ITALI - Një shqiptar 52-vjeçar ka humbur jetën në Itali ditën e sotme pasi një ngarkesë me materiale elektrike, me peshë rreth një ton, u shkëput nga vinçi ku ishin ngarkuar dhe e zuri poshtë.
Shqiptari i identifikuar si Nazmi Morina, baba i 4 fëmijëve, humbi jetën sot rreth orës 17:30 teksa punonte në kantierin e shtëpisë së moshuarve Orzivecchi.
Sipas mediave italiane, ai ishte punonjës i Aurora Costruzioni të Orzinuovit dhe po merrej me shkarkimin e disa materialeve energjitike të ngarkuara në vinç, që do të përdoreshin për rikonstruktimit të sistemit elektrik dhe ndriçimit në shtëpinë e të moshuarve.
Në momentin e shkarkimit rripat që mbanin ngarkesën janë shkëputur dhe ngarkesa i ka rënë sipër 52-vjeçarit shqiptar.
Ai u gjet i vdekur nga një koleg i tij, i cili më njoftoi autoritetet.
Prokuroria ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, si dhe zona e kantierit, vinçi dhe materialet e ngarkuara janë tashmë nën sekuestrim.
Me origjinë nga Kosova, Nazmi Morina kishte gati 20 vjet që jetonte në zonën e Breshias, ku dhe kishte ndërtuar një të ardhme dhe një familje. Ai jetonte në Rudiano me gruan dhe 4 fëmijët e tij të vegjël.