Ivanaj në hetuesi,ç'folëm me Skënder
Luarasin për Fultzin e françeskanët

Ivanaj në hetuesi,ç'folëm me Skënder<br />Luarasin për Fultzin e françeskanët
Pas arrestimit të tij me 15 maj 1947, ish-ministri i arsimit Mirash Ivanaj në deklaratat e tij dhënë në hetuesi ka rrëfyer edhe për largimin e tij nga Shqipëria pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, jetën në arrati dhe kthimin e tij në atdhe në tetor 1945.

Pjesën e parë të kësaj deklarate e sollëm dje ekskluzivisht për lexuesit tanë, për të vijuar sot me pjesën e dytë të këtij dokumenti arshivuar në dosjen e tij hetimore.

Pjesa e parë e dokumentit përmbante rrëfimet e tij për periudhën e pushtimit, largimin nga vendi dhe jetën e tij në arrati kryesisht në Turqi e Jeruzalem e deri në kthimin e tij në atdhe. Pjesa e dytë e deklaratës që botojmë sot, sjell detaje për ditët e qëndrimit në Shqipëri pas kthimit, takimet me miqtë dhe detaje nga bisedat e bëra me ta...

Si një material i marrë në rrethanat e presionit në hetuesi, duhet theksuar se ky dokument si dhe shumë të tjerë të kësaj dosjeje, nuk mund të demonstrojë të vërtetën e plotë apo opinionet reale të Ivanajt mbi ngjarjet që rrëfen.

Më poshtë e sjellim të plotë pjesën e dytë të këtij dokumenti shkëputur nga dosja hetimore e Mirash Ivanajt.
  
(Vijon nga dje)
 
Pjesa e dytë e deklaratës së mirash ivanajt dhënë në hetuesi pas arresitmti të tij më 15 maj 1947 
Ditën e dytë, në mes të tjerve, jam pa me Ali Bakiun edhe këtij i shpreha admirimin se si e gjeta Shqipnin. Më pyeti passi më tha se çka ka vuejtë vendi nën okupatorët dhe ai vetë – nëse kam kërkue që të pranohem prej kryeministrit. I thaç se po me anën e Z. DH. Vangjeli, të cilin e kishe pa ditën e parë. Më tha se edhe ai mundet me m’a ba kët favor edhe unë i u luta. Me të vërtetë pas 2-3 ditëve bashkë me të u pranova prej Komandantit. Me Bakiun jam takuar pastaj në zyrë disa herë (besoj 4-5) o për çashtje shtëpije ose me i kërkue pak të holla deri sa të fillojshe me marrë rrogën. Por ka ma se nji vjet që s’jam pa ma me të. Sa herë kam takue në zyrë kam gjetë sekretarin (i cili nji herë u interesue për nji kushri që ka në Stamboll) e nënpunës të tjerë.

Jam takue disa herë në rrugë dhe ba disa hapa bashkë, me Prof. Skënder Luarasin, me të cilin nuk ishe pa qysh 1936, ku më ka ardhë edhe disa herë në shtëpi (besoj 3 herë) si vizitë. Në pjekjet e para kemi shndrue përshtypjet t’ona mbi si kemi gjetë Shqipnin qysh prej kohës që kemi dalë jashtë. Më bjen ndër mend se i kam thanë se evolucioni asht aq i madh si të kishim kalue jo 7 vjet por të paktën 50. I thaç edhe se si pa tue ardhë nga Elbasani urat e bamuna mirë, rrugat e merremetueme dhe se si puna po zhvillohet në të gjitha anët. Po në këtë enthuziazmë më foli edhe ai, pastaj m’a tha edhe daljen e tij nga Shqipnija, qëndrimi i tij në Spanjë dhe interesimi në Francë. Më kërkoj se çka mendoj me ba (çfarë shërbimi me i u kushtue). Ju përgjegja: arsim aktiv, me gjith se nuk jam aq i përshtatshëm sot për të. Ai më tha se do t’ishte ma mirë me ndonji vend tjetër ma i lartë, ku do të mujshe me punue ma tepër. Ju përgjegja se unë sot nuk kam energjin e dikurshme, se për nji njeri, që s’ka luftue për çlirimin e Shqipnis, asht nji nderë tepër e madhe të pranohet si edukator i brezit të ri dhe s’fundi, arsimi asht profesioni i vërtetë i emi. Më dha arsye. Kaq kohët e para.

Më vonë kemi folë mbi çasgtjet e ditës: zbulimi i komplotit të Jezuitëve (ai Luarasi, ma ka njoftue); veprimtarija e françeskanëve, kurë zhvillohej gjyqi i A. Harapit, si edhe veprimi dhe sjellja e Fultz-it në sabotimin e Maliqit. Mbi Jezuitët Luarasi më kërkoj disa data historike, i thaç se si në ç’do vend, e shekullin e fundit edhe në Shqipni, ishin dhe janë vegla politikash të hueja, se Shqipnija s’mund të ketë paq dhe bashkim elementash deri sa dy çerdhet (të Jezuitëvet dhe të Françeskanëvet) në Shkodër të mos shgatrohen etj. Me rastin e proçesit të A. Harapit kemi komentue ma tepër nji dokument të shkruem prej Gj. Fishtës që i a drejtonte Jakomonit tue kërkue disa miliona. Unë që dikur ishte i vetmi që kritikojshe Fishtën politikisht, i thashë Luarasit se që çfarë njeriu shumë vetë paraqiteshin si poet kombëtar.

Për Fultz-in Luarasi më tha vetë se ai para 12-13 vjetve shumë kuj i dhimbej largimi i tij dhe se tash del se ç’farë njeriu ishte. Shdruem edhe mendimin mbi poshtërsin e përdorimit t’influencës së mësuesit mbi nxansit për të ba vepra të poshtërta.

Me politikë s’merrem, jo vetëm pse sot mue m’intereson, por edhe pse efektivisht s’kam pasë kohë. Nuk më bjen ndërmend pra të kemë folë mbi politikë me dikë. Më kujtohet vetëm nji herë, kohë më parë, se kam shkrue pak fjalë në drejtorin e shkollës mbi ndalimin e vizës të delegatit t’onë nga ana greke: dij se kam thanë diçka si këtë; akuza e sjellun kundra nesh po sjellet kundra akuzuesit. Drejtori Shemsi Totozani më tha dhe ngjarjen që unë e dijshe – të vrasjes së konsullit Jugosllav n’Itali. Të dy aty kemi kritikue veprimin jo të bukur t’autoriteteve ushtarake Inglize. Por siç thashë, këto shndrime mendimesh kanë qenë shumë të shkurtëra.

Nji që më ka ndihmue financiarisht mjaft në Stamboll (e familja e tij edhe me gjella për vëllaun e smund) ka qenë Mehmet Tagani, i cili vdiq në Stamboll më 1942. I ati i tij Salih Tagani dhe familja sot gjindet në Tiranë. Kurrë kam ardhë, tue mos pasë shtëpi, kam banue nji muej në shtëpinë e këtij miku. Ai ka farfis në Stamboll, ka jetue vetë me vjete atje dhe në kohën e parë interesohesh për gjuhën e atjeshme. Asht njeri qi s’asht marrë as merret me politikë, të cilën as s’e kupton; asht besimtar i fort dhe shpesh kemi folë mbi pika të ndryshme të kuranit e mbi besime të tjera, reformat e sotme nuk i kemi prek. I pëlqen shumë punimi i kopshtit e tue qenë edhe unë i dhanun pas këti), shpesh kemi shndrue mendimet mbi kopshtijt t’onë dhe mbi mbjelljet. Me kët njeri jam pa shpesh në shtëpi ose në rrugë 2-3 herë në muej, por kohët e fundit, tue qenë shumë i nxanun pjekjet në shtëpi janë rrallue shumë. Tue qenë i pasun mundet lehtas me sigurue lirë e mirë me anë të kooperativës dhe të dyqanevet të shtetit çka i nevojitet për jetë. Nga këjo anë pra si ai, si edhe shumica e madhe e popullit jo të pasun jemi të kënaqun.

