ELBASAN - Rreth 4 muaj pas tërmeteve që prekën zonën e Belshit në Elbasan dhe familjet të cilave u janë dëmtuar banesat ende nuk kanë marrë asgjë si demshpërblim nga shteti. Këta banorë kërkojnë të ndërtojnë banesat e tyre, por përballen me policinë e shtetit pasi ligjërisht ata po bëjnë ndërtime pa leje.

Shpesh kryefamiljarët janë vënë në procedim penal në prokurori për ndërtimet pa leje kur janë përpjekur të riparojnë me shpenzimet e tyre shtëpitë e dëmtuara nga lëkundjet sizmike. Shqetësimi i tyre është edhe më i madh kohët e fundit, pasi stina e dimrit po afron dhe banesat e tyre nuk i mbrojne nga perkeqesimi i motit.
 
Kryetari i Bashkisë Belsh Asqeri Kuqja shprehet për A1 Report se ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore të mos penalizohen këto familje, deri në marrjen e dëmshpërblimit nga shteti.
 
Ndërsa kryeprokurori i Elbasanit Gentian Osmani, për këtë shqetësim u shpreh se "cështja po ndiqet rast pas rasti, por ligji nuk lë shumë mundësi për interpretim. Shefi i Emergjencave pranë prefekturës Mustafa Arapi theksoi se është përpunuar pjesa më e madhe e dosjeve dhe do t’i dërgohen ministrisë së Brendshme për të vijuar me dëmshpërblimin.

Tërmeti i 19 Majit 2014 në zonën e Dumresë u pasua nga dëme të konsiderueshme materiale, ku rreth 400 familje regjistruan pasoja në banesa.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)