Italia ka dalë triumfuese në duelin epik me Anglinë në Europianin 2012, pas 120 minutave emocionuese dhe penalltive që vendosën fituesin. Por tani skuadra e Prandellit duhet të "lëpijë plagët" dhe të numërojë lojtarët problematikë për sfidën e radhës.

Për ndeshjen gjysmëfinale të së enjtes kundër Gjermanisë, ddyshimi më i madh është për futbollistin e Romës, Daniele De Rossi, që u detyrua të lërë fushën 10 minuta nga fundi. "Kam pak dhimbje në nervin shiatik. Nuk pësova ndonjë tërheqje apo dëmtim, por pas penalltisë së realizuar nga Diamanti, nuk arrita as që ta përqafoj pasi nuk ecja dot" tha De Rossi.

Por rasti i tij nuk është i vetmi problem për trajnerin e Italisë. Në dyshim është edhe mbrojtësi i Milanit, Abate që mund të mungojë me "Panzerat" ndërsa Christian Maggio, një tjetër mbrojtës i djathtë është i skualifikuar. (rb/shqiptarja.com)