Zyra e kryeministres italiane Giorgia Meloni u përball të enjten me ndërprerje të aktivitetit, pasi qindra punonjës hynë në grevë kundër rregullave të reja që kufizojnë punën nga shtëpia.

Në qendër të debatit është një urdhër i ri që vendos një tavan prej 52 ditësh në vit për punën në distancë, rreth gjysma e asaj që lejohej deri më tani. Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga stafi i Kryeministrisë dhe sindikatat, të cilat e konsiderojnë masën një hap pas.

Rreth 3.500 punonjës administrativë, teknikë dhe nëpunës të tjerë punojnë për sekretariatin e Kryeministrisë italiane. Ata janë të vendosur në rreth 20 ndërtesa në Romë, mes tyre edhe pallate historike që datojnë që nga shekulli i XVI.

Ivana, një punonjëse 62-vjeçare e administratës, tha se ndryshimet pasqyrojnë mungesë besimi ndaj nëpunësve civilë.

“Mesazhi është: nuk ju besojmë. Duhet t’ju mbikëqyrim kur punoni. Nëse nuk më beson, nuk punoj e qetë dhe nuk jap maksimumin tim”, tha ajo gjatë një proteste pranë zyrave të Melonit në qendër të Romës.

Sindikatat argumentojnë se ulja e ditëve të punës nga shtëpia dhe detyrimi për të qenë më shpesh në zyrë ndikon drejtpërdrejt në kushtet e punës, dëmton balancën mes jetës private dhe asaj profesionale dhe nuk merr parasysh vështirësitë e përditshme të lëvizjes në kryeqytetin italian.

Sindikata USB deklaroi se masa prek mijëra punonjës që prej vitesh kanë organizuar jetën e tyre mbi bazën e fleksibilitetit të krijuar pas pandemisë.

Vendimi i ri mban firmën e Carlo Deodato, kreut administrativ të Kryeministrisë. Në direktivën e miratuar në prill ai argumenton se punonjësit duhet të jenë më shpesh në zyrë për shkak të “kompleksitetit të detyrave” që kryejnë.

Sipas dokumentit, drejtimi i administratës shtetërore kërkon një model që balancon fleksibilitetin dhe mirëqenien e stafit me nevojën për t’iu përgjigjur në kohë prioriteteve institucionale.

Por grevistët thonë se realiteti në shumë zyra është larg kushteve ideale. Ata ankohen për ambiente të amortizuara, probleme me ngrohjen dhe ftohjen, si dhe mungesë komoditeti.

“Nëse kondicioneri nuk funksionon, nuk mund të hapim dritaren”, tha Ivana.

Një tjetër pjesëmarrës në protestë theksoi se lëvizja e përditshme në Romë është bërë gjithnjë e më e vështirë.

“Në një qytet kaq të madh si Roma, me kantieret, trafikun dhe turistët, është bërë një problem real jetese”, tha ai.

Edhe CGIL, sindikata më e madhe në Itali, kritikoi vendimin duke e cilësuar një “goditje të pashpjegueshme” që zhbën rezultatet pozitive të viteve të punës në distancë. Sipas saj, nuk ka prova që puna nga shtëpia ka ulur produktivitetin apo efikasitetin e administratës.

Nga ana tjetër, zyra e shtypit e Kryeministrisë mbrojti ndryshimet, duke deklaruar se synimi është krijimi i një administrate publike moderne dhe efikase, që gjen ekuilibrin mes nevojave organizative dhe mirëqenies së punonjësve.

Sipas qeverisë, prania më e madhe në vendin e punës përmirëson efektivitetin, shpejtësinë dhe cilësinë e punës. Autoritetet sqaruan gjithashtu se gratë shtatzëna, personat me aftësi të kufizuara dhe punonjësit me fëmijë të vegjël do të vazhdojnë të përfitojnë fleksibilitet më të madh.

Megjithatë, edhe kjo ka hapur debat mes punonjësve. Një grua, e cila për shkak të dy fëmijëve do të vazhdojë të punojë pjesërisht nga shtëpia, mori pjesë në grevë në solidaritet me kolegët e saj.

Ajo argumentoi se krijimi i kategorive të privilegjuara sjell pabarazi mes punonjësve.

“Nuk është e drejtë. Të gjithë punojmë, të gjithë kemi përgjegjësi dhe jemi profesionistë”, tha ajo.

Italia nisi të eksperimentojë me punën fleksibël në administratë dhe sektorin privat që në vitin 2017, kur qeveria e qendrës së majtë legalizoi këto forma pune për të ndihmuar prindërit dhe personat me detyrime familjare. Fenomeni mori përmasa shumë më të mëdha gjatë pandemisë së Covid-19, kur miliona punonjës u detyruan të punonin nga shtëpia.

Sot shumë ministri dhe institucione shtetërore italiane vazhdojnë t'u lejojnë punonjësve 8 deri në 12 ditë pune në muaj nga shtëpia. Por qeveria e Melonit duket e vendosur të shtyjë administratën drejt një rikthimi më të madh në zyra, në linjë me tendencën që po ndiqet edhe nga shumë qeveri dhe kompani në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.