Përpjekje të përditëshme kam pasë si vjetin e kaluem ashtu edhe kët vjet me personelin e shkollës: Cibrije Ciu, A. Deda, S. Papakristo, Arif Selfo, Abdi Shehri, Xh. Harbuli, C. Gashi, A. Gashi, Zja Antoniu dhe me motrën e saj, F. Gega, Ollga Luarasi, Gliqerija Koça, Sotir paparisto, Shemsi Totozani, Zja Koçi, B. Llagami, Prof. Ciu, Luigj Shala, Zijah Kodra, Anda Bulka, E. Cani, Kol Shiroka. Me këta persona kam bisedue gjithëmonë çështje shkolle. Prej reformave asht bisedue aty-këtu nga ndonji fletë e reformës arsimore dhe kjo gja asht ba simbas porosis të Ministris dhe Drejtoris me qëllim që për vjetin e ardhshëm të përmirësohen dhe të përshtaten programet dhe tekstet. Me këtë qëllim gjatë këtij vjeti kam paraqitë disa shkresa në lidhje me programin e sotëm dhe me nevojën e ndryshime të vogla.

Prej personave me të cilët kam bisedue për politikë – me gjithse nuk ishte politikë në kuptimin e vërtetë të fjalës – asht Gafur Camo Drejtor i Furnizimeve: Këti unë i u ankova për humbjen e nji valixheje me tesha të dorëzueme nga kunata e jeme shoferit të Misionit t’onë në Bari, ai më tha se ky shofer nuk asht kthye me Misionin në Shqipni dhe se ka përvetsue si valigjen t’ime ashtu edhe tesha të tjetër kuj. Kur mora vesh detyrën që ka e pyeta mënyrën e furnizimit. Ma tha, por shtoj se janë tue ardhë nga Jugosllavija 75 kamiona të mëdhenj. Me kët rast i a kujtova kthimin t’im se si jam kthye nga Manastiri me 13 kamiona të mëdhenj të ngarkuem me grurë për ne dhe se si në Manastir qëndronte një mision i ynë vetëm për këtë punë. Këtë gja ja kam thanë edhe shumë kuj, por kam vënë re se pak kush e dinte.

Nji person që ma shpesh ka ardhë në shtëpi, por për vizita të shkurtra asht Gjergj Marku (tash përkthyes në Komandën e Ushtris). Jemi prej nji fisi. Vizitat m’i ka ba të shumtën për me përshëndetë e sidomos për me më pyetë mbi ndonji fjalë jugosllavishte (pse ai asht përkthyes i kësaj gjuhe). Kohët e fundit m’i ka pasë prue edhe disa tekste jugosllavishte për me i përkthye unë. S’kam folë për plotike veçse në fillim si me shumë kend – mbi lehtësinat që kam pasë nga ana e Jugosllavis n’udhëtim si dhe mbi furnizimin e grurit, që kam pa unë vetë me sy.

Shqipnija deri 1939 ka qenë e rrethuar prej 3-4 imperializmeve dhe nacionalizmeve të mëdhenj e të rezikshëm për të: Jugosllav, Italian, Grek dhe deri diku Bullgar. Për Shqipnin dishrojshe nji politikë, si të jashtëme ashtu dhe të mbrendëshme, të tillë që të sigurojë ekzistencën individuale të Shqiptarve si brenda ashtu dhe jashtë Shqipnis. Me regjimin e Jugosllavisë së re besoj se këtij qëllimi i asht arrijtë dhe sigurue vazhdueshmënija e kësaj gjendjeje me marëveshjen e bame me të. Për herën e parë vetëm tash u-ba e mundun që popullsis s’onë jashtë Shqipnis t’i njifen të drejtat kombtare si në Kosovë, ashtu në Maqedhoni, ku janë hapë, në mos gaboj me mijra shkolla shqipe. Kshtu kjo popullsi nuk do të zhduket, sikurse kishte marë rrugën para 1939. M’anë tjetër kjo marëveshje me Jugosllavinë dhe mbështetja e Rusis na ka shpëtue deri sot disa herë nga sulmet e Anglis, e cila gjatë luftës vetëm nji herë njofti pjesëmarjen t’onë aktive në luftë, por edhe at’here bani nji rezervë për sa i përket kufijve të Shqipnis pas mbarimit të luftës (deklarata e Iden-it në Dhetuer 1942). Me kët politikë të jashtëme pra kanë pa dhe shif sigurimin e kufijve t’onë kundrejt imperializmit perëndimor si edhe ruajtjen e individualitetit t’onë kombëtar.

