Itali/ Pse u vu nën hetim Meloni? Linja e prokurorëve: Një zgjedhje e detyruar

Itali/ Pse u vu nën hetim Meloni? Linja e prokurorëve: Një zgjedhje e detyruar

Giorgia Meloni

Është pothuajse e sigurt se dosja e hapur nga Prokuroria e Romës nuk do të përfundojë në një proces gjyqësor, pasi çdo gjykim i mundshëm do të duhet të miratohet nga Parlamenti, ku qeveria ka një shumicë të qëndrueshme. Megjithatë, është po aq e sigurt se prokurori Francesco Lo Voi nuk kishte asnjë mundësi tjetër përballë denoncimit të marrë. Sipas interpretimit të tij të ligjit, ai ishte i detyruar të regjistronte të akuzuarit në regjistrin e hetimeve dhe të dërgonte çështjen nr. 3924 të vitit 2025 në Gjykatën e Ministrave. Sipas ligjit, “nuk mund të kryhet asnjë hetim paraprak”, çka për prokurorin nënkupton ndalimin e mbledhjes së provave që mbështesin ose hedhin poshtë akuzën.

Në dokumentacion, përveç shkresës shoqëruese, ndodhet vetëm denoncimi i avokatit Luigi Li Gotti, i cili përmend dy akuza të mundshme: favorizim personal (në favor të gjeneralit libian Najeen Osama Almasri) dhe shpërdorim detyre (për përdorimin e avionit shtetëror për kthimin e tij në Libi). Akuzat janë drejtuar ndaj kryeministres dhe ministrave të Drejtësisë dhe Brendshëm, të cilët vendosën lirimin dhe dorëzimin e Almasrit, si dhe ndaj sekretarit shtetëror me përgjegjësi për shërbimet sekrete, për përdorimin e mjetit të transportit.

Në denoncim përfshihen edhe artikuj gazetash mbi rastin, por në Gjykatën e Ministrave nuk është dërguar asnjë provë tjetër. Madje, as vendimi i Gjykatës së Apelit të Romës, nga i cili del se ministri i Drejtësisë, i informuar për arrestimin e Almasrit nga Digos-i i Torinos më 19 janar dhe një ditë më vonë nga Prokuroria e Përgjithshme e Romës, nuk bëri asnjë veprim për ta mbajtur atë në burg në pritje të dorëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Prokurori nuk e përfshiu këtë vendim në dosje, pasi e konsideroi si një akt formal, hetimi mbi të cilin i takon Gjykatës së Ministrave. Po ashtu, nuk u shqyrtuan komunikimet midis ambasadës italiane në Hagë dhe qeverisë italiane pas lëshimit të urdhrit të arrestit për Almasrin. Pa këto elemente, është e vështirë të vendoset nëse denoncimi i Li Gotti-t është i pabazuar.

Në këtë rast, nuk ka “prokurorë të majtë” të përfshirë, ndërsa ekziston një përplasje mes qeverisë italiane dhe Gjykatës së Hagës pas lirimit të Almasrit, të vendosur nga Gjykata e Apelit, duke theksuar se ishte e domosdoshme një komunikim mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, e cila kërkoi pa sukses një reagim nga ministri. Për këtë arsye, vendimi politik i qeverisë për të mos e dorëzuar Almasrin, i akuzuar për tortura, përdhunime dhe krime lufte nga GJPN, është shndërruar në një akuzë për favorizim në denoncimin e Li Gotti-t.

Sipas ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e Italisë me Gjykatën Ndërkombëtare, bashkëpunimi gjyqësor me Hagën është i detyrueshëm. Për shembull, neni 59 i Statutit të Romës përcakton se “Shteti Pal që ka marrë një kërkesë për arrestim duhet të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për të ndaluar personin në fjalë, në përputhje me legjislacionin e tij kombëtar”.

Në këtë kontekst, për ministrin Nordio ekzistonte edhe mundësia e hetimit për “mosveprim në kryerjen e detyrës”, por kjo nuk është përfshirë në denoncimin e Li Gotti-t. Në vend të kësaj, ai kërkoi që të hetohen vendimet për favorizimin e Almasrit dhe përdorimi i avionit shtetëror për kthimin e tij në Libi. Këto çështje i takojnë Gjykatës së Ministrave, ndërsa çështja e aktit politik – pra, vendimi për të mos e arrestuar Almasrin – mbetet e diskutueshme. Megjithatë, Nordio nuk e ka pohuar zyrtarisht si një akt politik, ndaj edhe kjo do të jetë objekt hetimi.

Një tjetër siguri është se kjo çështje do të rrisë tensionet mes qeverisë dhe prokurorisë së Romës. Sidomos pas raportimeve se një hetim i AISI-t (Agjencia e Sigurisë së Brendshme) mbi shefin e kabinetit të Melonit, Gaetano Caputi, i cili duhej të mbetej sekret, përfundoi në një dosje hetimore dhe u bë publik. Ky zhvillim nuk është pritur mirë në Palazzo Chigi, njësoj si njoftimi që iu dorëzua dje kryeministres./Corriere Della Sera

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

DETAJE nga operacioni/ Dy të arrestuarit ndiqeshin prej një muaji, Metaj i proceduar për pengmarrje më 2013 dhe dhunë në familje e kanosje më 2020-2021

DETAJE nga operacioni/ Dy të arrestuarit ndiqeshin prej një muaji, Metaj i proceduar për pengmarrje më 2013 dhe dhunë në familje e kanosje më 2020-2021