Lufta/ Mbi 900 të vrarë në Izrael, 687 në Rripin e Gazës! Hamasi kërcënon me ekzekutimin e pengjeve ndërsa Netanyahu sulmon me raketa

Pas 48 orësh luftime, ushtria izraelite ka marrë kontrollin e të gjitha zona rreth Gazas në të cilat kishin arritur të hynin njerëzit e armatosur të Hamasit bëri të ditur ushtria izraelite. Ndërkohë forcat izraelite kanë ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në disa qendra strategjike të Hamasit në Gaza thanë forcat izraelite të Mbrojtjes në një deklaratë të hënën (9 tetor 2023)

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka urdhëruar një rrethim të plotë të Rripit të Gazës dhe ndalimin e furnizimeve me ushqim, benzinë dhe energji elektrike. "Kam urdhëruar një rrethim të plotë: nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, benzinë. Gjithçka është e mbyllur," tha Gallant pas një konsultimi sigurie në Komandën Jugore në Beersheba.

Grupi militant islamist nisi sulmin të shtunën në mëngjes, 7 tetor 2023,  duke lëshuar raketa në Izrael ndërsa shumë lufëtarë të armatosur kapërcyen kufirin e fortifikuar që kishte ndërtuar Tel Avivi për të mos lejuar të hynin palestinezët e Rripit të Gazës.

Më shumë se 900 persona janë vrarë dhe 2500 të plagosur deri tani gjatë sulmit të Hamasit në Izrael. Mes viktimave ka dhe shtetas me kombësi të huaj apo me dy shtesësi, nga Brazili, Franca, Meksika, Nepali, Tajlanda, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Shumë prej viktimave janë të rinj dhe ishin pjesëmarrës në festivalin “Supernova” ku janë gjetur trupat e pajetë të 260 personave. 

750 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa Hamasi ka konfirmuar se ka marrë peng 100 persona. Mes tyre mendohet të jenë dhe shtetas amerikane e gjermanë. Nga ana tjetër zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë zbuloi se numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite është rritur në 687, ndërsa 3,726 kanë mbetur të plagosur.

Ushtria izraelite thotë se kanë goditur 500 objektiva të Hamasit, mes tyre dhe Bankën Kombëtare Islamike. Në Gaza numri i të vdekurve nga kundërsulmi izraelit ka arritur në 560 dhe mbi 2900 të plagosur, raporton ministri i Shëndetësisë i Rripit të Gazas.

Bombardimet izraelite vijojnë dhe në Bregu Perëndimor. Sirenat ranë të hënën dhe në zonën e Tel Avivit dhe në Jerusalem dhe dëshmitarë në qytetin e shenjtë thonë se ka pasur shpërthime. Ndërkohë mëngjesin e sotëm Forcat e Mbrojtjes izraelite deklaruan se kishin kapur 80 militantë.

Irani ka deklaruar se e mbështet Hamasin në veprimet e tij, por ka mohuar kategorikisht përfshirjen. Ndërkaq Shtetet e Bashkuara dërguan anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor në një demonstrim mbështetjeje pas sulmit të Hamasit. Bashkimi Europian nga ana tjetër ka vendosur të pezullojë menjëherë pagesat e destinuara për popullsinë palestineze në pritje të rishikimit të programeve të ndihmës të zbatuara tashmë për një total prej 691 milionë eurosh.

Liga Arabe ka dënuar dhunën nga të dyja palët, ndërsa Rusia paralajmëron se forca të tjera mund të përfshihen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
Biden: Të paktën 11 amerikanë të vrarë në sulmet e Hamasit

1696706224_e5b881f2165b4d14b07db4db0cde8648.jpg

“Të paktën 11 qytetarë amerikanë u vranë në sulmet e Hamasit në Izrael, shumë prej të cilëve e kishin bërë Izraelin shtëpinë e tyre të dytë.” 

Kështu raporton Joe Biden, duke shtuar se ka edhe qytetarë amerikanë të zhdukur dhe se “ne po punojmë me udhëheqësit izraelitë për të marrë më shumë informacione se ku ndodhen”.

Ora 22:10
Hamasi: Ne do të ekzekutojmë një civil izraelit për çdo bombardim të ri të civilëve pa paralajmërim

1696861531_hamas.jpg

Hamasi ka thënë se do të fillojë ekzekutimin e një të burgosuri civil izraelit në këmbim të çdo bombardimi të ri izraelit të shtëpive të civilëve pa paralajmërim.

Ora 21:07
Forcat e Armatosura izraelite: Mbi 900 të vdekur në Izrael për shkak të sulmeve të Hamasit

1696863590_0df1f621163046fb9256afadc550e8531.jpeg

Të paktën 900 njerëz janë vrarë në sulmet e Hamasit ndaj Izraelit. Lajmi është bërë i ditur nga radioja e ushtrisë izraelite.

Ora 21:05
Lufta/ Numri i të vdekurve palestinezë shkon në 687

1696864432_gaza.jpg

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë zbuloi se numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite është rritur në 687, me 3,726 të plagosur.

Ora 19:06
Bombat izraelite në Liban, një ushtar i Hezbollahut i vrarë

1696862211_Screenshot1.jpg

Një ushtar i Hezbollahut është vrarë në bombardimet izraelite në kufirin me Libanin.

Këtë e bëri të ditur grupi shiit libanez pro-iranian.

Ora 19:04
Sulmi në Izrael, Netanyahu: Egjipti nuk më paralajmëroi për sulmin e Hamasit

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mohon të jetë paralajmëruar nga shefi i inteligjencës egjiptiane Abbas Kamel për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.

Netanyahu tha se nuk ka folur apo takuar me Kamel që nga formimi i qeverisë, as përmes kanaleve dytësore dhe as drejtpërdrejtë.

Ndër të tjera kryeminitstri izraelit tha se ky është një lajm krejtësisht i rremë.

Faqja e internetit Ynet kishte raportuar se kryeministri izraelit ishte informuar për sulmin 10 ditë përpara se të ndodhte nga shërbimet sekrete egjiptiane.

Ora 17:39
Frikë dhe panik mes pasagjerëve, sulmohet me raketë aeroporti i Tel Avivit në Izrael (VIDEO)

Një raketë e lëshuar nga Rripi i Gazës ra në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv, duke shkaktuar panik dhe frikë mes pasagjerëve.

Një zëdhënës i Autoritetit të Aeroporteve të Izraelit shpjegoi se raketa u kap nga sistemi i mbrojtjes ajrore, duke shtuar se ajo që ndodhi nuk shkaktoi dëme apo të lënduar.

 

 

Ora 16:56
Sulmi në Izrael, Netanyahu thirrje Bidenit: Duhet të hyjmë në Gaza

“Duhet të hyjmë në Gaza”, i tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu Presidentit Joe Biden gjatë bisedës telefonike të dielën, sipas mediave amerikane.