Politikën e bame e përmbledhi në reformat e bame. Unë përgjithësisht në ekonomi nuk jam marë kurrë, por vetëm me arsim dhe me çashtjet kulturale. Çeshtjet ekonomike i gjykoj pra në praktikë e në lidhje me fuqin t’ime financiare. Nga kjo pikëpamje për sa më përket unë mund të jem vetëm i kënaqun pse kam shpëtue prej spekulacionit dhe kam të sigurue vedit çka më duhet. M’anë tjetër mund të besohet këjo kënaqësi edhe prej faktit se të dy reformat e mëdha (agrare dhe e tregtis) s’më kanë prek aspak. Por reforma që më ka pëlqye ma tepër asht ajo e bame në fushën e arsimit dhe të kulturimit të popullit për arsye se këtë reformë e kam dishrue gjithmonë: zhdukjen e besimit, që ka qenë gjithëmonë vegël e huej dhe që ka nda popullin t’onë, shdukjen e injorancës që ka pengue gjithnji çdo përmirësim të jetesës së popullit.
               
Plotësime ose haresa:
 Po sa kam harrijtë në Jerusalem Sterlingu u tha Qemalit, Brankos dhe Sulos se komiteti do të njifet brenda njij kohe të shkurtë se do të gjindet edhe nji zyrë dhe u dha shpërblimin për 3 muej (nga 50 stërlina letër në muej). Pas 3 muejve, passi s’u njoft as komiteti – që as nuk veproj aspak – dhe as u krijue zyra, Qemali refuzoj marjen e të hollave të tjera. Në Dhetuer 1941 në gazetat e Kairos dhe të Palestinës doli i pari lajm, i ardhun nga Londra me burim Stambolli, mbi lëvizjen e armatosun në Shqipni, ishte nji i M. Pezës në Varrej; Në Mars 1942, pak para nisjes s’onë në Turki nëpër Jerusalem kaloj zonja Hasluk (që flet shqip pse ka jetue shumë kohë n’Elbasan). Qemali këtë grue e kishte njoftë në Athinë, para ardhjes në Stamboll, me anë miqësh. Ai u pa me të në Jerusalem. Ai si foli gjatë për komitetin, por insistoj që Qemali të marri të gjitha shpërblimet e muejve të kaluem. Qemali refuzoj. I tha pastaj se ajo shkon në Stamboll për të gjetë shqiptarë të rinj për t’i ushtrue si parashytistë me qëllim që të hidhen në Shqipëri. Nuk besonte në lajmet e gazetave mbi fillimin e lëvvizjes s’armatosun në Shqipni. Insistonte se për të parë të drejtën e vet Shqipnija në konferencën e Paqes duhej që populli shqiptar të çohet kundër pushtuesit. Unë nuk u pash me të. I kërkoj Qemalit nga ka dalë lajmi i parë si edhe disa të tjerë mbi lëvizjen në Shqipni. Ne nuk dijshim. Ma vonë mora vesh se i kishin pre udhëtarët nga Shqipnija dhe konsullata e Stambollit e kishte përhapë.

2) Pas dy muejve kur u ktheva në Stamboll mora vesh se Mashuk kishte gjetë 6 të rinj të mbetur rrugëve (2-3 nëntoger, 2-3 ushtarë të thjeshtë) nga t’ikurit shqiptarë dhe i kishte marë që t’ushtrohen si parashutista n’Egjypt ose në ndonji tjetër vend. Nuk dij nëse janë përdorë për kët qëllim.

