ITALI- Sulmi fizik ndaj 5 oficerëve italianë, i shkaktuar prej 3 shqiptarëve, po bëhet shkak i një debati të gjerë rreth pajisjes së uniformave blu me pistoleta “Taser”. Pesë oficerët italianë të  Policisë së Shtetit u sulmuan nga tri shqiptarë, të ndaluar për një kontroll trafiku. Incidenti ndodhi të premten në mëngjes, në sytë e kalimtarëve, të cilët panë sesi 3 shqiptarët kanë nisur të gjuanin policët me grushta dhe shkelma, teksa ishin ndaluar për një kontroll të thjeshtë trafiku.

Pritet që sulmi ndaj policëve italianë prej shqiptarëve të shkaktojë një debat të gjerë, si në radhët e politikës italiane, ashtu edhe mes vetë zyrtarëve të lartë të organizmave ligjzbatuese të shtetit fqinj.

Propozimi i zyrtarit
Simone Orlandini, këshilltar provincial i Forza Italia, foli mbi këtë çështje. Ai tha se "Unë shpreh solidaritetin tim personal për 5 policët në Parma, që ishin viktima të sulmit brutal nga 3 të huajt, ditët e fundit. Deputetët duhet të kërkojnë veprim të menjëhershëm në mënyrë që të rrisim mbrojtjen dhe sigurinë e agjentëve tanë, në fazën e kontrolleve dhe arrestimeve.

Përballë dhunës së këtyre “të trashëve” është e nevojshme të lejojmë agjentët tanë të mbrojnë veten, në mënyrën e duhur, me armët e shërbimit dhe me ndihmën e mjeteve të reja, siç mund të jetë pistoleta “Taser”. Të ashtuquajturat krime të vogla janë termometër të sigurisë së një vendi dhe sot temperatura e këtij termometri është e nxehtë”.

Rrahja e 5 policëve
Episodi i dhunës ndodhi të premten në mëngjes, në San Leonardo të Parmës. Pesë oficerët e kuesturës dhe policisë së trafikut, u sulmuan nga tri shqiptarë, të ndaluar për një kontroll rrugor. E gjitha filloi në rrugën “Venezia”, rreth orës 10.30, kur policia e trafikut në Berceto ka urdhëruar ndalimin e makinës, sepse në sediljen e përparme ndodhej një fëmijë që mbahej në krah, në vend se të vendosej në sedijen e pasme.

Makina, me 3 shqiptarët dhe fëmijën, u ndal menjëherë në rrugën “San Leonardo”, ku ata sulmuan policinë. Në skenën e dhunshme, me grushta e shkelma, spektatorë ishin kalimtarët, ndërsa mbërritja e forcave mbështetëse mundësoi ndalimin e kësaj ngjarjeje. Më pas shqiptarët janë sjellë në stacionin policor, ku njëri u la në “arrest shtëpie” dhe dy të tjerët u liruan. Policët kaluan në dhomën e emergjencës, për t’u mjekuar. I plagosuri më keq, ka marrë një raport mjekësor për 20 ditë.
 
Pistoletat Taser mund të sjellin infarkt dhe vdekje
Një goditje nga pistoleta “Taser”, mund të shkaktojë infarkt në zemër dhe vdekje. Ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga “Krannert Institute of Cardiology” i Indianapolisit, në SHBA. Pistoletat “Taser”, me të cilat është e pajisur policia e disa vendeve, lëshojnë age elektrike në lëkurë. Studimi i kardiologut Douglas Zipes u publikua në revistën shkencore “Circulation”, që analizon 8 raste personash, në gjendje mjaft të mirë shëndetësore përpara se të pësonin goditjen elektrike të Taser.

Ata pësuan infarkt kardiak pak orë më pas. Burrat, shtatë prej të cilëve kanë gjetur vdekjen, kishin 1 ose 2 age elektrike pranë zemrës dhe Zipes pretendon se kanë qenë pikërisht ato që kanë shkaktuar infarktin në zemër. Sipas “Amnesty International”, këto armë sollën 500 vdekje në SHBA, por kompania prodhuese “Taser International”, i hodhi poshtë këto rezultate.

 Shkrimi u publikua sot (5.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com­)