ITALI-Fakte dhe informacione rreth shqiptarëve e shqiptareve, po dalin këto ditë nga hetimet e prokurorisë ialiane, në lidhje me trafikimin e vajzave minorene, për t’i shfrytëzuar atje si prostituta. Ashtu siç tashmë dihej fakti se shumica e tutorëve në Itali janë shqiptarë dhe rumunë, zhvillimet e fundit në drejtësinë e shtetit fqinj po nxjerrin në dritë një shtim të ritmit të trafikimit të minoreneve shqiptare, ku ditët e fundit janë regjistruar disa ngjarje të dhimshme, me protagonistë bashkëkombasit tanë. Ndërkaq, një pjesë e këtyre vajzave të trafikuara, nxirren në rrugë me dhunë, ndërsa të tjerat fotografohen lakuriq dhe fotot e tyre hidhen në internet, ku më pas krijohen kontakte telefonike me klientët. Pak kohë më parë DASH lëshoi akuza të forta rreth trafikut njerëzor, kur Shqipëria ishte pjesë e vendeve nën vëzhgim, fakt të cilin e pranoi edhe vetë Kryeminsitri Rama.

“Skllavet” e mitura shqiptare
Një vajzë  shqiptare, 17 vjeçe, u gjet dje teksa ecte e vetmuar nëpër rrugët e Sesto San Giovannit, në Asti, kur u ndalua nga policia. Ajo jetonte vetëm, pa prindër e pa shtëpi. Dje, në Viterbo, u kap një shqiptar që shoqëronte tre prostituta për në “punë”. Aksioni u krye  në qytetin Bassano, nga marshalli Sandro Lo Giudice, në bashkëpunim me kapitenin Antonio Presutti, të cilët e kanë befasuar shqiptarin që ishte në makinë me 3 gra. Një prej tyre ishte e mitur. Ndërkaq, më 5 nëntor, në Peruxhia, u zbulua “tregtia e skllevërve”, pasi u kapën disa gra dhe të mitura që ishin “importuar” nga Shqipëria dhe u hodhën në rrugë.

Policia çliroi një vajzë të mitur nga kthetrat e bandës, që shiste kokainë dhe ofronte performanca seksuale, për të mos u ndalur as para trupave të miturave. Gjithçka zhvillohej në një apartament në rrugën “Cortona”, ku tutori sëbashku me vëllain e tij dhe një prostitutë, mbikëqyrin ambientin, me turne, ditë e natë. Marshali Barucci tha se bandës i’u sekuestrua edhe 100 gramë kokainë, ndërsa anëtarët duhet të përgjigjen për trafikim me qëllim shfrytëzim prostitucioni të të miturve.

“Baby-prostitutat”
“Pak ditë nga skandali i “baby prostitute”, pra “prostitutave-fëmijë”, në Romë , të gjithë bërtasin sesi ka mundësi që kjo të ndodhë, mirëpo mjafton të zbresësh në rrugët e Astit dhe çdo mbrëmje gjen 3 ose 4 minorene që prostituojnë në sytë e të gjithëve”. Kështu u shpreh Alberto Mossino, president i një organizate jofitimprurëse, kundër trafikimit të grave. Kombësia e këtyre vajzave të mitura është nigeriane, shqiptare dhe sllave. Ato thonë se janë 18 vjeçe, frazë e imponuar nga shfrytëzuesit, që nuk duan të rrezikojnë dënimin për shfrytëzim të rënduar të prostitucionit me të mitur, mirëpo ato ende s’kanë mbushur 16 vjeçe dhe mbeten “Lolitat” e preferuara nga klientët.

