ITALI- Ministria e Brendshme ka publikuar tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të hapen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë shqiptare në fillim të nëntorit. Mediat italiane shkruajnë se është hapur procedura e negocimit, pra të gjitha kompanitë interesuara kanë kohë që të aplikojnë për këtë tender deri më 28 mars.
Nuk ka shumë afat për aplikim, pasi duhet të niset me punën, duke qenë se qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës duhet të jenë gati më 20 maj, kohë kur pritet që të mbërrijnë edhe emigrantët e parë të kapur në det nga autoritetet italiane.
Jo më shumë se 3 mijë emigrantë
Numri i emigrantëve që mund të strehohen në të njëjtën kohë në territorin shqiptar është i kufizuar dhe nuk mund të kalojë 3 mijë veta dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna. Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, dy të tjerat do të jenë në Gjadër. Një qendër do të jetë që emigrantët t’i nënshtrohen kontrollit, ndërsa dy të tjerat për strehim.
Sipas marrëveshjes, në Gjadër do të strehohen emigrantët që kapen në det nga autoritetet italiane, por jo ata që shpëtohen nga OJQ-të.
Struktura tek Porti i Shëngjinit me klinikë mjekësore 24 orëshe
Sipas përmbajtjes së tenderit, struktura që do të ngrihet në portin e Shëngjinit do të ketë një klinikë mjekësore të dedikuar për kujdesin shëndetësor, një dhomë për vizitat ambulatore. Në Gjadër, megjithatë, do të ketë tre dhoma për vizita ambulatore, dy dhoma me tre shtretër, një sallë operacioni, një laborator analizash, një dhomë me instrumente për radiografi dhe ekografi, një dhomë për vizita psikologjike dhe psikiatrike. Një ekip mjekësh duhet të punojnë brenda kësaj strukture 24 orë në ditë: një mjek i specializuar në anestezi dhe reanimacion, një mjek i specializuar në kirurgjinë e përgjithshme, një mjek i specializuar në ortopedi me aftësi kirurgjikale, një personel mjekësor i specializuar në psikiatri, një infermiere instrumentale, një mjek social dhe punonjëse shëndetësore, një teknik laboratori, një teknik radiologjie, një punonjës shëndetësor i specializuar në radiologji.
Veshje për emigrantët
Po kështu jepen edhe detaje të tjera për pritjen e emigrantëve që do strehohen në këto struktura. Atyre do t’u ofrohen pantallona, një bluzë, një pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Emigrantët do të kenë letra higjienike çdo javë, një furçë dhëmbësh në muaj, një pastë dhëmbësh 100 ml në muaj, një shishe shampo dhe një shishe sapun të lëngshëm në javë, një krehër.
Furnizimet janë përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme italiane, e cila po ashtu ka të drejtën të ushtrojë kontrolle nëse emigrantët janë pajisur me sendet e nevojshme.
Emigrantët nuk mund të dalin nga qendrat
Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat, nëse e bëjnë, do të kthehen sërish brenda nga autoritetet shqiptare. Megjithatë, në këto struktura do të ketë avokatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, të cilët synojnë të ofrojnë asistencë ligjore për azilkërkuesit, siç kërkohet nga ligjet italiane, shqiptare dhe evropiane.