"Duhet të hyjmë. Nuk mund të negociojmë tani," thuhet se i tha Netanyahu Bidenit kur ai e pyeti për pengjet.

Presidenti amerikan nuk ishte përpjekur ta bindte të mos vazhdonte dhe e kishte pyetur për frontin e dytë të mundshëm në kufirin midis Izraelit dhe Libanit.

Netanyahu u përgjigj se fronti libanez është shkak për shqetësim dhe Izraeli po përgatitet, por nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përgjigjet me forcë në Gaza.

Ora 16:53
VIDEOLAJM/Bastisje masive në Gaza, goditen 130 objekte të Hamasit

1696863398_hamas.jpg

Izraeli po kryen sulme masive në Rripin e Gazës, ndërsa ushtria e shtetit hebre konfirmoi se ka bombarduar 130 vende të Hamasit në Gaza gjatë orëve të fundit.

 

 

Ora 16:35
Sulmi i Hamasit, rreth 20 italianë në mesin e 300 mijë rezervistëve të tërhequr nga Izraeli

1696849684_center.jpg

Sipas Adnkronos , në mesin e rreth 300 mijë rezervistëve të mobilizuar nga Izraeli në përgjigje të sulmit të Hamasit, ka edhe rreth 20 rezervistë italianë që kanë shtetësi të dyfishtë dhe për këtë arsye janë tërhequr.

Eyal Mizrahi, president i shoqatës Miqtë e Izraelit (ADI), tha se zona më problematike është në Hezbollah.

"Lufta kundër Gazës do të jetë e ashpër, por e gjithë ushtria izraelite nuk do të duhet të hyjë. Problemi është më shumë drejt veriut me Hezbollahun: atje është një rrezik. dhe prandaj forcat po mobilizohen në atë drejtim. Sa për rezervistët e tërhequr nga jashtë, për ata që duan të kthehen tani problemi është i lidhur me fluturimet, nuk janë shumë prej tyre dhe shumë kompani kanë anuluar nisjet", tha president i shoqatës Miqtë e Izraelit.

Ora 16:24
VIDEOLAJM/ Hamas tregon për herë të parë sistemin e mbrojtjes ajrore “Mubar 1”

1696861531_hamas.jpg

Për herë të parë brigada Ezzedin al Qassam prezantojnë sistemin e mbrojtjes ajrore e quajtur.

Ky sistem përdor raketahedhës të ngarkuar manualisht që mund të drejtohen nga distanca. Sipas asaj që thuhet nga krahu i armatosur i Hamasit, kjo armë është e prodhimit vendas.

 

Ora 16:04
Sulmi i Hamasit në Izrael, BE pezullon pagesat për palestinezët

1695563507_olivrvrhelyi.jpg

BE-ja ka vendosur të pezullojë menjëherë pagesat e destinuara për popullsinë palestineze në pritje të rishikimit të programeve të ndihmës të zbatuara tashmë për një total prej 691 milionë eurosh.

Këtë e ka bërë të ditur komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, i cili tha se tanimë gjërat nuk mund të jenë si dikur.

"Shkalla e terrorit dhe brutalitetit kundër Izraelit dhe popullit të tij është një pikë kthese. Gjërat nuk mund të shkojnë si dikur," theksoi ai.

Ora 16:03
Sulmi në Izrael, Netanyahu: Përgjigjja ndaj Hamasit do të ndryshojë Lindjen e Mesme

Kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë takimit me kryetarët e qyteteve izraelite afër Rripit, tha se përgjigja e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit nga Gaza do të ndryshojë Lindjen e Mesme.

"Shteti nuk do të lërë gur pa lëvizur për t'ju ndihmuar", shtoi ai.

Ora 15:42
Sulmi i Hamasit në Izrael, Egjipti negocion shkëmbimin e pengjeve mes dy vendeve

1696850431_hamham.jpg

Egjipti ka hyrë në negociata me Izraelin dhe grupet militante palestineze për lirimin e grave dhe fëmijëve palestinezë në burgjet izraelite në këmbim të lirimit të grave izraelite të kapur nga militantët e Hamasit .

Këtë e raporton gazeta egjiptiane Al-Ahram , duke cituar burime të mbuluara nga anonimiteti, të cilët nënvizojnë se negociatat kanë për qëllim finalizimin e një marrëveshjeje për shkëmbimin.

“Qeveria egjiptiane aktualisht është në pritje të përgjigjeve nga të dyja palët në lidhje me shkëmbimin e propozuar të të burgosurve dhe një armëpushim të përkohshëm që pritet të qëndrojë në fuqi deri në përfundimin e shkëmbimit”, shkruan Al- Ahram .

Ora 15:39
“Gratë përdhunoheshin pranë të vdekurve, disa prej tyre i ekzekutuan më vonë”, dëshmitë tronditëse të të mbijetuarve nga sulmi i Hamasit në festivalin Izraelit

Dëshmitë e dëshmitarëve okularë që ishin në festivalin muzikor në kufirin Gaza-Izrael dhe arritën të shpëtojnë të gjallë nga duart e terroristëve të Hamasit janë tronditëse.

“Një person që ishte në festival përshkruan tmerret e sulmit. Sulmi në festivalin e fisit Nova jashtë Reim filloi rreth orës 7 të mëngjesit. Festa kishe filluar dhe shumica e njerëzve kishin pirë. Në fillim, kalimtarët dëgjuan një shpërthim të fortë, për të cilin ata supozuan se ishte një tjetër sulm sporadik me raketa në Izraelin jugor. Por më pas shpërthimet u bënë më të forta dhe më të vazhdueshme dhe zgjatën rreth pesë minuta. Muzika ndaloi dhe policia që po mbronte 4000 ose 5000 njerëzit filloi t’u thoshte të largoheshin.”

Sipas asaj që tha një dëshmitar okular deri atëherë, terroristët e Hamasit po afroheshin me kamionë. Filluan të shtënat. Shumë u ekzekutuan në vend. 260 trupa siç dihet tashmë janë gjetur deri më tani.

Shumë nga të rinjtë filluan të vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre dhe terroristët qëllonin pa dallim.

“Të tjerët u kapën, u lidhën dhe u rrëmbyen. Pashë një video të një burri që mbahej nga një grup arabësh. Ai ishte rreth 16, 17 vjeç,” tha një i mbijetuar.

“Janë fëmijë, të rinjtë i kanë kapur. Një vajzë e rrëmbyen, një Zot e di se çfarë do të ndodhë me të. Gratë janë përdhunuar në ambientet e festës pranë trupave të pajetë të miqve të tyre. Disa nga këto viktima të përdhunimit u ekzekutuan më vonë.'- tha një dëshmitar.

Të tjerët u dërguan në Gaza. Në fotot e publikuara në internet, shumë prej tyre po vraponin nëpër rrugët e qytetit.

“Ndihej sikur po gjuanin mbi kokat tona,” tha një e mbijetuar. “U fsheha në një shkurre. Ndjeja të shtënat që vinin nga kudo.

Mendova se do të ishim atje për të paktën dy orë. Dhe nuk kisha asgjë me vete. Dhe unë thashë, e vetmja gjë që dua është një armë. Dua diçka që të na mbrojë”. Më në fund, ajo dhe miqtë e tij, disa prej tyre zbathur, vendosën të rrezikonin dhe të përpiqeshin të arrinin në një vend të sigurt duke ecur fare pranë rrugës.

“Unë thashë, nëse shohim ndonjë gjë që duket si makina ushtarake apo policie, do të dalim në rrugë. Kur pamë makina të policisë dhe ushtrisë, e dinim se ishte një vend i sigurt”.

Gili Yoskovich ishte në mesin e qindrave në festival dhe përshkroi për BBC se si u fsheh nën një pemë, ndërsa personat e armatosur endeshin dhe qëllonin këdo që gjenin.

“Terroristët vinin nga të katërta anët, kështu që ne nuk e dinim nëse duhet të shkonim këtu, kështu që unë u ktheva në makinën time dhe vozita pak më shumë. Disa qëllonin mbi mua. Lashë makinën dhe nisa të vrapoja, pashë një vend me shumë pemë  dhe shkova atje. Kështu e gjeta veten në mes të kësaj fushe, derisa të vinte dikush për të më shpëtuar,” tha ajo.

Ora 14:30
Zelensky: Ekziston një organizatë terroriste, Irani është i përfshirë në sulmet ndaj Izraelit dhe Ukrainës

1696747382_zelensky.JPG

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e lidhi sot sulmin e Hamasit ndaj Izraelit me pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe kritikoi Iranin për të dy konfliktet.

Izraeli u kap në befasi të shtunën kur grupi islamik palestinez Hamas filloi një ofensivë të madhe, raporton Sky News.

“I vetmi ndryshim është se ekziston një organizatë terroriste që sulmoi Izraelin, dhe këtu kemi një shtet terrorist që sulmoi Ukrainën. Qëllimet e deklaruara janë të ndryshme, por thelbi është i njëjtë”, tha Zelensky.

Irani ka mohuar furnizimin e Rusisë me drone kamikaze Shahid për përdorim në Ukrainë dhe ka pohuar se nuk ishte i përfshirë në sulmet e fundjavës ndaj Izraelit. Ukraina ka thënë se rreth 1000 drone Shahid të prodhuar nga Irani janë përdorur nga Rusia në gjashtë muajt e fundit.

Ora 13:20
BE: Nuk do të financojmë më Hamasin, fondet do të shqyrtohen pas sulmeve

1696850431_hamham.jpg

Një zëdhënës i Komisionit Evropian, Eric Mamer, deklaroi së fundmi se BE në asnjë mënyrë nuk do të financojë Hamasin ose aktivitet e tij.

"BE nuk financon Hamasin ose aktivitetet e tij në asnjë mënyrë", tha Eric Mamer, duke iu përgjigjur një pyetjeje në konferencën e përditshme për shtyp. 

Një zëdhënëse, Ana Pisonero, tha se “BE mbështeti projektin e shtet-ndërtimit palestinez në përputhje me prioritetet e identifikuara së bashku me shtetet anëtare. Komisioni aktualisht po vlerëson se si ngjarjet e fundit tragjike do të ndikojnë në ndihmën aktuale dhe të ardhshme të zhvillimit”.

Ajo gjithashtu tha se fondet e BE-së mbështesnin shërbimet thelbësore për popullin e Palestinës dhe kontributin e tyre në shpenzimet e Autoritetit Palestinez për kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale për familjet në nevojë dhe për pagat e punonjësve publike.

"Fondet e BE-së mbështesin shërbimet thelbësore për popullsinë palestineze dhe kontribuojnë në shpenzimet e Autoritetit Palestinez për kujdesin shëndetësor, ndihmën sociale për familjet në nevojë dhe për pagat e punonjësve publikë", kujtoi Pisonero e cila përmendi gjithashtu edhe ndihmën në sektorët e burimeve ujore dhe menaxhimit të energjisë.

Ora 13:07
Ushtria izraelite: Kemi nisur një sulm të gjerë në qendrat e Hamasit

 

Ushtria izraelite së fundmi ka deklaruar se ka nisur një sulm "të gjerë" ndaj qendrave të Hamasit në Gaza.

Si Forcat e Mbrojtjes së Izraelit ashtu edhe Forcat Ajrore Izraelite njoftuan operacionin në mediat e tyre sociale, raporton BBC.

Kjo vjen pasi Hamasi rifillon një sulm me raketa në shkallë të gjerë ndaj Izraelit nga Rripi i Gazës.

Ora 12:59
Sulm ajror në kampet e refugjatëve të Palestinës, raportohen për disa viktima dhe të plagosur

1696849491_refu.jpg

Dy kampe refugjatësh janë goditur nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Palestinës.

Ministria raportoi se të dy kampet e Al-Shati (i njohur gjithashtu si kampi i plazhit) dhe kampi Jabalia u sulmuan, duke lënë disa të plagosur dhe të vdekur, raporton BBC.

Janë 8 kampe refugjatësh të njohur në Rripin e Gazës me popullsi të dendur.

Ora 12:47
Sulmi në Izrael, BE thërret për një takim urgjent ministrat e Jashtëm

1696260014_1696259968borrel.jpg

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thirrur një takim urgjent të 27 ministrave të jashtëm të bllokut.

“Unë do të mbaj nesër një takim urgjent të ministrave të jashtëm të BE-së për të folur për situatën në Izrael dhe në rajon", tha Borrell në një mesazh të postuar në X (ish-Twitter).

Izraeli ka shpallur gjendjen e luftës, dhe brenda 48 orësh ka rekrutuar 300 mijë rezervistë. Një kolonë tankesh ka shkuar drejt Gazës. Ushtria izraelite thotë se kanë goditur 500 objektiva të Hamasit, mes tyre dhe Bankën Kombëtare Islamike. Në Gaza numri i të vdekurve nga kundërsulmi izraelit ka arritur në 436 dhe mbi 2270 të plagosur, raporton ministri i Shëndetësisë i Rripit të Gazas.

Ora 12:40
Rrethimi i plotë në Gaza, Izraeli urdhëron ndalimin e furnizimit me ushqim dhe energji elektrike

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka urdhëruar një rrethim të plotë të Rripit të Gazës, duke ndaluar furnizimin me ushqim, benzinë dhe energji elektrike.  

"Kam urdhëruar një rrethim të plotë: nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, benzinë. Gjithçka është e mbyllur," shtoi Gallant pas një konsultimi sigurie në Komandën Jugore në Beersheba.

"Ne po luftojmë kafshët njerëzore dhe do të sillemi në përputhje me rrethanat," tha ai.

 

Ora 12:40
Hamasi: 4 pengje u vranë nga sulmet izraelite në Gaza

1696848227_pengje.jpg

Katër të burgosur izraelitë u vranë nga sulmet izraelite në Gaza në orët e fundit: këtë e tha Abu Obeida, zëdhënës i Brigadave Izzedin al Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, cituar nga televizioni Al Manar i partisë libaneze Hezbollah.

Ora 12:05
Ushtria izraelite rimerr kontrollin e zonave përreth Gazës

1696845857_Screenshot1.jpg

Zëdhënësi i forace izraelite, Daniel Hagari deklaroi për CNN se ushtria izraelite ka rimarrë kontrollin e të gjithë komuniteteve përreth Gazës.

Nuk ka luftime midis trupave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit dhe Hamasit brenda Izraelit, dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve rreth Rripit të Gazës tha sot zëdhënësi i forace izraelite, Daniel Hagari.

 Njoftimi vjen pas më shumë se 48 orë që kur Hamasi nisi një sulm të befasishëm me mijëra raketa dhe luftëtarët e Hamasit kaluan kufirin e fortifikuar në një inkursion të ngjashëm të cilin Izraeli nuk e kishte parë që nga Lufta e Pavarësisë e vitit 1948.

Ora 11:58
Rethohet Gaza! Sirenat bien në Jerusalem, Tel Aviv dhe pjesë të tjera të Izraelit

1696848870_jhbed.jpg

Sirenat e alarmit janë dëgjuar nëpër të gjithë Jerusalemin, Tel Avivin dhe pjesë të tjera të Izraelit ndërsa raketat lëshohen nga Gaza. Sipas ushtrisë izraelite, të paktën tre shpërthime janë dëgjuar në Jerusalem, megjithëse nuk është ende e qartë nëse raketat janë kapur nga mbrojtja izraelite.

Ushtria izraelite njoftoi se ka rimarrë kontrollin e të gjitha komuniteteve rreth Rripit të Gazës. Njoftimi vjen 48 orë pasi Hamasi nisi një sulm të befasishëm me mijëra raketa ndërsa luftëtarët e tij kaluan kufirin dhe pushtuan territorin izraelit për herë të parë që nga Lufta e Pavarësisë e vitit 1948.

Në veçanti, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha këtë mëngjes se Izraeli kontrollon të gjitha komunitetet dhe aktualisht nuk ka luftime brenda Izraelit, por se është e mundur që ende të ketë luftëtarë të Hamasit në tokën izraelite. Ai tha se evakuimi i të gjitha komuniteteve pranë gardhit kufitar po zhvillohet, raporton CNN.

Në të njëjtën kohë, Izraeli është gjithashtu në gatishmëri në veri pasi ka pasur disa incidente lokale dje edhe pse nuk ka pasur raportime për luftime. Në njoftimin e zëdhënësit të ushtrisë izraelite, përmendet se Forcat e Mbrojtjes izraelite janë në proces të sulmeve ajrore intensive, çdo katër orë, në Rripin e Gazës me qindra objektiva që sulmohen në vende ku ka vetëm terroristë.

Ora 11:44
VIDEOLAJM/ Do çante postbllokun me eskavator, neutralizohet nga forcat izraelite! Parandalohet atentati në Cisjordani

1696844654_heb.jpg

Mëngjesin e sotëm, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) parandaluan një sulm terrorist në Hebron, Bregu Perëndimor, ku një burrë duke drejtuar një eskavator po përpiqej të përplaste një pikë kontrolli. 

Personi në fjalë ishte në një transmetim të drejtpërdrejtë në mediat e tij sociale në lidhje me tentativën e sulmit, tha IDF, por sulmuesi u neutralizua nga ndërhyrja e ushtrisë izraelite

 

Ora 11:37
VIDEOLAJM/ Përparojnë forcat izraelite, vendosin tanke përgjatë kufirit me Gazën

1696844213_jds.jpg

Më 9 tetor, forcat izraelite dhe tanket kanë përparuar duke u vendosur përgjatë zonës kufitare me Gazën. Ky veprim pasoi një sulm të udhëhequr nga Izraeli në Gaza të dielën, në përgjigje të një prej sulmeve më vdekjeprurëse në historinë e saj. 

Përshkallëzimi i dhunës ishte më i keqi që nga sulmi i Egjiptit dhe Sirisë në luftën e Yom Kippur 50 vite më parë, duke rritur rrezikun e një zjarri të ri në konfliktin afatgjatë, raporton La Repubblica.

Si kundërpërgjigje, sulmet ajrore izraelite goditën ndërtesat e banimit, tunelet, një xhami dhe shtëpitë e zyrtarëve të Hamasit në Gaza, duke vrarë më shumë se 400 njerëz, përfshirë 20 fëmijë.

 

Ora 11:23
VIDEOLAJM/ Humbën jetën 260 persona, pamjet me dron zbulojnë shkatërrimin e festivalit në shkretëtirë nga ushtarët e Hamasit

\

Mëngjesin e 8 tetorit, filloi sulmi i Hamasit ndaj Izraelit, ku në shkretëtirën e Negevit në të cilën po zhvillohej Festivali Nova, edicioni i parë lokal i "Universo Paralello World Tour", një ngjarje e famshme për entuziastët e psychedelic music dhe humbën jetën 260 persona. Sipas pamjeve të publikuara vendi është i shkatërruar plotësisht, rrugët janë të mbushura plot me makina të shkatërruara

Masakra, sipas dëshmitarëve, është kryer nga ushtarët e Hamasit, gjatë aksionit të nisur në territorin izraelit. Inteligjenca izraelite beson se Hamasi ishte në dijeni të partisë dhe se qëllimisht drejtoi atje një pjesë të milicëve të saj, të cilët arritën në zonë me avionë, raporton La Repubblica.

Ora 11:08
Katari ndërmjetëson shkëmbimin e të burgosurve mes Izraelit dhe Hamasit

1696844204_1696830798polo.jpg

Katari po ndërmjetëson një shkëmbim urgjent të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, citohet të ketë thënë një burim nga Lëvizja e Rezistencës Islamike. 

"Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Katari po përpiqet të arrijë marrëveshjen urgjente që do të çonte në lirimin e grave izraelite të kapur nga Hamasi në këmbim të grave palestineze të mbajtura në burgjet izraelite," tha burimi.

Sipas burimit Hamasi informoi Katari që do të ishte në dispozicion për operacionin nëse liroheshin të 36 gratë palestineze të mbajtura në burgjet izraelite. Aktualisht nuk ka asnjë konfirmim nga Izraeli për ndërmjetësimin.

Ora 10:58
Zelensky: Ndërkombëtarët të marrin masa kundër organizatave dhe shteteve terroriste

1696338736_1696338698lele.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për të luftuar si organizatat terroriste ashtu edhe shtetet terroriste, duke thënë se taktikat e përdorura nga Hamasi në sulmin e tij ndaj Izraelit janë të njejta me ato të përdorura nga Rusia në Ukrainë.

Ai tha se gazetarët izraelitë që kishin qenë në Ukrainë dhe ishin dëshmitarë të pasojave të mizorive në vende si Bucha ku u zbuluan varreza masive, tani po praktikonin taktika të ngjashme me ato të përdorura në vendin e tyre, raporton The Independent.

Duke folur në asamblenë parlamentare të NATO-s në Kopenhagë, Zelensky tha se askush nuk do ta harronte kurrë sulmin ndaj Izraelit në fundjavë.

“Mos i përdhunoni gratë. Mos vrisni. Mos i konsideroni fëmijët si trofe. Mos i mbushni fshatrat dhe qytetet me gjak. Mos qëlloni civilët në makina”, tha Zelensky.

Zelensky drejtoi gishtin nga Irani, duke thënë se vendi nuk mund të deklarojë se nuk kishte të bënte me pushtimin e Ukrainës nëse vazhdon t’i shesë dronë Rusisë dhe Irani gjithashtu nuk mund të deklarojë se nuk kishte të bënte me sulmin ndaj Izraelit kur ai zyrtarët e mbështesin atë.

Ora 10:44
VIDEO/ Përleshje mes mbështetësve palestinezë dhe një grupi pro-izraelit në Washington dhe New York

1696841264_ksad.jpg

Demonstruesit u mblodhën në qytetin e Nju Jorkut për të shprehur mbështetjen e tyre për Palestinën ndërsa luftimet mes forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit vazhdojnë. 

Mbështetësit pro-palestinezë mbajtën një tubim në Times Square dhe marshuan nëpër Midtown Manhattan ndërsa mbështetësit pro-izraelitë u mblodhën pranë konsullatës izraelite në Manhattan.

Disa nga demonstruesit përcollën mesazhe solidariteti për Palestinën, duke valëvitur flamuj dhe duke shfaqur pankarta.  Në anën e kundërt të zonës së protestës, u mblodhën një grup demonstruesish pro-izraelitë, duke mbajtur flamuj izraelitë, raporton agjencia e lajmeve AssociatedPress.

Shkëmbime verbale dhe tallje ndodhën në mënyrë sporadike midis dy grupeve. Protesta, e cila iu nënshtrua masave të gjera të sigurisë nga policia, përfundoi e qetë.

Ndërkohë në një video që po qarkullon në rrjetet sociale thuhet se shihet një përleshje midis mbështetësve palestinezë dhe një grupi pro-izraelit në Kirkland, Washington.

 

Ora 10:27
VIDEOLAJM/ Momenti kur ushtria izraelite shkatërron me raketa Bankën e Hamasit në Gaza

 

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit(Israeli Defence Force, IDF) thanë se goditën dy kulla të larta në Rripin e Gazës që përmbanin asete të Hamasit, thekson gazeta The Times Of Israel.

Një nga ndërtesat, Banka Kombëtare Islamike në pronësi të Hamasit, u godit nga avionët luftarakë izraelitë, raportojnë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit IDF, raporton La Repubblica.

IDF shton se shkatërroi gjithashtu një dhomë lufte të përdorur nga një anëtar i lartë i Hamasit, Muntasir Frej dhe se sulmet vazhdojnë në Rripin e Gazës.

"Është koha për të zhdukur infrastrukturën e Hamasit. Izraeli nuk do të pranojë asnjë krahasim të rremë midis një grupi që përhap terror dhe sulmon të pafajshmit dhe Shtetit Demokratik të Izraelit. Ne kemi parë qindra hebrenj të masakruar gjakftohtë", tha ambasadori izraelit në OKB Gilad Erdan, në një konferencë për gazetarët në Pallatin e Qelqtë, ku mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurimit duhet të fillojë për më pak se një orë.

Ora 09:59
Izraeli: Forcat politike të gatshme për një qeveri të bashkuar kundër Hamasit

1696838453_iziziz.jpg

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe liderit të opozitës MK Benny Gantz, ish-shefit të shtabit të IDF dhe ministrit të mbrojtjes, që të formojnë menjëherë një qeveri emergjente për të menaxhuar luftën.

Deklarata vjen pas një fjalimi televiziv të Gantz mbrëmë, në të cilin ai deklaroi se i tha kryeministrit të shtunën se do të ishte i gatshëm të bashkohej me qeverinë "me synimin për të krijuar një kabinet lufte që do të drejtojë frontin e betejës kundër Gazës dhe të tjerëve”.

"Uniteti dhe kohezioni, këto të dyja janë një thirrje për të mposhtur armiqtë tanë. Nuk kanë rëndësi ekipet negociuese dhe nuk kanë rëndësi negociatat", tha Smotrich në një deklaratë.

Ditën e djeshme edhe kreu i partisë opozitare Yisrael Beytenu, Avigdor Liberman tha se do t'i bashkohet qeverisë aktuale. Por ai e kushtëzoi mbështetjen e tij me Netanyahun, ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant dhe shefin e shtabit të IDF-së, Herzi Halevi, duke shpallur publikisht se qeveria synon "të eliminojë organizatën terroriste Hamas dhe të gjithë liderët e saj terroristë" dhe kjo nuk do të mjaftonte..

Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, partneri i dytë i lartë i ekstremit të djathtë i Netanyahut, i bëri jehonë kushteve të Liberman, duke thënë në një deklaratë këtë mëngjes, duke thënë se ai do të pranonte një qeveri uniteti vetëm nëse "qëllimi i saj i deklaruar është humbja totale e Hamasit dhe shkatërrimi i ushtrisë së tij. dhe pushteti politik”.

Ora 09:54
Tajani: Hamasi nuk dëshiron asnjë lloj dialogu, duhet të punojmë për paqen

1695709352_natoantoniotajanikforkosoveserbitensioneneveritekosoves.jpg

Hamasi nuk dëshiron asnjë lloj dialogu dhe dëshiron të distancojë botën arabe nga Izraeli, deklaroi ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, në radion Rtl 102.5, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse sulmi i Hamasit synon të ftohë rimëkëmbjen e marrëdhënieve midis Tel Avivit dhe botës arabe, në veçanti Arabisë Saudite. 

