Prokuroria e Tiranës sekuestroi pak ditë më parë pasuri me vlerë 30 milionë euro që i përkasin spanjollit Álvaro Romillo Castillo-s, i njohur në Spanjë me nofkën ‘KriptoSpanja’, në kuadër të një hetimi për pastrim parash.
Rreth 23 hekratë tokë u sekuestruan në Dhërmi me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, me dyshimet për pastrim parash nga spanjolli, babai i tij dhe partnerja, të tre të përfshirë në një skemë mashtrimi, përmes së cilës kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 30 milionë euro.
Sipas mediave të huaja, Romillo po hetohet për dyshimin se ka udhëhequr një skemë mashtruese investimi përmes platformës Madeira Invest Club (MIC), e cila thuhet se ka tërhequr fonde nga mijëra investitorë me premtimin e kthimeve të larta dhe të qëndrueshme.
Sipas vlerësimeve gjyqësore, vlera e mashtrimit mund të tejkalojë shifrën e 250 milionë eurove, me më shumë se 3,000 palë të prekura, kryesisht të përfaqësuara nga firma Zaballos Abogados.
Në dhjetor 2025, gjyqtari hetues i Gjykatës Kombëtare lëshoi një aktakuzë kundër Romillos dhe të tjerëve të përfshirë për krime të dyshuara të mashtrimit të rënduar, organizatës kriminale dhe pastrimit të parave , duke vendosur gjithashtu një garanci prej disa milionë eurosh për të mbuluar detyrimet e mundshme civile.
Hetimi përshkruan një sistem që vepron në mënyrë të ngjashme me një skemë piramidale , në të cilën pagesat për investitorët e vjetër mbështeteshin nga kontributet e pjesëmarrësve të rinj, pa ndonjë aktivitet të vërtetë investimi për të mbështetur fitimet e premtuara.
Komente










