Në Itali është zhvilluar sot takimi ministerial për Ballkanin Perëndimor, hapur në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani dhe ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ministri i Jashtëm suedez Billstroem, si President i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi.
Këtij ministeriali i është drejtuar me një mesazh edhe Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila ka thënë se një përshpejtim i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të rriste stabilitetin. Melloni thotë në mesazh se integrimi nuk duhet të ngecë pasi çdo gjë që ndodh përtej në krahun tjetër të Adriatikut, sipas saj reflekton edhe në Bashkimin Evropian.
“Ballkani Perëndimor ka pasur gjithmonë një rëndësi strategjike për Italinë dhe qëllimi i kësaj qeverie është të sjellë më shumë Itali në këtë rajon nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore. Gjithcka që ndodh përtej Adriatikut ka në mënyrë të pashmangshme një ndikim të menjëhershëm tek ne dhe për këtë arsye Italia ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit”, ka deklaruar kryeministrja Giorgia Meloni në video-mesazhin e saj
Sipas saj integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor është një investim strategjik në sigurinë e vetë Europës dhe në stabilitetin e zonës, e akoma më shumë në kontekstin aktual ndërkombëtar dhe në dritën e ekspozimit në rritje ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike”.
“Italia është kontribuuesi i parë evropian për sigurinë e rajonit me misionet KFOR dhe EUFOR Althea dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim me vendosmërinë më të madhe. Duhet angazhimi i të gjithëve për të çuar përpara në thelb procesin e pajtimit rajonal dhe për të rritur përpjekjet për të kapërcyer barrierat dhe pengesat që e pengojnë rajonin të shfrytëzojë potencialin e tij të plotë”, tha kreu i qeverisë italiane.
Sipas saj mënyra më e mirë për stabilizimin e plotë të Ballkanit është ankorimi definitiv i rajonit në familjen evropiane.
“Në vitin 2022 arritëm piketa historike: Italia mbështeti me bindje hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vendimin e Këshillit Evropian për të njohur Bosnjën dhe Hercegovinën si kandidate. Tani duhet të ruajmë këtë ritëm dhe të vazhdojmë me vrull, duke përdorur të gjitha stimujt në dispozicion”, përfundoi mesazhi i Melonit.
E pranishme në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë fjalës së saj, u shpreh se lufta ne Ukrainë duket se e ka vetëdijësuar BE për faktin qe siguria dhe stabiliteti i bllokut është i lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
BE po tregon një qasje më strategjike ndaj rajonit dhe s’ka asnjë dyshim që besueshmëria e perspektivës evropiane është një faktor kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe vetë BE, u shpreh ajo.
Ministrja Xhaçka nënvizoi po ashtu frymën e re të bashkëpunimit rajonal në rajon dhe mundësitë e mëdha për bashkëpunim ekonomik e investime strategjike, veçanërisht në sektorin e energjisë që ekzistojnë sot në rajon ku Italia padyshim mund të luajë një rol të rëndësishëm e të mirëpritur.
Ajo falënderoi Zëvendës Kryeministrin Tajani për angazhimin e tij ndaj Shqipërisë e rajonit dhe shprehu vlerësimin e Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që Italia luan në zhvillimet në rajon.
Në takim, merrnin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i BE, Oliver Varhelyi, Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe MPJ i Suedisë, Tobias Billström, vend i cili mban Presidencën e radhës së Këshillit. Në takim u trajtuan çështje të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në Evropë dhe në botë. Në fokus ishin çështje që kanë të bëjnë me energjinë, sigurinë kibernetike, politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, migracionin, si dhe me procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit.