Italianët votuan për ndryshimin,
duke u joshur nga populizmat e reja

Italianët votuan për ndryshimin,<br />duke u joshur nga populizmat e reja<br>
Sipas projeksioneve më të fundit, Lëvizja 5 Yjet del partia e parë më e votuar nga italianët. Duhet të marrë 235 vende në Dhomën e Deputetëve dhe 114 në Senat. Ndërkohë, në nivel koalicionesh, është qendra e djathtë që merr më shumë: 252 vende në Dhomë dhe 134 në Senat. Parti e parë tek e Djathta del Lega, e cila kapërcen Forza Italian-n e Berlusconit. Ndërkohë, Partia Demokratike dhe gjithë aleanca e qendrës së majtë kanë pësuar një humbje të rëndë. PD do të marrë 107 deputetë dhe 45 senatorë dhe kreu Matteo Renzi u detyrua të jape dorëheqjen.

Por mbetet ende e panjohura e madhe: si të formohet qeveria? Kjo kërkon një mazhorancë prej 316 votash në Dhomë dhe 158 në Senat, që askush nuk i ka. Asnjë koalicion apo parti nuk ka arritur kuotën 40% të votave, që do ta sillte direkt në pushtet. Në këto kushte, tani pritet vendimi i presidentit Matarella që t’i japë mandatin kreut të koalicionit të djathtë Salvini, apo atij të partisë 5 Yjet Di Maio dhe më pas do të shihen eksperimentet e mundshme të koalicioneve, që deri dje konsideroheshin sit ë pamundura.

Sidoqoftë, rezultatet tregojnë qartë se partitë populiste siguruan një fitore të rëndësishme. Italia pritet të kalojë javë të tëra negociatash për të formuar qeverinë. 81-vjeçari Berluskoni dhe Matteo Salvini, udhëheqësi 44-vjeçar i Legas, zhvilluan një fushatë me një axhendë të fortë anti-emigracion, duke këmbëngulur që 600 mijë emigrantët e ardhur dy vitet e fundit nga Afrika, duhet të dëbohen nga vendi.

Italia mund të ketë një kryeministër që do federalizimin dhe dashuron Brexiti-n! “Marrëveshja e xhentëlmenëve”, siç e quan paktin parazgjedhor me Silvio Berlusconin njeriu që drejton Legën, Matteo Salvini, parashikonte që kreun e ri të qeverisë ta përcaktojë partia brenda koalicionit që do të siguronte numrin më të madh të votave dhe ndryshe nga ç’priste kavaljeri, “derbin “ e brendshëm e fitoi Lega me 18% të votave kundrejt 14 përqindëshit që i shkon “Forza Italia”. Salvini i hodhi poshtë pretendimet e një pakti me lëvizjen “5 yjet”. “Nuk do të ketë bashkime të çuditshme; jam njeri që e mban fjalën e kjo detyrë i takon koalicionit të qendrës së djathtë që ka fituar dhe mund të qeverisë”, tha Matteo Salvini.

Triumfin Salvini ia detyron në masë të madhe retorikës së tij bombastike e shpesh edhe raciste, siç nënvizon “The Guardian”.

Kurse Luigi di Maio, kandidati për kryetar Ekzekutivi i lëvizjes “5 yjet”, e cila doli nga këto zgjedhje si forca e vetme më e madhe, postoi nga ana tjetër në “Facebook” foton e përqafimit të fitores me Beppe Grillon, shoqëruar me komentin: “Rezultati na projekton në mënyrë të pashmangshme drejt udhëheqjes së vendit!“

Një zgjidhje alternativë do të ishte mbajtja e votimeve të reja, të cilat të prodhonin një rezultat me vendimtar, por nuk ka garanci që kjo mund të ndodhë. Edhe pse asnjë forcë politike nuk do të jetë në gjendje të qeverisë së vetme, të paktën nga sa tregojnë të dhënat paraprake, rritja e mbështetjes për populistet në Itali është krahasuar me Brexit-in dhe fitoren e Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

Pyetja në përfundim të këtyre zgjedhjeve është kjo: Sa të zhgënjyer e të revoltuar duhet të jenë ndjerë italianët me stilin e qeverisjes në Itali, që të gjejnë strehë tani tek populistët, që premtojnë gjithçka, luajnë me frikën, e që shumë pak do të realizonin nga ato që thonë?

Silvio Berlusconi, një plak i ringjallur 81 vjeçar ende shihet si shprësëdhënës, megjithëse si askush tjetër ai qëndron në sistemin e vjetër italian. Ndërsa kundërshtari i euros dhe armiqësor ndaj të huajve, Matteo Salvini ka dalë madje para Berlusconit. Të mos harrojmë edhe ata që nderojnë ende Musolinin, "Vëllezërit Italianë" që kanë kandiduar në kampin djathist. Përballë tyre nga kampi tjetër qëndron Lëvizja e Pesë Yjeve. Liderët e saj premtuan mrekullira, ata duan të shpenzojnë para që Italia nuk i ka. BE është fajtori që duhet t'i paguajë më shumë Italisë, sipas tyre.

Italianët duan diçka të re, diçka tjetër. Shtetin e tyre ata e perceptojnë si plotësisht të paaftë dhe të vjetëruar. Kjo është fatura e dështimit të listës së majtë, të drejtuar deri më tani nga socialdemokratët qeverisës. Para zgjedhjeve ata u përçanë dhe gjenden, ashtu si SPD-ja gjermane, në rënie të pandalshme. Ish-shpresa e italianëve, Matteo Renzi dështoi në skenën politike. Reformat në Itali nuk ecën përpara, ekonomia rritet shumë ngadalë, numri i të papunëve është shumë i lartë, problemet me numrin e lartë të azilkërkuesve nuk janë zgjidhur. Aparati shtetëtor përpin shumë para, drejtësia është e ngadaltë dhe joeficiente. Lista negative për ekonominë e tretë të eurozonës mund të vazhdohej edhe më tej.

Mesazhi i votuesve në këto zgjedhje: Si tani nuk mund të vazhdohet më. Por në fakt kështu do të vazhdohet, sepse të tre blloqet e mëdha e pengojnë njëra-tjetrën në parlament, e koalicionet duken të pamundura. Të paktën para zgjedhjeve ato kanë përjashtuar kombinime të mundshme. Madje edhe një koalicion, realisht i pamundur, mes partisë së Berlusconit dhe socialdemokratëve nuk ka shanse numerike për të arritur mazhorancën në dy dhomat e parlamentit. Nëse asnjë nga partitë e tjera nuk lëviz nga ky pozicion, presidenti italian duhet të emërojë një qeveri teknike, që duhet të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e tjera. Këtë model Italia e ka përjetuar shpesh.

Aleati francez i Lega Nord, Fronti Nacional i Le Pen e uroi Salvinin për rritjen e numrit të votave. Për fat të keq Le Pen ka të drejtë, kur thotë se për Bashkimin Europian nata zgjedhore e së dielës nuk ishte një natë e mirë. Me numrin e lartë të votave të populistëve, një vend i rëndësishëm i BE rrëshqet në të njëjtën anë si ndërkohë Hungaria, Polonia, Greqia dhe Austria. Aty populistët ose janë në pushtet ose bashkëqeverisin. Edhe në Gjermani populizmi po marshon. Deri më tani as në Bruksel dhe as kryeqytetet e tjera europiane nuk është gjendur receta për të ndalur populistët dhe nacionalistët.

Italia nuk ka këllqe për të përballuar një krizë të gjatë qeveritare. Nëse tregjet e humbasin besimin në zhvillimin e rregullt të Italisë, mali i lartë me borxhe i këtij vendi mund të bëhet së shpejti tejet i shtrenjtë, madje edhe i pafinancueshëm më. Pak shpresë të jep vlerësimi i një votuesi në një qendër zgjedhore kur thotë: "Ne italianët do ta kalojmë edhe këtë situatë. Gjithmonë në një lloj forme ia kemi dalë megjithë këtë sistem të mbaruar."

e.gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim