Prokuroria e Romës ka hapur një dosje të re hetimore për vrasjen e shkrimtarit dhe regjisorit të njohur italian Pier Paolo Pasolini, i cili u gjet i vrarë në Ostia më 2 nëntor 1975. Vendimi vjen pas një kallëzimi të paraqitur nga avokati Stefano Maccioni, i cili kërkon rishqyrtimin e çështjes në dritën e provave të reja shkencore.
Hetimi i ri i është besuar prokurores Silvia Santucci dhe synon të verifikojë elementet e paraqitura në kërkesën e depozituar në nëntor 2025, e cila u plotësua me materiale të tjera në maj 2026.
Avokati Maccioni e ka përshëndetur vendimin e Prokurorisë, duke deklaruar se versioni gjyqësor që i atribuonte përgjegjësinë ekskluzive Giuseppe Pelosit është vënë në pikëpyetje nga rezultatet e provave shkencore të mbledhura ndër vite.
Sipas tij, materialet e reja mund të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të vrasjes, e cila vazhdon të mbetet një nga çështjet më të debatueshme të historisë italiane.
Maccioni ka shprehur besimin se hetimet e reja do të japin përgjigje për pyetjet që kanë mbetur pa zgjidhje për më shumë se pesë dekada. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje personave që mund të kenë informacion për ngjarjen, por që deri më tani kanë heshtur, të dalin dhe të tregojnë atë që dinë.
Pier Paolo Pasolini u vra natën mes 1 dhe 2 nëntorit 1975, në zonën e Idroscalo-s në Ostia. Për krimin u dënua Giuseppe Pelosi, por prej vitesh janë ngritur dyshime dhe janë kërkuar verifikime të tjera mbi rrethanat e ngjarjes.
Hapja e dosjes së re nuk nënkupton ende një përfundim të ri mbi autorësinë e vrasjes, por rikthen në hetim një çështje që, 51 vite më vonë, vazhdon të kërkojë përgjigje.






Komente
Komento