3) Njikohësisht pas propagandës së konsullatës greke në Stamboll disa shqiptarë orthodhoks, e sidomos grekofonë shtetas shqiptarë, shkuen n’Egjypt dhe u regjistruan si vullnetarë grekë. Nuk dij nëse kanë marë pjesë në luftime. Nuk dij nëse ky fakt kishte lidhje me veprimit e Hashuk-ës në Stamboll, e cila, si mori vesh, s’ka ba asnji veprimtari politike tjetër.

4) Ditën e parë passi zbrita në hotel, u paraqita në Ministrinë e P. të Jashtëme të z. Dh. Evangjeli, të cili i bana, gojarisht, por ai mori shënime, raportin mbi gjendien e kolonis s’onë në Stamboll.

5) Besoj se në Ministrinë e P. të Jashtëme gjinden botimet e bame në Stamboll e në kairo si edhe disa ekzemplare buletinash.

6) Në muejin Nanduer 1945-së kam kalue shumë ditë në bibliotekën kombëtare për marrjen në dorëzim të librave. Nji ditë me Drejtorin gjeta Skënder Luarasin dhe Hasan Reçin. Kët të mbramin e njofta personalisht atë ditë (dhe m’a sjam pa me të), por dikurë e kishe mprojtë si edhe Luarasin dhe disa mësues të tjerë - nga persekutimet. Drejtorin e bibliotekës A. Budon e kam njoftë që n’ato ditë. Atë ditë që përmenda u bisedue se si e kemi gjetë Shqipnin na që ishin jashtë dhe së fundi njeni – nuk dij i cili – më tha që të paraqitem si kandidatë deputet: U thashë edhe sikur të kishe energjin dhe shëndetin të veprojë ashtu si duhet e të jap kontributin t’im, nuk do t’ishte mirë që nji njeri i kohnave të kalueme, e sidomos i ikun të përfaqësojë luftëtarët e rij që kanë krijue Shqipërin e re. Me thanë besoj ma tepër për njeri – se për veprimin t’im n’arsim në kohën e kalueme edhe mund të bahem deputet. U përgjegja se sot më tepër se kurë jam i mendimit që sejcili duhet të jetë n’at vend ku më së miri mund të kryejë detyrën, tue dhanë kontributin ma të madh dhe se unë ndihem se kët kontribut mund ta jap në mënyrën e plotë vetëm si arsimtar aktiv, me gjith se jo aq i fort dhe i shëndosh.

7) Vjetin e parë të veprimit t’im në shkollë kam parë se kryejshe detyrën me vështirësi dhe kishe vendos të kërkojë nji detyrë, gjithnji n’arsim, ku nuk jam i shtërnguem me folë (edhe nxanësit kanë vue re se flas me vështirësi). Por kur gjatë pushimit të verës së kalueme mora vesh se po pregatitet reforma arsimore, vendosa me sjellë si arsimtar aktiv, tue i dhanë çka mund t’i jap kësaj reforme. Këtë e thashë që të shifet se me ç’sy e kam pranue reformën arsimore 

8) Shumë nga personat, që i shifshe për herë të parë pas kthimit t’im këtu, pas përshëndetjes më pyetnin mbi konditat e jetesës në Stamboll. Të gjithëve u kam thanë ashtu si ishte e vërteta: se jeta atje asht mesatarisht 4 herë ma e shtrenjtë se këtu, dhe si shembull u paraqitshe çmimin e sheqerit (me gjith se Turqija e prodhon vetë sheqerin dhe për eksportin) dhe atë të mishit e të restaurantavet përgjithësisht. 

9) Qysh se kam ardhë e deri në ditën e arrestimit nuk jam pa me ndonji të huej.
 
D e k l a r u e s i
(Mirash Ivanaj)
(firma)
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi

Partitë proruse përfshihen në qeverinë e riorganizuar të Malit të Zi