"Marrëveshjet e Abrahamit synojnë paqen. Unë isha në Arabi disa ditë më parë dhe Riadi sigurisht që nuk do luftë, ai bisedon me Izraelin. Hamasi do që ta ndajë Izraelin nga këto vende arabe me të cilin ka dialog dhe dëshiron të ndezë konfliktin duke menduar se ka mbështetjen e Iranit. Për momentin, nuk ka asnjë provë për organizimin e sulmit nga pala iraniane. Ne duhet të punojmë për paqen, por askush nuk mund të mendojë të fshijë Izraelin nga harta”, tha Tajani.

Ora 09:45
Izraeli vendos 100 mijë trupa rezervë pranë Gazës

1696837472_kjnsa.jpg

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite, Jonathan Conricus, përmes një videoje të postuar në platformën X (ish-Twitter) tha se vendi i tij kishte vendosur 100 mijë trupa rezervë pranë Gazës për luftën e vazhdueshme me Hamasin.

Ai shtoi se ata duhet të siguroheshin që Hamasi "nuk do të jetë në gjendje të qeverisë Rripin e Gazës", raporton NewYorkTimes.

“Ne kemi vendosur rreth 100 mijë trupa rezervë që janë aktualisht në Izraelin jugor. Detyra jonë është të sigurohemi që në fund të kësaj lufte, Hamasi nuk do të ketë më asnjë aftësi ushtarake për të kërcënuar civilët izraelitë. Përveç kësaj, ne gjithashtu duhet të sigurohemi që Hamasi nuk do të jetë në gjendje të qeverisë Rripin e Gazës”, tha Jonathan Conricus në një video të postuar në X (ish-Twitter).

Conricus shtoi se synimi i trupave izraelitet janë luftëtarët e fundit palestinezë të infiltruar në Izraelin jugor.

Ora 09:20
Pas sulmit të Hamasit, Izraeli lehtëson ligjin për armët

1696783488_gaza.jpg

Izraeli dhe Hamasi janë zyrtarisht në luftë, pas sulmit të paprecedentë të nisur të shtunën nga lëvizja islamike palestineze me bazë në Rripin e Gazës.

Ditën e djeshme, kabineti i Izraelit aktivizoi Nenin 40, duke i shpallur zyrtarisht luftë Hamasit. Ishte një proces kryesisht simbolik dhe formal, duke i lejuar qeverisë Netanyahu të vinte në fuqi një mobilizim më të gjerë të rezervave ushtarake dhe të identifikonte objektiva të luftës, duke ngritur spektrin e një pushtimi tokësor të Gazës.

Në të njëjtën ditë, Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit dhe lideri i partisë ultra-nacionaliste Otzma Yehudit, Itamar Ben Gvir, lëshoi ​​një urdhër urgjent për Drejtorinë e Licencimit të Armëve të Zjarrit, me qëllim të thjeshtimin dhe përshpejtimin e procesit për dhënine  elejeve të armëve të zjarrit për të pajisur sa më shumë qytetarë, raporton agjencia e medias australiane watoday.

Njëkohësisht, sipas njoftimit numri i fishekëve që qytetarët mund të posedojnë është dyfishuar. Gjithashtu, ata izraelitë që kishin një leje për blerjen e një arme zjarri në vitin 2023, por leja ka skaduar, tani do të mund ta zotërojnë atë pa kaluar në proces. Vlerësohet se ky ndryshim ka të bëjë me 4000 qytetarë.

Vihet re se në Izrael kushti i domosdoshëm për të mbajtur armë është ose të kesh kryer trajnime ushtarake, gjë që ndodh gjithsesi pasi rekrutimi është i detyrueshëm, ose të jetosh pranë Rripit të Gazës ose Bregut Perëndimor, ku incidentet e dhunshme në vitet e fundit kanë shumëfishuar.

Ora 09:17
Sulmi në Izrael/ 'Tani nuk do të ketë armëpushim, por vetëm hakmarrje', kush është organizatori i sulmit të Hamasit

1696835931_jnds.jpg

Operacioni i Hamasit në Izrael nuk mund të organizohej pa një udhëheqës që organizonte personat e armatosur dhe rolet e tyre. Sipas Financial Time personi që u shfaq si hije në një video të publikuar duke biseduar me ushtarët e tij, thuhej se zëri në video i përket (ose pretendohet se i përket) Mohammed Deif, komandantit të krahut ushtarak të grupit militant palestinez.

Në artikullin e Financial Times flitet për përparimin e Deif drejt niveleve më të larta të Hamasit, madje duke lënë në hije kundërshtarët e tij në Fatah. Shumë pak persona e njohin atë, por ata që e njihnin në vitet 1980 thanë se edhe atëherë ai thirrej si Deif, por disa të tjerë thanë se e njihnin me emrin e tij të vërtetë, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, por deri në ditët e sotme vetëm një foto e tij qarkullon në rrjetet sociale.

Në intervista, analistët izraelitë dhe palestinezë, duke përfshirë njerëz që e njihnin Deifin përpara se ai të zhdukej në hijet e militantizmit palestinez, përshkruan një njeri të qetë dhe intensiv të painteresuar për rivalitetet e brendshme të fraksioneve palestineze. Në vend të kësaj, thanë ata, ai ishte i vetëm për ndryshimin e natyrës së konfliktit izraelito-arab dhe përdorimin e dhunës si një mjet për ta arritur atë.

Ai lindi në vitin 1960, i cili ishte një “fëmijë” i kampit të refugjatëve Han Younis, i cili kishte një dajë dhe baba që kishin marrë pjesë në bastisjet e viteve 1950 nga palestinezë të armatosur. Në vitet 1980, ai iu bashkua Hamasit dhe si shumë të tjerë kaloi pjesën më të madhe të jetës në burgje. Ata që e kanë njohur e quajnë një njëri të qetë, i cili nuk është i interesuar për rivalitetet e brendshme të fraksioneve palestineze, por po zhvillon taktikat e tij.

"Që nga fillimi i jetës së tij në Hamas, ai ishte i fokusuar në rrugën ushtarake. Ai ishte shumë i sjellshëm, gjatë gjithë kohës një patriot që bënte karikatura të vogla për të na bërë të qeshnim”, tha Mkhaimar Abusada, një profesor i politikës në Universitetin Al-Azhar në Gaza.

Deif nuk është i bindur se konflikti izraelito-arab do të zgjidhet me dhunë, ashtu si të tjerët në Hamas, Dief e sheh Marrëveshjen e Oslos, e cila në fund të viteve 1990 premtoi një zgjidhje paqeje, si një tradhti të rezistencës palestineze. Nofka e tij ushtarake është “Vizitori“, duke iu referuar zakonit të palestinezëve të paligjshëm për të kaluar çdo natë në një shtëpi të ndryshme për të shmangur inteligjncën izraelite.

20 vite më parë, pas një sulmi ajror izraelit, Dief humbi krahun dhe këmbën duke qëndruar në karrige me rrota, por ai prapë arrin t’u shmanget izraelitëve dhe të planifikojë operacione. Izraeli e konsideron atë përgjegjës për vdekjen e dhjetëra njerëzve në sulme vetëvrasëse. Përsa i përket konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës ai beson se tani “nuk do të ketë armëpushim” me Izraelin, “vetëm hakmarrje”.

