20 vite pas Giancarlo Fisichellas, Italia e ka sërish një fitues në garat e Formula 1. Këtë të diel në Shanghai, piloti i Mercedes, 19-vjeçari Andrea Kimi Antonelli fitoi Çmimin e Madh të Kinës, suksesi i tij i parë në F1 pasi dominoi një garë që e nisi nga 'pole position'. Antonelli nuk i mbajti lotët në fund, ndërsa edhe gara e sotme ishte nën diktatin e Mercedes.
Skuderia britanike ka bërë mirë në këtë fillim sezoni duke fituar dy garat e para, atë të Australisë me George Russell dhe këtë të sotmen me Antonellin. Sa i takon podiumit, në vendin e dytë u ngjit George Russell, i cili fitoi të shtunën edhe garën Sprint. Pas tij Lewis Hamilton, me pilotin e Ferrarit që mori podiumin e parë si anëtar i 'Kokëkuqes', edhe pse ky është sezoni i tij i dytë me italianët.
Pas Hamiltonit u rendit shoku i tij i skuadrës, Charles Leclerc, ndërsa pikë siguruan edhe Bearman, Gasly, Lawson, Hadjar, Carlos Sainz dhe Colapinto.
Pas garës së sotme është George Russell që kryeson klasifikimin me 51 pikë, ndjekur nga shoku i skuadrës, Antonelli me 47 pikë. Pas tyre është Charles Leclerc me 34 pikë dhe Hamilton me 33 pikë.
Sa u takon ekipeve, Mercedes ka nisur shkëputjen duke kryesuar me 98 pikë pas dy garave të para të sezonit. Pas tyre vjen Ferrari me 67 pikë.
Gara e radhës në Formula 1 do zhvillohet fundjavën mes 27 dhe 29 marsit në cirkuitin e 'Suzukas' në Japoni.
Drama e McLaren
McLaren nuk mori pjesë në Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1, pasi si Lando Norris ashtu edhe Oscar Piastri patën probleme teknike me makinat e tyre para garës.
McLaren po përpiqej të fuste Norrisin ashtu edhe Piastrin në start, pasi kampioni i botës Norris nuk mundi të dilte nga 'bokset' në kohë për procedurat para garës për shkak të problemeve me elektronikën.
Më pak se 10 minuta para fillimit të xhiros së formatimit, McLaren u detyrua ta kthente Piastrin përsëri në garazh me një problem të pazbuluar dhe kështu nuk ia doli të nxirrte asnjërin nga pilotët për garën.
Kimi Antonelli leads a Mercedes 1-2 in Shanghai!
— Formula 1 (@F1) March 15, 2026
Here are your points-scorers after a thrilling race ?#F1 #ChineseGP pic.twitter.com/pPRrqN3Yeq
Komente









