka punuar në borë e shi madje që ka qenë dhe shtatzënë dhe e pati humbur një fëmijë atëherë”, rrëfen Atlije Çopa.

ORA 16:15 FLET XHAXHAI I 3 FËMIJËVE: JEMI TË TRONDITUR, FAMILJA NË GJENDJE TË MIRË EKONOMIKE
Flet për “A1 Report” vëllai i babait të 3 vajzave të vrara sot në Itali, Hamid Dobrushi nga Durrësi. Ai mohon që familja të ketë qenë në gjendje të keqe ekonomike.
Hamid Dobrushi thotë se vëllai i tij, Bashkim Dobrushi ka qenë njëri i qetë dhe nuk ka pasur konflikte me ish-gruan e tij. Familja prej 15 vjetësh jetonte në Itali dhe para dy muajsh Edlira dhe Bashkimi i dhanë fund martesës së tyre.

Për nënën e 3 vajzave të mitura, vëllai i Bashkimit tregon se ka qenë një grua e mirë. Ndërsa sa i përket shkakut që dyshohet se e çoi gruan në vrasjen e 3 vajzave të saj, Hamidi thotë: "Ishte familje me gjendje relativisht të mirë ekonomike.”

“Jemi tetë vëllezër. Bashkimi ka qenë njeri shumë i qetë. Ne nuk kishim konflikte. Jemi të tronditur, këtë gjë nuk e prisnim. Edlirën e dimë për grua të mirë dhe ne kishim marrëdhënie të mira me të. Vëllai im dhe ajo shkonin mirë me njëra-tjetrën”, tregon ai për “A1 Report” nga Durrësi.

ORA 13:23 IDENTIFIKOHEN 3 VAJZAT E VRARA DHE NËNA E TYRE
Policia italiane ka bërë të ditur identitetin e 3 vajzave që u vranë nga nëna e tyre. Siç shkruan La Stampa, autore e krimit makabër është Edlia Dobrushi, 37 vjeç, që jetonte prej vitesh në Itali. Ndërkaq viktima të sulmit me armë nga nëna e tyre janë: Simona Dobrushi, 14 vjeç,  Kesi Dobrushi, 10 vjeç dhe Sindi Dobrushi 3 vjeç.
 
Ndërkaq mësohet se babai i vajzave të mitura dhe ish-bashkëshorti, Bashkim Dobrushi kishte ardhur në Shqipëri mëngjesin e sotëm me një traget të linjës së Barit.

AUTORE E DYSHUAR E KRIMIT
Edlira Dobrushi, 37 vjeç
 
VIKTIMAT
Simona Dobrushi, 14 vjeç
Kesi Dobrushi, 10 vjeç
Sindi Dobrushi, 3 vjeç

ORA 12:18 MINISTRI ALFANO: “VRASESIN DO E LEME NE BURG DERI NE FUND TE JETES”
Ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Lecco. Duke folur për "Sky Tg24", ai ka folur për vrasje dhe ka thënë se, “nuk do lëmë të lirë vrasësin. do e lëmë në burg për gjithë jetën”.
“Përpara dramës së lajmit për vrasjen e tre fëmijëve të vegjël në Leko, me duhet të them se nuk do lëmë të lirë njeri, ai i cili ka kryer këtë krim”, ka thënë Alfano për "Sky Tg24".

ORA 12:04 SHQIPTARJA PRANON KRIMIN, “JAM E VARFËR DHE E VETME, NUK IA DILJA DOT MË”
Nëna 37-vjeçare ka pranuan nën shok se ajo ishte përgjegjëse për krimin. "Jam e vetme, nuk më ndihmonte njeri. Nuk ia dilja dot më”, janë fjalët që ka thënë 37-vjeçarja shqiptare për mjekët që mbërritën të parët në vendin e ngjarjes. Fillimisht gjendja e saj ka qenë e rëndë por më pas është stabilizuar dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

ORA 11:44 POLICIA RINDËRTON SKENËN E KRIMIT
Policia italiane ka rindërtuar skenën e krimit horror. Sipas tyre, 37-vjeçarja shqiptare ka vrarë fillimisht tre vajzat e saj mëngjesin e së dielës. Më pas ajo ka tentuar që të vrasë veten gjë që nuk e ka arritur plotësisht, por ajo ndodhet në gjendje të rëndë.

banesa itali
(Në foto: Banesa e familjes shqiptare në Itali ku ndodhi tragjedia) Foto të tjera

ORA 11:27 E VETME, E BRAKTISUR DHE E VARFËR
Kjo tragjedi e “varfërisë”, ka ndodhur në banesën e shqiptares në periferi të Leccos. Gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti dhe jetonte me tre vajzat e saj të mitura në varfëri ekstreme dhe familjen e ndihmonte Caritasi lokal. Për vajzat e mitura nuk ka pasur asnjë gjë për të bërë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë që janë duke bërë hetimet.

Vajzat itali
(Në foto: Tre vajzat të cilat ndërruan jetë sot në Itali)

ORA 10:07 TRAGJEDI NE FAMILJEN SHQIPTARE, NENA VRET TRE VAJZAT
Tragjedi në një familje shqiptare në Lecco të Italisë. Njw nënë shqiptare 37 vjeçe ka vrarë me thikë tre fëmijët e saj të vegjël të moshës 14, 11 dhe 4 vjeçe, ndërsa vetë ajo është plagosur me thikë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 06:30 minuta të mëngjesit të sotëm. Policia ka sekuestruar si provë edhe një thikë të madhe kuzhine, që mendohet se është arma e krimit.

Ende nuk dihet shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por mendohet se janë kushtet e rënda ekonomike të familjes. Shqiptarja ishte e ndarë nga bashkëshorti prej disa kohësh.

Policia italiane është vënë në kërkim të ish-bashkëshortit të shqiptares, të cilët ishin ndarë prej kohësh. Siç raporton gazeta “La Provincia di Lecco”, ish-burri është duke u kërkuar më shumë për të dhënë për sqarime.
 
Kanë qenë fqinjët që kanë njoftuar policinë dhe urgjencën në lidhje me ngjarjen e rëndë. Forca të shumta policie kanë mbërritur në banesë. Ende e paqartë është dinamika e ngjarjes, por janë duke u bërë hetime të shumta.
 
Deri më tani mendohet se, fëmijët janë vrarë në dhoma të ndryshme të banesës duke i ikur nënës e cila më pas i kishte vënë në krevatet e tyre. Policia po vazhdon hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

policia italiane
(Në foto: Policia italiane në vendin ku ka ndodhur krimi) Foto të tjera
 
Redaksia online
(e.sh/ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

 Të huajt plazh në Shqipëri pa nisur sezoni! Rrëfejnë ‘sekretet’ pse rekomandojnë Darëzezën

Të huajt plazh në Shqipëri pa nisur sezoni! Rrëfejnë ‘sekretet’ pse rekomandojnë Darëzezën