ROMË, 6 korrik /ATSH-AFP/ - Marina italiane është pothuajse e vetme për t'i bërë ballë valës në rritje të imigrantëve që përpiqen të zbarkojnë në brigjet evropiane dhe i kërkoi ndihmë vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
"Është një barrë e papërballueshme për një shtet të vetëm", theksoi kryekomandanti i Marinës italiane, admirali Filippo Maria Foffi.
"Ne kemi nevojë për një angazhim më të madh nga të gjitha vendet anëtare të BE-së për të përmirësuar kontrollin kufitar të BE-së", shtoi ai.
Në muajin tetor, disa ditë pas dramës së Lampedusas, ku më shumë se 360 imigrantë humbën jetën, Italia ka ndërmarrë operacionin "Mare Nostrum", në përpjekje për të shpëtuar imigrantët që mbërrijnë nga brigjet libiane.
Në më shumë se tetë muaj, 73 686 persona janë shpëtuar, të paktën 270 persona në ditë. Vetëm marina italiane ka pritur rreth 50 000 imigrantë, kryesisht të ardhur nga Siria dhe Afrika subsahariane./
/ec/