Dief dikur ndërtonte bomba ndërsa ishte arkitekt i një programi dhjetëvjeçar për të gërmuar një rrjet tunelesh nën Gaza. Thuhet se ai ka studiuar nën Yahya Agias, një bombardues me nofkën “Inxhinieri” i cili u vra nga Izraeli në vitin 1996 me një telefon celular të mbushur me eksploziv.

Figura e tij ka frymëzuar besim dhe respekt brenda Hamasit dhe ndoshta më shumë tek të rinjtë. Operacioni i fundit ndoshta do të rrisë reputacionin e tij.

Ora 09:01
Sulmi në Izrael, anëtarët e ushtrisë izraelite: Ky është 11 shtatori ynë

Dy anëtarë të lartë të ushtrisë izraelite kanë krahasuar sulmet e së shtunës nga Gaza me sulmet e 11 shtatorit në SHBA.

"Ky është 11 shtatori ynë," tha zëdhënësi major Nir Dinar.

Nënkoloneli Jonathan Conricus gjithashtu i krahasoi sulmet e Hamasit me sulmet e mëdha në Amerikë.

"Ky mund të jetë një 11 shtator dhe një Pearl Harbor i mbështjellë në një," tha ai.

"Kjo është, deri tani, dita më e keqe në historinë izraelite. Asnjëherë më parë nuk janë vrarë kaq shumë izraelitë nga një gjë e vetme, e lëre më nga aktiviteti i armikut në një ditë."

 

Ora 08:55
VIDEOLAJM/ SHBA afron luftanijet pranë Izraelit! Aeroplanmbajtësja Ford dhe anijet luftarake përparojnë drejt Mesdheut Lindor

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar anije, aeroplanmbajtëse dhe avionë ushtarakë në Mesdheun lindor dhe gjithashtu do t'i japë Izraelit pajisje dhe municione shtesë. Këto dërgesa vijnë pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, të cilin Presidenti Biden e quajti një "sulm të paprecedentë dhe të tmerrshëm". Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të SHBA tha se disa qytetarë amerikanë ishin në mesin e të vdekurve. Izraeli deklaroi se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 janë rrëmbyer.

Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas sulmeve hakmarrëse ajrore izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë, raporton BBC. Ndihma e mëtejshme ushtarake për Izraelin do të dërgohet në ditët në vijim, sipas deklaratës nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se SHBA po punon për të siguruar që ‘armiqtë’ e Izraelit të mos përfitonin nga situata.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka shprehur mbështetjen për sulmin e Hamasit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për këtë sulm. Hamasi ka thënë se ndihma nga Irani e ndihmoi atë të kryente sulmin e tij, i cili përfshinte raketa, drone dhe militantë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA nuk kishte parë prova të përfshirjes së drejtpërdrejtë iraniane, por tha se Irani kishte ndihmuar grupin me bazë në Gaza për vite me rradhë. Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irani mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Izraelit.

Çdo vit SHBA dërgon miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Izraeli ka qenë marrësi më i madh i përgjithshëm i ndihmës së huaj nga SHBA. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet së shpejti në Nju Jork për të diskutuar dhunën në Izrael dhe Gaza.

Ora 08:30
Tensionet në Lindjen e Mesme, rriten çmimet e naftës dhe arit pas agresionit në Izrael

1696833007_lbsadx.jpg

Dhuna që shpërtheu këtë fundjavë në Izrael ka ndikuar edhe në bursën botërore, teksa zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme po ndiqen nga afër.

Persona të armatosur nga grupi palestinez Hamas hynë në Izrael në një sulm të paprecedentë të shtunën, ndërsa vendet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, dënuan sulmin dhe premtuan mbështetje për Izraelin.

Rritja e rrezikut gjeopolitik ka sjellë blerje në masë të arit dhe dollarit amerikan, por edhe të naftës, prodhimi i së cilës u vu në dyshim pas nisjes së tensioneve në rajon, raporton Reuters.

“Ky është një shembull i mirë se pse njerëzit kanë nevojë për arin në raste të tilla. Është një mbrojtje e përsosur kundër trazirave ndërkombëtare. Sa herë që ka trazira ndërkombëtare, dollari forcohet”, tha Peter Cardillo, kryeekonomist në Spartan Capital Securities.

Çmimi i naftës u rrit më shumë se 4 dollarë për fuçi me hapjen e tregut në Azi para disa orësh, ndërsa ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Arabia Saudite, si një nga prodhuesit kryesorë, lidhur me konfliktin.

Ora 08:13
Sulmi në Izrael, Senatori amerikan fshihet në strehën e bombave gjatë sulmit

1696833551_cc.jpg

Senatori amerikan, Cory Booker, tha se ai ndodhej në Izrael kur Hamasi nisi sulmet me raketa. Ai u fsheh në strehën e bombave në hotelin ku ndodhej.

“Rreth kësaj kohe, ditën e djeshm unë po vrapoja për në qytetin e vjetër kur mora një telefonatë urgjente nga shefi im i shtabit duke më thënë të kthehesha në hotel sa më shpejt që të mundesha, sepse po sulmohej”, tha Booker.

Përmes një videoje të postuar në

I was in Israel when the horrific attacks carried out by Hamas started on Saturday. My team and I are now safe, but like many we are shaken, angered, and heartbroken by the hundreds killed, the thousands injured, those taken hostage, and all who are directly affected by these… pic.twitter.com/E4BgEZxSTC

— Cory Booker (@CoryBooker) October 8, 2023 "> X (ish-Twitter) gjithashtu përshkroi frikën në fytyrat e njerëzve dhe shqetësimet e tyre se çfarë mund të ndodhte më pas, raporton NewsSky.

“Kur u ktheva në hotel, u bashkova me të tjerët në strehën e bombave ose shkallët e hotelit. Fytyra të frikësuara, kishte fëmijë dhe të moshuar, familje, shumë amerikanë. Kishte një ndjenjë frike dhe shqetësimi dhe shumë prej nesh e dinin se kishin ndodhur gjëra të tmerrshme në të gjithë vendin në atë kohë”, tha Booker.

Ora 07:55
Polonia nis evakuimin e qytetarëve të saj nga Izraeli

1696830798_polo.jpg

Polonia ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Izraeli, me avionin e parë me rreth 120 persona që u ul në Varshavë mëngjesin e së hënës.

"Njerëzit e parë të evakuuar nga Izraeli janë tashmë në Poloni. Unë do të doja të falenderoja ushtarët tanë për kryerjen e operacionit me efikasitet. Ju jeni më të mirët", shkroi në Twitter ministri polak i mbrojtjes Mariusz Blaszczak, raporton BBC.

