Policia e Vlorës ka arrestuar dy persona për armëmbajtje pa leje dhe shitje të kokainës e kanabisit.

Një 33-vjeçari me precedent penal i është gjetur pistoletë, krehër arme, 44 fishekë dhe kokainë e ndarë në doza. Në pranga edhe një 18-vjeçar në Dhërmi që u kap me kokainë e kanabis.

Njoftimi i plotë:

Goditen tre raste në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në qytet dhe në zonat bregdetare.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe sasi të këtyre lëndëve narkotike.

Arrestohen 2 poseduesit, njëri prej tyre me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, masave dhe pranisë në të gjithë territorin e qarkut, me objektiv garantimin e sigurisë publike, mbarëvajtjen e sezonit turistik dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Siguria”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit:

- T. P., 33 vjeç, banues në Vlorë, me precedent penal për prodhim/shitje të lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrolleve në automjet dhe në banesë iu gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), krehër arme, 44 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike Kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje;

- A. C., 18 vjeç, banues në Vlorë, pasi u kap në Dhërmi me sasi lëndësh narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, që dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në zonën bregdetare dhe në qytetin e Vlorës.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.