Një shqiptar në Bergamo është arrestuar nga policia për shpërndarje droge.

Një patrullë e policisë së Padovës konstatoi mjetin e 33-vjeçarit duke lëvizur me shpejtësi të madhe pranë zonës Limenella dhe e ndaloi për kontroll. Mediat italiane shkruajnë se ai dukej se e kishte me nxitim, por nuk dha shpjegime.

Krahun dhe dorën e kishte të fashuar dhe deklaroi se ishte pasojë e një sulmi nga persona të panjohur.

Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët vunë re se konsola qendrore mes dy sediljeve ishte e bllokuar. Pas një analize të sistemit elektrik të automjetit, ata zbuluan një mekanizëm elektronik që u mundësoi hapjen e një ndarjeje të fshehtë, ku ishte fshehur 1 kilogram kokainë. Lënda narkotike me pastërti shumë të lartë kishte një vlerë mbi 30.000 euro në tregun me shumicë, ndërsa në shitje me pakicë do të sillte të ardhura mbi 100.000 euro.

33-vjeçari është dërguar në burgun e Padovës dhe për të kanë nisur procedurat për heqjen e lejes së qëndrimit.