Një fluturim prej dhjetë metrash nga kati i fundit i ndërtesës në rrugën Picco dei Tre Signori në Itali, duke përfunduar drejt e në oborr.

Ky ka qenë fati tragjik i 38 vjeçarit shqiptar, Kujtim Martinit, i cili jetonte në Perugia.

Hajduti “akrobat” i ka kaluar çastet e fundit të jetës pa një ulërimë, vetëm me një zhurmë të shurdhër.

Kujtimi ka vdekur në vend duke mos arritur ti shpëtojë rënies nga lartësia e konsiderueshme.

Një qiramarrës në ndërtesë e ka gjetur shqiptarin të mbuluar në gjak rreth orës 6 e 20 dhe menjëherë ka telefonuar ambulancën.

Përpjekjet kanë qenë të kota, pasi ai ka gjetur menjëherë vdekjen.

I njohur nga policia për vjedhje, 38 vjeçari kishte hyrë në ndërtesë me po të njëjtin qëllim.

Në përpjekje për të kaluar kangjellat e katit të tretë ai ka pësuar dhe fundin e rëndë.

Në momentin e mbërritjes së policisë i ndjeri është gjetur me një palë doreza, pranë tij një levë, një elektrik dore, një kapuç si dhe një copë kangjellë, e cila nuk ka mundur të mbajë peshën e tij.

Policët po meren me zbulimin e detajeve të tjera në lidhje me ngjarjen.

Banorët e zonës sigurisht që janë tronditur si fillim nga sirenat e ambulancës dhe më pas nga hetimi i policisë.

Puna e hajdutëve “akrobatë” është mjaft e përhapur, ndërkohë që ditët e fundit jo shumë larg nga ku ka ndodhur tragjedia janë regjistruar një sërë vjedhjesh të tilla.

Shkrimi origjinal

(b.t/shqiptarja.com)