Vajzat rrinë nga 2 ose 3, në të njëjtin apartament, secila me 5 telefona për të të menaxhuar dhe shumica janë rumune ose shqiptare, mes 16 dhe 17 vjeçe. Ka braziliane që preferojnë ambiente të mbyllura, të ndjekura prej rumuneve dhe shqiptareve që pretendojë se janë ruse, pasi kjo metodë është më e sofistikuar. Midis 60 për qind të aziatikeve janë kineze, që përdorin qendrat e masazheve. Emanuela Costa nga Komiteti për të Drejtat Civile të Prostitutave pranon se: "Unë kam takuar shumë pak njerëz të cilët kanë zgjedhur lirisht që të bëhen prostituta”. Por ajo i këshillon ato vajza që pranojnë se kanë gabuar që  të aplikojnë për ndihmë te Departamenti për Mundësi të Barabarta, pasi vitin e kaluar ka pasur dëmshpërblime me vlerën e 8 milionë eurove.

Minorene në web
Prokurorët në Romë po hetojnë fakte rreth prostitutave minorene që në disa raste e bëjnë këto për të blerë një iPhone ose një çantë firmato. Teknologjitë e reja të komunikimit e kanë bërë  më të lehtë “konsumin” e shërbimeve të ndryshme erotike. Forma e shfrytëzimit të trupit më e përhapur dhe më e lehtë (pa ndërmjetësues) është që nëpërmjet përdorimit të webcam, të aplikuar në PC, apo aparate celularë më të përparuara. Vajza e vogël (e moshës 14 vjeçe) është kontaktuar në Facebook ose Skype dhe pajtohet për shpërblimet financiare që do të marrë nga webet erotike, për performancën virtuale. Më vonë chati bëhet ekskluziv mes vajzës dhe klientit. Çmimet nisin nga 5 deri në 25 euro për 10 minuta performancë. Më tej shkëmbehen adresat dhe numrat e telefonit për takime reale.
 
“Çmimi i artë” për një 16-vjeçare shkon 2 mijë euro
“Përshëndetje, unë jam Stephanie, e re në Romë, e ëmbël dhe po ju pres”. Ky është lajmërimi i një vajze zeshkane, me piercing në kërthizë dhe është 100 për qind e verifikuar, e vërtetë dhe e aprovuar nga “stafi”. Ajo është hungareze, 23 vjeçe dhe mbulon zonën e Vatikanit, 24 orë në 24, 7 ditë në 7. Në faqen e Firences, Klaudia prezantohet “Unë jam thjesht një grua e bukur italiane, jo një kukull plastike, e gjitha natyrale”. Për 45 minuta kërkojnë 120 euro, ndërsa çmimet vërtiten nga 100 deri në 500 euro. Maja arrin deri në 2.000 euro për atë që ofron “çmimin e artë”.

Vajzat e përfshira në këtë rrjet kanë ardhur nga Amerika Latine, e Jugut, Afrika, Europa Lindore, Azia, por ka edhe shumë vajza italiane që kanë rrëshkitur në rrjetet e prostitucionit, si mjet i fundit antikrizë. Operatorët e Fondacionit “Somaschi” në Milano dhe shoqatave Lule, Melarancia, Oltreconfine, të cilat morën pjesë në projektin “Fuoriluogo”, të financuar nga Fondacioni Cariplo, në 3 vjet kanë eksploruar 25 zona në Milano e krahina të tjera dhe më shumë se 100 faqe internet dhe në fund takuan 499 gra. Vetëm 4 kanë dalë krejtësisht nga tregu i seksit të paguar, ndërsa të tjerat ende nuk e kanë gjetur kurajon.

“Më bënë foto nudo sapo shkela në Itali”
Shqiptarja Maria, tani është 19 vjeçe.  Ajo thotë se “Linda e varfër, në moshën 17 vjeçe, u largova për në Itali, me një mik, për të kërkuar punë. Dikush më pagoi shpenzimet e udhëtimit dhe vetëm kur kam ardhur, ata më shpjeguan se çfarë pune do bëja. Ata më fotografuan lakuriq dhe vunë fotot në internet. Isha mbyllur në apartament, ata gjenin klientët. Tani dua të kthehem në Shqipëri, për të harruar gjithçka”. Si Maria janë me dhjetra vajza të mitura që i janë nënshtruar kësaj skllavërie totale në rrugët e qyteteve kryesore italiane, ndërsa policia e prokuroria vijojnë hetimet për zbulimin e rrjeteve të trafikut.

Shkrimi u publikua sot (21.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)