ITALI-Trafiku heroinës nga Shqipëria drejt Italisë nuk ka të ndalur. Dy shqiptarë, një burrë dhe një grua u ndaluan në portin e Barit, pasi nga kontrolli u janë gjetur në makinë 5 kg heroinë. Fatos Tahiri ishte në makinë se bashku me Brunilda Mecon, e cila pas arrestimit u lirua, pasi 35-vjeçari nga Fieri mori përgjegjësinë për sasinë e heroinës që u sekuestrua. 

Heroina ishte fshehur në gomat e makinës tip “Saab” që ishte nisur nga porti i Durrësit drejt portit të Barit në Itali. Guardia di Finanza vendosi që të kontrollonte makinën, pasi pikasi disa shenja të dyshimta mbi rrotat e makinës. Pas çmontimit u zbulua droga e llojit heroinë ''brown sugar'', e cila nuk ishte e paketuar, por e shpërndarë. Operacioni është bërë të dielën në mëngjes, por detajet janë publikuar vetëm sot nga Guardia di Finanza për arsye hetimore.

 

Policia e Barit thotë se kjo është sasia më e madhe e heroinës kapur në këtë port gjatë vitit të fundit. Sipas të dhënave që vinë nga policia italiane dyshohet se çifti shqiptar nga Fierit që po transportonte heroinën luante rolin e korrierit.  Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur rrjetin e trafikut të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Italisë.Fatos Tahiri

(Shqiptari i arrestuar në Itali Fatos Tahiri)

d.b/shqiptarja.com