Izraeli ka vënë në funksion një sistem të ri mbrojtjeje ajrore me energji lazer, të quajtur Iron Beam, duke u bërë vendi i parë në botë që disponon një teknologji të tillë në nivel operacional, raporton The Times of Israel.
Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se sistemi iu dorëzua zyrtarisht Forcave Ajrore gjatë një ceremonie në veri të vendit.
Projekti është zhvilluar nga Drejtoria për Kërkim dhe Zhvillim e Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore të mbrojtjes Rafael.
“Për herë të parë globalisht, një sistem interceptimi me lazer me fuqi të lartë ka arritur pjekuri të plotë operacionale, duke realizuar me sukses disa ndërhyrje”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.
Ai e cilësoi zhvillimin si një “mesazh strategjik” për kundërshtarët e Izraelit.
Sipas Yuval Steinitz, kryetar i bordit të Rafael, Iron Beam përfaqëson një hap historik: “Izraeli është shteti i parë që ka futur në përdorim një sistem lazer për interceptimin e kërcënimeve ajrore, përfshirë raketa dhe predha.”
Sistemi i ri synon të plotësojë arkitekturën ekzistuese të mbrojtjes ajrore të Izraelit, ku përfshihen Iron Dome për kërcënimet me rreze të shkurtër, David’s Sling dhe sistemet Arrow për raketat balistike.
Ndryshe nga këto sisteme, Iron Beam pritet të ulë ndjeshëm koston për çdo interceptim, pasi përdor energji elektrike në vend të raketave mbrojtëse.
Komente








