Një ditë më parë Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla juristi dhe aktivisti i njohur i diasporës shqiptare në Itali, Erion Begaj, do të angazhohet si këshilltar.

Ky i fundit në një lidhje të drejtpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se përfshirja e Diasporës në çdo aspekt në Shqipëri është shumë e rëndësishme.

Begaj theksoi se gjatë këtyre viteve ka qenë i angazhuar për të përcjell zërin e Diasporës në institucionet shqiptare. Sipas tij kjo është një nga sfidat më të mëdhaja.

“Unë jetoj në Itali prej 1999 kur kam ardhur për herë të parë si student në universitetin e Bolonjës dhe ushtroj profesionin e juristit prej 2015. Kam një kompani konsulence së bashku me bashkëshorten time. Kam qenë gjithmonë i angazhuar për çështjet e Diasporës duke u munduar të përcjellim zërin e shqiptarëve te institucionet shqiptare. Kjo është sfida më e madhe që ne kemi sot. Përfshirja e Diasporës në çdo aspekt është shumë e rëndësishme.

Diaspora është bërë nga një shumëllojshmëri interesash, grupimesh që e shikojnë Shqipërinë si një mundësi. Padyshim kërkesa kryesore e jona është që t’i bashkohemi institucioneve që do t’i hapin rrugën dhe do të lehtësojnë interesat e Diasporës kundrejt Shqipërisë. Ne po shikojmë një Diasporë që së fundmi po zhvillohet në atë që quhet sektori i profesioneve të ndryshme. Me këtë ata duan të lidhin ura me Shqipërinë”, tha Begaj për moderatorin Nertil Agalliu.

Ndër të tjera Begaj nënvizoi se institucionet shqiptare nuk kanë ndonjë një eksperiencë me politikat e Diasporës, por pavarësisht kësaj ai thotë se mazhoranca e ka shprehur dëshirën për t’u përfshirë në çështjet që kanë të bëjnë me Diasporën.

“Institucionet shqiptare nuk kanë ndonjë një eksperiencë të jashtëzakonshme me politikat e Diasporës, kanë dëshirën e madhe dhe kjo mazhorancë  e ka shprehur. Disa vite më parë ata ngritën edhe një Ministri për Diasporën.  Ne jemi një nga vendet e fundit në rajon që për herë të parë kemi përfshirë Diasporën në votime. Maqedonia e Veriut dhe Kosova e kanë pasur më përpara këtë gjë”, shtoi Begaj.

Në fund të fjalës së tij juristi theksoi se një nga pikat thelbësore që na ka mbajtur të bashkuar ndër brezash ka qenë gjuha shqipe.

“Ne nuk duhet të harrojmë një gjë kryesore historinë tonë si popull shqiptar, se elementi bazë që na ka mbajtur të bashkuar është gjuha shqipe. Kjo gjuhë shqipe ka nevojë për një koordinim ka nevojë edhe për një formim - edhe kjo duhet të vijë nga institucionet shqiptare. Sot Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një investim ekonomik, Shqipëria ka nevojë për një kulturë kapitaliste, një sistem konsulence që do të pasuronin ambientin e biznesit në Shqipëri. Ky është roli i Diasporës - të japin një kontribut të fuqishëm si nga ana profesionale dhe institucionale", përfundoi ai.