Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar anije, aeroplanmbajtëse dhe avionë ushtarakë në Mesdheun lindor dhe gjithashtu do t'i japë Izraelit pajisje dhe municione shtesë. Këto dërgesa vijnë pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor, të cilin Presidenti Biden e quajti një "sulm të paprecedentë dhe të tmerrshëm". Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare të SHBA tha se disa qytetarë amerikanë ishin në mesin e të vdekurve. Izraeli deklaroi se më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe 100 janë rrëmbyer.
Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas sulmeve hakmarrëse ajrore izraelite, sipas zyrtarëve palestinezë, raporton BBC. Ndihma e mëtejshme ushtarake për Izraelin do të dërgohet në ditët në vijim, sipas deklaratës nga Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se SHBA po punon për të siguruar që ‘armiqtë’ e Izraelit të mos përfitonin nga situata.
Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka shprehur mbështetjen për sulmin e Hamasit, duke thënë se Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për këtë sulm. Hamasi ka thënë se ndihma nga Irani e ndihmoi atë të kryente sulmin e tij, i cili përfshinte raketa, drone dhe militantë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se SHBA nuk kishte parë prova të përfshirjes së drejtpërdrejtë iraniane, por tha se Irani kishte ndihmuar grupin me bazë në Gaza për vite me rradhë. Në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Irani mohoi përfshirjen në sulmin ndaj Izraelit.
Çdo vit SHBA dërgon miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Izraeli ka qenë marrësi më i madh i përgjithshëm i ndihmës së huaj nga SHBA. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të takohet së shpejti në Nju Jork për të diskutuar dhunën në Izrael dhe Gaza.
Lajmi kryesor: