Iranianët do t’i japin lamtumirën ajatollahut Ali Khamenei në një ceremoni treditore që nis sot në Teheran, raporton televizioni shtetëror. Ceremonia do të nisë në orën 22:00 lokale dhe do të zgjasë tri ditë, ndërsa detajet për funeralin do të përfundojnë së shpejti.

Raketat dhe dronët nuk ndalen, Lindja e Mesme mbetet ende tokë përplasjesh. Ndërsa sulmet e Izraelit ndaj Teheranit vazhdojnë dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit godasin në Liban, Irani ka zgjedhur si Udhëheqës të ri Suprem Mojtaba Khamenein, djalin e ajatollahut Ali, të vrarë në orët e para të konfliktit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka kërkuar eliminimin e tij: "Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim", tha ai.

Pasdaranët deklarojnë se kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë botërore të naftës në hyrje të Gjirit Persik.

“Aktualisht, Ngushtica e Hormuzit është nën kontroll të plotë të Marinës së Republikës Islamike”, tha Mohammad Akbarzadeh, një zyrtar i lartë i marinës.

Një ditë më parë, Trump garantoi se marina amerikane mund të shoqërojë cisternat përmes ngushticës, nëse është e nevojshme.

Izraeli thotë se kishte në shënjestër operativë dhe objekte të Hezbollahut.

Agjencia me bazë në SHBA, Human Rights Activists News Agency (Hrana), thotë se janë vrarë mbi 1097 qytetarë, mes tyre 180 fëmijë nën 10 vjeç. Mbi 5402 njerëz janë plagosur. ku 100 prej tyre janë fëmijë.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “gjithçka është shkatërruar në Iran”, ndërsa një komandant ushtarak amerikan deklaroi se janë goditur më shumë se 2.000 objektiva në vend.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për civilët më shumë se 13 qytete të Libanit, ndërsa vazhdojnë të godasin ndërtesa që, sipas tyre, janë të lidhura me Hezbollahun.

Sulmet po zhvillohen në një ndërtesë katërkatëshe në Baalbek, në lindje të Libanit ku raportohet për “shumë të vdekur” dhe se po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë familjet nga rrënojat”. Gjithashtu, IDF raportohet se ka goditur edhe një hotel në periferi të Hazmieh. Deri më tani raportohet për 11 të vdekur.

Pentagoni ka identifikuar katër nga gjashtë ushtarët amerikanë që u vranë në luftën kundër Iranit, duke njoftuar se ata humbën jetën në një sulm me dron në Port Shuaiba, në Kuvajt. Ndërkohë, në Kuvajt sulmet kanë shkaktuar vdekjen e një 11-vjeçareje.

Të martën në Riad u goditën ambasada amerikane dhe selia e CIA-s. Kancelari gjerman Merz, i pritur nga Trump në Shtëpinë e Bardhë, pas takimit deklaroi se SHBA-të “nuk kanë ende një strategji të qartë për udhëheqjen e ardhshme në Iran”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:46
Mes vajit e gëzimit në Iran, nis sot ceremonia treditore për vdekjen e Khameneit

Iranianët do t’i japin lamtumirën ajatollahut Ali Khamenei në një ceremoni treditore që nis sot në Teheran, raporton media shtetërore.

Udhëheqësi suprem u vra në valën e parë të sulmeve SHBA-Izrael të shtunën në mëngjes.

Ceremonia do të fillojë në sheshin e lutjeve Imam Khomeini, e njohur si Mosalla në Teheran në orën 22:00 lokale (19:30). Ceremonia do të zgjasë tri ditë, ndërsa detajet për funeralin do të përfundojnë së shpejti.

Reagimet në rrugët e Iranit ndaj vdekjes së udhëheqësit suprem kanë qenë të përziera: disa pjesë të shoqërisë po festojnë, ndërsa të tjerët po vajtojnë.

Nga ana tjetër, djali i Khameneit, Mojtaba është lideri i ri i vendit, edhe pse kjo është raportuar nga mediat dhe ende jo në rrugë zyrtare.

Ora 08:37
U goditën nga droni iranian në Kuvajt, SHBA-të identifikojnë katër prej ushtarëve të vrarë

Pentagoni ka publikuar emrat e katër nga gjashtë ushtarëve amerikanë që u vranë gjatë luftës me Iranin.

Ushtarët e identifikuar janë:

Kapiteni Cody A. Khork, 35 vjeç, nga Winter Haven, Florida

Nënoficeri i Klasës 1 Noah L. Tietjens, 42 vjeç, nga Bellevue, Nebraska

Nënoficeri i Klasës 1 Nicole M. Amor, 39 vjeç, nga White Bear Lake, Minnesota

Specialisti Declan J. Coady, 20 vjeç, nga West Des Moines, Iowa

Pentagoni njoftoi se të katër u vranë nga një dron iranian që goditi vendin ku ata po punonin në Port Shuaiba, Kuvajt, të dielën. Të gjithë ishin rezervistë të Ushtrisë Amerikane, të caktuar në Komandën e 103-të të Mbështetjes në Des Moines, Iowa.

Ora 08:32
Raketa iraniane godet bazën ajrore amerikane në Katar

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Katarit, vendi është sulmuar nga dy raketa balistike iraniane.

Njëra nga këto raketa u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, ndërsa tjetra goditi bazën ajrore amerikane në Al Udaid, e cila është edhe më e madhja në rajon.

Katari raporton se nuk ka pasur viktima.

Ora 08:27
Izraeli sulmon “selitë e sigurisë” në të gjithë Teheranin

Sipas zëdhënësit arab të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, Izraeli ka goditur dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Teheranin.

Sulmet kishin si shënjestër selitë e Basij-it, një forcë paramilitare e lidhur me Gardën e Revolucionit Islamik, si dhe lëshuesit e raketave, sistemet e mbrojtjes dhe drejtorinë e furnizimit dhe logjistikës të lidhur me forcat tokësore të regjimit.

Adraee shton se IDF do të vazhdojë të “forcojë sulmet” mbi infrastrukturën e regjimit iranian.

Ora 08:17
Ministri izraelit i Mbrojtjes: Eliminoni pasardhësin e Khameneit

Kushdo që emërohet nga regjimi iranian për të zëvendësuar Ali Khamenein në rolin e udhëheqësit “do të jetë pa dyshim një objektiv për eliminim”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes.

“Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim”, deklaroi Israel Katz.

“E rëndësishme nuk është se si quhet apo ku fshihet”, shtoi ai. “Ne do të vazhdojmë të veprojmë me gjithë forcën, së bashku me partnerët tanë amerikanë, për të çmontuar kapacitetet e regjimit dhe për të krijuar kushtet që populli iranian ta rrëzojë dhe ta zëvendësojë atë”, përfundoi Katz.