Me 17 dhe 18-vite burg janë dënuar sot 4 shqiptarë të një familjeje, që u cilësuan fajtor për vrasjen e një italiani në qershorin e vitit të shkuar. 50-vjeçari Arjan Ziu u dënua me 18-vjet burg nga një gjykatë në Itali. Ai qëlloi me pistoletë 35-vjeçarin Roberto Tizi, 7 qershorin e 2015-ës.

17 vjet e 4 muaj burg u dhanë për vëllain e tij, Michele, dhe po aq për fëmijët e këtij të fundit, Rudy e Antonio. 

Gjithashtu, gjykatësi Roberto Veneziano urdhëroi edhe që shpenzimet e gjyqit të paguhen nga shqiptarët. Gjithashtu, ata duhet t’u paguajë prindërve të italianit të vrarë edhe një dëshpërblim prej 30 mijë eurosh.

Katër shqiptar akuzoheshin për vrasjes e Tizit, plagosjen e të dashurës së tij, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me viktimën në momentin e ngjarjes, si edhe për armëmbajtje pa leje. 

Roberto Tizi u vra poshtë shtëpisë së tij nga Arjan Ziu me dy plumba të një pistolete kalibër 6,35. Goditja e parë e preku teksa ishte ende në automjet. Sipas prokurorisë, viktimës iu bë një pritë nga të shqiptarët, që pas goditjeve me pistoletë, e goditën edhe me shkelma teksa ishte i shtrirë në tokë.

Sipas të njëjtave burime, konflikti mes Arjan Ziut dhe italianit kishte nisur në një bar për shkaqe banale. 

Arjan Ziu, i cili u ndalua disa ditë pas ngjarjes, pranoi autorësinë e krimit, duke përjashtuar përfshirjen e personave të tjerë. 

Redaksia Online
(M.B/Shqiptarja.com)