Dy avionë të tjerë pritet të mbërrijnë gjatë ditës. Të dielën, Blaszczak tha se ishin rreth 200 turistë polakë, përfshirë fëmijë në një udhëtim shkollor, që prisnin të largoheshin nga Izraeli. Të paktën 200 ushtarë polakë po ndihmojnë në operacion.

Ora 07:39
Si kanë reaguar liderët botërorë për 'luftën' Izrael-Palestinë?

1696829922_ll.jpg

Liderët botërorë kanë reaguar në mënyra të ndryshme ndaj sulmit të Hamasit dhe hakmarrjes së Izraelit. Këtu është një përmbledhje.

SHBA: Presidenti Joe Biden thotë se mbështetja e vendit të tij për Izraelin është "e fortë dhe e palëkundur". SHBA ka vendosur anije dhe avionë në rajon dhe tha se do të dërgojë municione shtesë në Izrael.

Britani: Kryeministri Rishi Sunak ka premtuar "mbështetje të palëkundur" për Benjamin Netanyahu. 

"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar. Terrorizmi nuk do të mbizotërojë", tha Sunak.

Iran: Presidenti Ebrahim Raisi tha se Irani mbështet të drejtën e palestinezëve për vetëmbrojtje dhe paralajmëroi se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për rrezikimin e rajonit ndër vite. Hamasi mbështetet nga Irani, raporton BBC.

Liban: Hezbollahu, një grup i fuqishëm i armatosur i mbështetur gjithashtu nga Irani, shkëmbeu artileri dhe raketa me Izraelin të dielën. Kjo ka ngjallur frikën e një konflikti më të gjerë midis Izraelit dhe shteteve kundërshtare të tij.

Kina: Pekini u ka bërë thirrje të dyja palëve që të "ushtrojnë vetëpërmbajtje" dhe "të pushojnë menjëherë zjarrin". Media shtetërore ka përsëritur "zgjidhjen mes dy shtete", e cila përfshin krijimin e një shteti të pavarur të Palestinës.

Rusia: Ministria e Jashtme bëri thirrje për një "armëpushim të menjëhershëm" dhe negociata drejt "një paqeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe të shumëpritur".

Ora 07:38
Ushtria izraelite: 500 objektiva të Hamasit goditen në Gaza

Sulmet ajrore dhe granatimet e artilerisë izraelite goditën më shumë se 500 objektiva që i përkasin grupeve militante të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës gjatë natës, tha ushtria izraelite të hënën.

“Gjatë natës, avionë luftarakë të IDF (ushtrisë izraelite), helikopterë, avionë dhe artileri goditën mbi 500 objektiva terroristë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës”, tha ushtria në një deklaratë.

Ora 07:25
Irani mohon përfshirjen në sulmet e Hamasit

1696829132_shsoijs.jpg

Irani ka mohuar përfshirjen e saj në sulmet e Hamasit dhe pushtimin e Izraelit. Delegacioni iranian në Kombet e Bashkuara lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se ata e mbështesin Palestinën pa rezerva.

"Hapat e vendosur të palestinezëve përbëjnë një mbrojtje plotësisht legjitime kundër shtatë dekadave të okupimit dhe krimeve të tmerrshme nga regjimi i paligjshëm sionist. Ne mbështesim Palestinën pa rezerva. Megjithatë, ne nuk jemi të përfshirë në përgjigja palestineze, e cila u krye vetëm nga vetë Palestina”, thuhet në deklaratën e delegacionit.

Ora 07:24
UEFA shtyn ndeshjet e planifikuara në Izrael

1696783488_gaza.jpg
UEFA shtyn të gjitha ndeshjet e planifikuara në Izrael në dy javët e ardhshme për shkak të situatës aktuale.

Ndeshjet e shtyra janë:

Kualifikueset e Euro 2024

12/10: Izrael - Zvicër

UEFA Kampionati Evropian U-21 2025

12/10: Izrael - Estoni

17/10: Izrael – Gjermani

UEFA Kampionati Evropian U-17 2024

11/10 deri në 17/10: Mini turne që përfshin Izraelin, Belgjikën, Gjibraltarin dhe Uellsin

Ndërsa ende nuk ka vendim për ndeshjen Kosovë-Izrael e planifikuara për tu luajtur në Prishtinë më 15 tetor. UEFA do të vendosë ditët në vijim.

Ora 07:19
Linjat ajrore aziatike anulojnë fluturimet për në Tel Aviv

1696828926_aer.jpg

Disa linja ajrore aziatike kanë anuluar fluturimet e tyre drejt Izraelit për arsye sigurie. Hainan Airlines, e vetmja linjë ajrore kineze që fluturon midis Kinës dhe Izraelit, pezulloi fluturimet midis Shangait dhe Tel Avivit, ndërsa Cathay Pacific gjithashtu pezulloi fluturimet midis Hong Kongut dhe Tel Avivit. 

Linja ajrore Korea Air ka anuluar fluturimin e saj midis qytetit port Incheon dhe Tel Aviv, duke specifikuar se fluturimet e ardhshme nuk do të jenë të gjitha të siguruara.

Ora 07:04
Sulmi në Izrael, Zelensky: Dy viktima dhe mbi 100 ukrainas i'u drejtuan ambasadës ukrainase për ndihmë

1696517328_rusi.jpg

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një videoje të postuar në platformën X (ish-Twitter), tha se mbi 100 qytetarë ukrainas në Izrael ishin drejtuar pranë ambasadës ukrainase për ndihmë pas sulmit të Hamasit.

“Mbi 100 qytetarë ukrainas në Izrael iu drejtuan ambasadës ukrainase për ndihmë pas sulmit të Hamasit. Vendndodhja e pesë bashkëqytetarëve tanë në jug të Izraelit është përcaktuar", shkroi Zelensky në X, duke kujtuar se dy shtetas ukrainas u vranë gjatë sulmeve dhe se ambasada ukrainase po punon ngushtë me policinë izraelite.

Udhëheqësi ukrainas theksoi se shërbimet diplomatike dhe inteligjente ukrainase po punojnë gjatë gjithë kohës për të ndihmuar të gjithë qytetarët në nevojë.

"Terrorizmi ka hapur shumë fronte kundër njerëzimit. Lufta kundër Ukrainës. Lufta në Lindjen e Mesme. Destabilizime të tmerrshme në të gjithë Afrikën. Përpjekje të vazhdueshme për të provokuar një krizë në tregun global të ushqimit”, tha Zelensky.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Flori: 09/10/2023 17:57

    Ne kete rast! Kush eshte zaptuesi Izraeli apo Palestina? Mediat Boterore perkrahin Izraelin!Meqe Perkrahin Izraelin Bota ,duhet te perkrahin edhe Rusin,si zaptuese.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja