Optimizmi i orëve të fundit duket sikur po venitet dhe rifillimi i Serisë A është ende në dyshim , madje të fortë. Në Itali ka debate prej ditësh dhe Ministri i Sporteve Vincenzo Spadafora ka qënë i qartë duke thënë se është dakord me fillimin e Serisë A por duhet garanci për sigurinë e jetës dhe se kampionati nuk duhet të rifillojë me çdo kusht:
“Do të jetë komiteti teknik dhe shkencor ai që do të na japë udhëzimet pasi protokolli i prezantuar nga Liga e Serisë A nuk ka qënë i plotë dhe koha për rinisjen e kampionatit sa vjen e po ngushtohet” ka sqaruar ministri. Dje qeveria franceze morri vendimin që të mos luhet futboll deri në gusht dhe sezoni u mbyll para kohë dhe Spadafora thekson se edhe Italia mund ta ndjekë shembullin e Frances:”Nëse një vendim si ai që morri Franca për sportin do të merrej edhe nga shtete të tjera në Europë edhe ne do ta ndjekim atë linjë. Më mirë do të ishte që presidentët e klubeve të mendonin për sezonin që vjen.” e mbyll ministri.
Ndërsa Paulo Dybala ende nuk po sheh dritë në fund të tunelit. Sulmuesi i Juventusit ka rezultuar pozitiv me koronavirus edhe në testin e katërt që i është bërë. Ai ndodhet prej 40 ditësh në karantinë pasi doli pozitiv që në 21 mars së bashku me të fejuarën e tij Oriana Sabatini. Argjentinasi nuk ka simptoma por po e përndjek fantazma e COVID-19. Ai po qëndron në Torino në pritje për të parë dritë në fund të tunelit.
Përgatiti Andi Kapxhiu