Forca politike e kontinentit tonë, në dekadat e ardhshme, do të varet nga hyrja e Vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Është investimi më i rëndësishëm gjeostrategjik i kohës sonë, sepse siguria, konkurrueshmëria dhe zgjerimi tashmë janë të pandashëm: pa përfunduar ribashkimin e tij, Bashkimi Evropian nuk do të arrijë kurrë nivelin e duhur për të qenë konkurrues në botën e sotme.

Ballkani i përket historisë, gjeografisë dhe perspektivës politike të Evropës. Italia e ka shndërruar këtë në një shtyllë të veprimit të saj diplomatik: si një vend adriatik dhe mesdhetar, ne e dimë mirë se siguria e deteve tona kalon edhe përmes stabilitetit të Rajonit. Prandaj, ne mbështesim me bindje përshpejtimin e rrugëtimit të tyre drejt anëtarësimit në BE, për të ribashkuar familjen evropiane dhe për të zgjeruar hapësirën e paqes dhe të mundësive.

Angazhimi italian përkthehet në një prani diplomatike të shtrirë kudo dhe në një dialog politik të vazhdueshëm: prej vitit 2022, mbi njëqind vizita të nivelit të lartë, takime dypalëshe dhe nisma shumëpalëshe kanë shoqëruar reformat e vendeve kandidate dhe kanë mbështetur konkretisht rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë perspektivë, Italia promovon Grupin joformal “Miqtë e Ballkanit”, i cili bën bashkë shtetet anëtare më të vendosura për të mbajtur lart vëmendjen evropiane ndaj Rajonit. Takimi me Ministrat e Jashtëm të rajonit që mirëpresim sot në Romë, konfirmon vullnetin e Italisë për t'i dhënë një hov të ri rrugëtimit evropian të Ballkanit.

Anëtarësimi kërkon reforma të thella: shtetin e së drejtës, efikasitetin e administratës publike, digjitalizimin, cilësinë e institucioneve. Italia i mbështet këto përpjekje me instrumente operative konkrete. Ne jemi lider në binjakëzimet administrative dhe në asistencën teknike afatshkurtër, Twinning dhe TAIEX, të cilat janë në qendër të procesit të anëtarësimit, sepse transferojnë kompetenca, përvoja dhe kapacitete institucionale tek vendet kandidate. Në Ballkan, Italia renditet e para ndër shtetet anëtare për nga numri i ekspertëve të angazhuar në këto programe: në fakt, ne besojmë se integrimi duhet të sjellë përfitime konkrete dhe të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe sipërmarrjeve, përpara anëtarësimit, duke forcuar besimin te projekti evropian. Për këtë arsye, e konsiderojmë dritëshkurtër shtyrjen e hapave në procesin e anëtarësimit të Vendeve si Serbia, e cila ka bërë tashmë përparim në shumë çështje kyç.

Të investosh në rritjen e Ballkanit do të thotë të investosh në forcën e Evropës. Italia, edhe përmes ndërmarrjeve tona të shumta të pranishme në këtë rajon është tashmë një nga partnerët kryesorë ekonomikë të rajonit, me mbi 10 miliardë euro shkëmbime tregtare dhe rreth 800 ndërmarrje aktive në territor, të cilat kontribuojnë në rritjen lokale, punësimin e kualifikuar, modernizimin e prodhimit si dhe në tranzicionin e gjelbër dhe digjital. Përmes bashkëpunimit për zhvillim ne ndërhyjmë në sektorë vendimtarë, që nga shëndetësia te infrastruktura, nga energjia te trajnimi.

Një kapitull po aq i rëndësishëm ka të bëjë me ndërlidhjen. Ballkani është një nyjë lidhëse mes Adriatikut, Mesdheut Lindor dhe Evropës Qendrore. Prandaj, ne mbështesim zhvillimin e korridoreve të mëdha infrastrukturore, duke filluar nga Korridori VIII, i cili do të lidhë Adriatikun me Detin e Zi, si dhe fuqizimin e rrjeteve hekurudhore, portuale, energjetike dhe digjitale. Në këtë këndvështrim, ne shohim edhe korridorin Indi-Lindje e Mesme-Evropë (IMEC), për të cilin po punojmë me partnerë si India dhe vendet e Gjirit. Falë pozicionit të saj gjeografik, Italia dëshiron të afirmohet si terminali evropian i këtyre rrugëve të reja, duke e kthyer Ballkanin në urën natyrore drejt Evropës Qendrore dhe korridoreve euro-aziatike. Çështja e ndërlidhjes është e lidhur ngushtë me atë të autonomisë strategjike të kontinentit tonë, me sigurinë e zinxhirëve të furnizimit dhe me sigurinë ushqimore: për këtë arsye, në takimin e sotëm kemi ftuar edhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të FAO-s, Maurizio Martina

Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe ndërlidhja kërkojnë një kornizë të qëndrueshme sigurie. Edhe në këtë fushë Italia ka përgjegjësi të dorës së parë: ne kemi udhëhequr katërmbëdhjetë herë misionin e NATO-s, KFOR në Kosovë, dy herë misionin EULEX Kosovë dhe tri herë misionin evropian EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë, duke kontribuar me mjete civile dhe ushtarake në stabilitetin rajonal dhe në zbatimin e Marrëveshjeve të Dejtonit.

Integrimi i Ballkanit është një zgjedhje gjeopolitike për Evropën: përfshirja e tyre e plotë në Bashkimin Evropian nënkupton konsolidimin e krahut të tij juglindor, forcimin e stabilitetit dhe pajisjen me aftësi më të mëdha për të ushtruar ndikim në botë. Italia do të vazhdojë të punojë që rrugëtimi evropian i rajonit të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në meritë, por gjithashtu të bëhet më i shpejtë, më i parashikueshëm dhe të jetë më pranë qytetarëve dhe sipërmarrjeve. Për kontinentin tonë, përpara se të jetë një domosdoshmëri strategjike, kjo është një çështje e koherencës historike.