PRISHTINË, 18 Dhjetor/ATSH/.- Në Tel Aviv të Izraelit është duke u xhiruar filmi "Out of the deep" i cili ka bërë bashkë ekipe të filmit nga Kosova dhe Izraeli.
Sipas KosovaPress, për xhirimin e këtij filmi atje po qëndron ekipi kosovar i filmit me producente Blerta Basholli, e cila është edhe asistentja e parë e regjisë në këtë projekt.
"Out of the deep" është film i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar të Nony Geffen dhe filmi flet për Nony, një djalë rreth të 30-ave i cili merr pjesë në luftën e tretë në Liban dhe është i vetmi i mbijetuar nga njësiti i tij. Nony nga lufta del me trauma dhe fillon të krijoj një karakter të ri.
Në këtë film luajnë aktorë të njohur izraelitë si Nony Geffen, Dudu Tassa (këngëtar shumë i njohur), Sasson Gabai (njëri nga aktorët më të famshëm izraelit dhe dy herë fitues i Israeli Academy Awards) etj.
Regjisori, skenaristi dhe protagonisti në filmin "Out of the deep", Nony Geffen është i njohur për filmin e tij debutues "Not In Tel Aviv" i cili ka fituar çmimin special të jurisë The Silver Leopard në Festivalin e Filmit Locarno në Zvicër, si dhe çmimin e parë në Festivalin Cine South në Izrael.
"Out of the deep" është mbështetur nga Israeli Film Fund dhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës si projekt minor. /m.m/