Mbi 6 milionë italianë janë thirrur në zgjedhjet lokale për kryetarë bashkish dhe këshilla bashkiakë në rreth 749 komuna në të gjithë Italinë, në atë që konsiderohet testi i fundit elektoral përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2027. Qendrat e votimit u rihapën këtë të hënë pas ditës së parë të votimit që u mbajt të dielën. Në garë janë mbi 15 qytete të rëndësishme mes tyre Venecia, Reggio Calabria, Salerno, Messina dhe Prato.
Sipas mediave lokale, pjesëmarrja në votime të dielën ishte rreth 46.5%, pak më e ulët krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, ku pjesëmarrja kishte arritur në 50.1%. Balotazhi për bashkitë me më shumë se 15 mijë banorë është planifikuar për më 7 dhe 8 qershor. Në të njëjtat data do të votohet edhe në 149 komuna në Sardenja, ndërsa aty balotazhi do të mbahet më 21 dhe 22 qershor.
Këto zgjedhje konsiderohen një test i rëndësishëm për qeverinë e Giorgia Melonit, pas humbjes në referendumin për reformën në drejtësi në mars. Rezultati pritet të tregojë sa e qëndrueshme mbetet mbështetja për koalicionin e djathtë përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në të njëjtën kohë, votimi do të tregojë edhe forcën reale të kampit progresist dhe mundësinë për krijimin e një alternative të bashkuar për vitin 2027, ndërsa koalicionet mbeten të fragmentuara në shumë zona të vendit.
Gara kryesore zhvillohet në 118 bashki me mbi 15 mijë banorë, ku e djathta dhe e majta po përballen për qytete që më parë janë drejtuar nga kampi kundërshtar. Në Venecia, qendra e majtë po tenton të rikthejë bashkinë pas dhjetë vitesh drejtimi nga e djathta, ndërsa në Reggio Calabria situata është e kundërt, me qendrën e djathtë që kërkon të thyejë dominimin e demokratëve.
Skenarë më të ndërlikuar paraqiten edhe në Crotone dhe Salerno, ku bie në sy kandidatura qytetare e ish-guvernatorit Vincenzo De Luca, në një kamp progresist të përçarë. Rezultati i këtyre zgjedhjeve lokale pritet të ndikojë drejtpërdrejt në balancat politike dhe të tregojë se cili koalicion del më i fortë nga kjo përballje.
Komente










Do jete nje humbje e thelle per Madam Meloni
Përgjigju