“Shqiptarja.com” disponon të plotë vendimin e gjykatës së Milanos dhe kërkesën për ekstradim të autoriteteve italiane, por nuk qartësohet nëse ky vendim gjyqësor është i njëjtë me atë që ka marrë gjykata e Krimeve të Rënda kundër Alket Hatisë apo jo. Në vendimin Italian evidentohen shumë episode të trafikimit të heroinës nga Shqipëria në drejtim të Italisë, por prokuroria është në verifikim e sipër të rast pas raste të episodeve. Burimet pranë prokurorisë së Përgjithshme thanë se në rastin e Alket Hatisë do të procedojnë me dërgimin e dosjes në gjykatën e Durrësit, për tju nënshtruar gjykimit të çështjes për ekstradimin ose jo të Hatisë.
Megjithëse ai ndodhet në kërkim, burimet thanë se me ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale janë vështirësuar shumë dhe pranimi i kërkesave, për ekstradim drejt shtetit Italian. Sipas të njëjtave burimeve, një ndër dispozitat e reja që është shtuar në Kodin e Procedurës në kapitullin e ekstradimit, është dhe faktë i dosmosdoshëm që shteti kërkues, që në këtë rast është Italia, duhet të garantojë gjatë seancës gjyqësore, që do të zhvillojë një process gjyqësor nga fillimi, për personin që e ka gjykuar dhe dënuar në mungesë.Kjo dispozitë, sipas akuzës vështirëson së tepërmi procesin e ekstradimit të Hatisë në Itali.
Lirimi i Hatisë nga gjykata e Durrësit
Alket Hatija u arrestua me 8 korrik me urdhër të Prokurorisë së Durrësit, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për shkak të një dënimi me 20 vjet burg, të dhënë në shtator 2016 nga Gjykata e Apelit të Milanos. Më 11 korrik, Prokuroria kërkoi masën e “arrestit me burg” për qëllime ekstradimi përballë gjykatës, por gjyqtari Petraq Çurri urdhëroi lirimin e Hatisë me argumentin se në dosje mungonte një kërkesë e Ministrisë së Drejtësisë. Prokuroria apeloi vendimin dhe theksoi se me argumentin për Alket Hatinë, gjyqtari Çurri kishte bërë “ineficent sistemin e kërkimit ndërkombëtar”. Vendimi i lirimit shkaktoi revoltë edhe në Ministrinë e Drejtësisë, ku ministri Gazmend Bardhi kërkoi procedim disiplinor dhe inspektoriati i KLD-së e miratoi këtë kërkesë. Në seancën e masës së sigurisë, të zhvilluar të hënën në Gjykatën e Apelit të Durrësit, Prokuroria paraqiti si provë edhe kërkesën e ministrit të Drejtësisë për aplikimin e masës shtrënguese të “arrestit me burg” për qëllime ekstradimi për Alket Hatinë. Megjithatë, largimi dhe fshehja e të kërkuarit e ka vështirësuar punën për kapjen e tij.
KLD ka nisur inspektim në gjykatë
Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Petraq Çurri, pas vendimit të tij të diskutueshëm të 11 korrikut për lirimin nga “masa e arrestit” të Alket Hatisë. Inspektoriati i KLD-së u vu në lëvizje nga një ankesë e ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi pasi Gjykata e Durrësit e shpalli të paligjshëm arrestimin e Hatisë, ndonëse ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për shkak të dënimit me 20 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Milanos për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”. Në vendimin e nisjes së procedimit disiplinor, kryeinspektorja Marsida Xhaferrllari argumenton se si rregull, pretendimet ndaj gjykatës i nënshtrohen kontrollit gjyqësor nga një gjykatë më e larë. Megjithatë, ajo gjykon se ankesa e ministrit të Drejtësisë ka të dhëna të mjaftueshme dhe “dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer”. Qëllimi i hetimit disiplinor është të konstatojë nëse ka shkelje të rënda profesionale nga ana e gjyqtarit- të tilla që të mund të diskretitojnë pozitën dhe figurën e tij.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarha.com