Italia i siguron Shqipërisë mbështetje për trajtimin e të sëmurëve me hemofili. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu mori pjesë në një tryeze pune ne Senatin Italian, për shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin mes vendeve për sëmundjet e lindura të gjakut.
Jetëgjatësia dhe trajtimi i pacientëve më sëmundje të tilla ka ndryshuar cilësisht vitet e fundit në Shqipëri, por kemi ende shumë për të bërë sa i takon identifikimit të hershëm të sëmundjeve të lindura të gjakut.
Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë
Ministrja Manastirliu vlerësoi mbështetjen e Italisë për të siguruar ndihmë konkrete për sigurimin e faktorit VIII, i cili është jetik për të sëmurët hemofilikë.

Më herët ministrja zhvilloi një takim me nënsekretarin e shtetit dhe zv.sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë në Itali, Armando Bartolazzi. Gjatë takimit dy palët u dakordësuan për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ndërsjelltë midis Shqipërisë dhe Italisë për shëndetin publik, në fushën farmaceutike, bashkëpunimin mes spitaleve, edukimin dhe trajnimin e mjekëve.
Bashkëpunimi do të formalizohet me marrëveshjen e re mes dy vendeve tona, e cila pritet të firmoset së shpejti nga ministrat respektivë të Shëndetësisë.
Komente

